Gëzim Tushi: Vrasja e Mateos dhe barbaria e krimit në Shqipëri…

351
Sigal

Gëzim Tushi, sociolog

Mjeshtër i Madh

Somario

Ngjarja e vrasjes së Mateos, duhet të shërbejë si sinjal për të riparë dhe rivlerësuar politikat, strategjitë, planet e veprimit, institucionet përgjegjëse të edukimit dhe ndëshkimit, duke ndërtuar një “ortek kompakt” të gjithë këtyre faktorëve për ta përballuar, por dhe “thyer dhëmbët” krimit dhe kriminelëve.

 Ngjarja makabre, krimi i përmasave kafshërore dhe vrasja barbare e Mateos vogëlushit 8 vjeçar nga një përbindësh i vërtetë është shokante. Por ajo nuk është rastësi, që mund të na habisë apo të bëjmë të “çuditurin”. Përkundrazi ngjarja pavarësisht motiveve dhe teknikaliteteve konkrete të realizimit të aktit kriminal, është e pritshme dhe mbi të gjitha një “hallkë” në zinxhirin e vazhduar dhe të pandërprerë të krimit në zgjerim në shoqërinë tonë. Por rasti i vrasjes së vogëlushit është tregues sintetik i faktit, që tipologjia dhe fenomenologjia e krimit në shoqërinë tonë, është zgjeruar në kufijtë e një “banaliteti social” gati të përditshëm.

Nuk e di, nuk është vështirë të rendis shumë raste krimesh të llahtarrshme që po inondojnë atmosferën sociale në këtë vend, por besoj se me vrasjen e vogëlushit 8 vjeçar në fshatin Grecalli të Fierit, “nomenklatura sociale” e krimit, pikërisht me këtë ngjarje tmerrësisht të pazakontë, ka kapur “apogjeun” e vet, duke dhënë një precedent tejet të rrezikshëm, për ato që mund të ndodhin në të ardhmen nëse nuk marrim masat e duhura komplekse.

Qoftë me natyrë parandaluese, përmes institucioneve edukative dhe shëndetësore, apo edhe ato ndëshkuese e ligjore. Si mënyrë që situatën e kriminalitetit dhe luftën me të të mos e bëjmë në “gjunjë” dhe as thjesht për të bërë rregjistrime statistikore pasive të krimeve të tillë, por për të filluar një betejë të re, një strategji ndryshe duke ngritur në këmbë qytetarët, institucionet e sigurisë morale, bashkë me ato të edukimit, formimit qytetar dhe human. Por bashkë me to edhe  ato të ndëshkimit, si “mekanizëm” socio-edukativ dhe ligjor për t’u përballur qytetarisht, frontalisht me krimin social dhe kriminelët. Ne nuk duhet të mbetemi tek ky rast fatkeq i humbjes së jetës së vogëlushit, as duke u marrë vetëm me profilin individual apo tipologjinë sociale të kriminelit, që kreu këtë krim me gjak të ftohtë.

Unë besoj se shikimi individual dhe i personalizuar nuk mjafton, për të gjetur rrugët dhe zgjidhjet për të frenuar krimin dhe frenuar atmosferën kriminale, që po e inondon shoqërinë tonë. Shqetësimi social, edukativ, shtetëror, penal dhe policor duhet përqëndruar në faktin shqetësues. Kriminelët në këtë vend janë shtuar dhe po shtohen përditë. Ata janë “llumi social” që po bëhen “shtresë e trashë” tejet shqetësuese për shëndetin dhe të ardhmen e shoqërisë tonë.

Ka kohë që shumica absolute e shoqërisë shqiptare është e shqetësuar, në përballjen e saj me shumë dukuri asociale, me shtimin në “progresion gjeometrik në jetën tonë të përditshme të qëndrimeve brutale, sjelljeve jo të qytetëruara të disa tipave asocialë e kriminalë, që po i bëjnë karshillëk individit si qytetar, shoqërisë në tërësi dhe organeve të shtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Një situatë paradoksale, e cila në pamje të parë duket sikur ndodhemi në gjëndjen pa shpresë, kur krimi po superon mbi nevojat e shoqërisë për jetë sociale paqësore, mbi forcën parandaluese, frenuese dhe ndëshkuese të shtetit ligjor. Rasti i fundit, vrasja makabre e djalit 8 vjeçar Mateo Vasiu, na obligon që jo vetëm të mos heshtim por të “ulërijmë”. Gjëndja e kriminalitetit po agravohet me shpejtësi, sepse përditë po përballemi me një situatë sjelljeve antihumane, shfaqjes së zgjeruar të veseve sociale, deformimeve të rënda, që në mënyrë pandemike po shfaqen dukshëm në formën e krimit barabar.

