Kryebashkiaku i Tiranës/ Veliaj i jep fund mësimit me 2 turne, inaguron shkollën e re “ Qazim Turdiu” me ambiente moderne për nxënësit

448
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përuruan shkollën e 10-të, të ndërtuar nga e para, që i bashkohet buqetës së shkollave dhe kopshteve të reja të hapura këtë semestër në kryeqytet.Veliaj tha se shkolla e re “Qazim Turdiu” me kapacitet prej 900 nxënësish, është ndërtuar më moderne dhe me kushte tepër cilësore për fëmijët. “E vlerësoj shumë sakrificën e këtij viti! Ju është dashur që të bëni mësim me dy, ndoshta me tre turne, në një shkollë tjetër, është dashur të punoni orar pa orar, vend e pa vend, por di t’ju them se kur vjen në këtë hapësirë të rimodeluar, ku kemi shtuar një oborr përpara, një oborr mbrapa, dy hyrje, salla me dritare të mëdha, ku hyn drita natyrale, përjeton një emocion të madh dhe mendoj se ia ka vlejtur çdo mund e sakrificë. Sot kemi një shkollë shumë më të mirë për nxënësit tanë. Është shkolla e dhjetë që hapim këtë semestër. Debate do të ketë, por duhet të kuptojmë se në fund mbeten veprat”, thekson Veliaj. Kryebashkiaku vuri theksin te fakti që transformimi i kësaj shkolle ka rritur me 30% vlerën e pronës në zonë. “Vetëm kjo ndërtesë, nga vëzhgimi që kemi bërë kur nisi puna, e ka rritur vlerën e pronës me 30% në të gjitha pallatet këtu rrotull. Pra, kur filloi shkolla e re, vetëm për faktin se agjencitë imobilare thonë: Shitet ky apartament ngjitur me shkollën e re “Qazim Turdiu”, ka rritur me 30% vlerën e pronës. Prona ka të njëjtat metra katrorë, por thjesht vlen më shumë sepse ndodhet pranë një shkolle më të bukur dhe ka urbanistikë”, pohoi Veliaj.