Tashmë krimi por edhe disa dukuri morale, asociale, sjellje të shumta individuale enorme, po deformojnë keq standartet e njohura, të pranuara të qytetërimit tonë, që shpesh janë kaq shumë të përçudnuara, sa që po venë në dyshim nivelin e civilizimit tonë të përgjithshëm. Veçanërisht statusin qytetar të jetës sociale, nga që në mënyrë të pandërprerë ato po i cënojnë dukshëm dhe dhunshëm ato.

Shëndeti i shoqërisë shqiptare është tronditur nga zgjerimi i kriminalitetit dhe veseve të shumta sociale, që paraprijnë dhe nxitin atë si dukuri në zgjerim. Realisht kohët e fundit në shoqërinë shqiptare ka disa disproporcione, mungesa të rënda në ekulibrin social të marrëdhënieve midis individit, normave urbane dhe rregullave sociale. Është krejt evidente që në shoqërinë tonë ka një shpërthim të paparë të sjelljeve eksentrike e kriminale, veprime anormale e kaotike, pa kulturë qytetare dhe krejt pa sens human. Nuk ka pse bëjmë “moralin e strucit”, as pse t’i fshehim negacionet sociale në shpërthim të pakontrolluar. Shoqëria shqiptare kohët e fundit, ndoshta si kurrë më parë është duke u përballur me epdemi të zgjeruara të krimit, vjedhjeve, vrasjeve, vetëvrasjeve, divorceve, anarkisë seksuale, përdorimit të parasyeshëm të dhunës dhe forcës fizike. Nganjëherë këto sjellje e dukuri të jetës sociale, kanë marrë përmasa të tilla, që të duket sikur nuk jeton në një shoqëri humane, por në një “spital psikiatrik” me përmasa sociale.

Nuk mund të kesh përshtypje tjetër kur shikon që rrotull shoqërisë sillen jo vetëm mostra kriminale si Klodiani i përbindshëm, por edhe kur shoqëria po “mbytet” nga sasia në rritje progresive e dukurive destruktive, kur shikon se në jetën tonë po shtohen me ritme shumë të shpejta njerëzit anormalë (jo të sëmurë mendorë, por të sëmurë socialë) që kryejnë krime me gjak të ftohtë, që ndërmarrin pa i vrarë ndërgjegjja agresione fizike të dhunshme, që demonstrojnë në shoqërinë tonë “uri”, abuzime dhe shfrime seksuale të pakonrolluara, gati animaleske, sidomos me fëmijët apo kur në ambientet e jetës publike përballesh me njerëz që dallohen që në distancë, për difektet sociale, mungesën evidente të stabilitetit mendor, që nuk kanë në rregull “busullën e orientimit” human, që kanë të prishur mekanizmin e vetëdisiplinimit social, që në jetë shfaqen me veprime me natyrë asociale, të cilat po e shqetësojnë seriozisht jo jetën tonë individuale, por veçanërisht staturën e shoqërisë dhe qytetërimit tonë.

Problemi nuk është aq i thjeshtë, sepse nga mënyra si po zhvillohet situata sociale dhe morale e shoqërisë tonë, nuk mund të mos të detyrojë të mendosh për rrugën që po ndjekim, destinacionin ku po shkojmë: drejt njeriut me “status social” të qartë e të konsoliduar, apo drejt qënies me “status natyror”? Kjo është vija ndarëse, ky është kufiri që ndan njeriun social nga njeriu biologjik, qytetërimin modern nga barbaria. Kur shikon sasinë dhe intensitetin e dukurive sociale anormale të shoqërisë tonë, natyrshëm në gjëndje të hutuar pyet veten, por dhe të tjerët: A ka norma morale të sjelljes sociale që të na ndihmojmë të dallojmë, të ndajmë në shoqërinë tonë sjelljen e mirë të njeriut civil, nga sjellja e njeriut kriminal që jeton ende në “gjëndje natyrore”?

Ngjarja e vrasjes së Mateos, duhet të shërbejë si sinjal për të riparë dhe rivlerësuar politikat, strategjitë, planet e veprimit, institucionet përgjegjëse të edukimit dhe ndëshkimit, duke ndërtuar një “ortek kompakt” të gjithë këtyre faktorëve për ta përballuar, por dhe “thyer dhëmbët” krimit dhe kriminelëve. Ndryshe, në se do vazhdojmë rrugën lineare, të veprimeve të shkëputura, spontane, jo të sinkronizuara në strukturë kompakte të “antikrimit”, atëhere është e vështirë të kemi sukses në këtë betejë serioze humane e qytetëruese…