Politikë e çoroditjes

7262
Sigal

PS-ja, po përdor  propagandë e slogane, në vend të qasjes të alternativave. Fushata elektorale ka filluar, e megjithatë, shikojmë vetëm Edi Ramën, që del nëpër fusha e minimarkete, duke patur nga pas, të njëjtët , si një dekor i pandryshuar-pavarësisht nga rotacioni stinor- ata që janë më afër besimit të tij personal. PS-ja dhe Kryetari i saj, nuk përcjellin imazhin te elektorati se cili do të jetë ekipi që  duhet t’i japë mirëbesimin e votës, por Edi Rama, kërkon që të fitojë këtë mirëbesim të elektoratit, vetëm duke luajtur në planin personal.  Nëpër deklaratat politike,- të përditshme- nga selia rozë, dalin ata që janë më afër besimit personal të Kryetarit të PS-së dhe jo ata që janë kompetentë. Fjala vjen, PS-ja ka deputetë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, që janë kompetentë të çështjeve të Sigurisë Kombëtare, ndërsa përditë deklaratat akuzive i bën deputeti që nuk ka asnjë lidhje me çështjet, veçse gëzon mirëbesimin personal të Kryetarit.  Deputeti i PS-së, edhe pse përditë publikon pikatoret e skandalit, për të mbajtur gjallë interesin, nuk jep asgjëkundi  alternativën e saj, se si do të sillej PS-ja me këto territore,  sesi do t’i bënte  të përdorshme në dobi të interesave të të gjithëve. Po kështu, edhe për propagandën –  një fiasko politike e PS-së, – që lidheshin me reklamat, derisa deputeti Shalsi, i cili mbajti fushatën javore të akuzave, të vetmen kompetencë kishte,  si ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës,  përgjegjësitë e veta për menaxhimin e reklamave nga Bashkia e Tiranës, në kohën e tij,  ndaj  nuk mundi të japë përgjigje për akuzat që iu bënë, e që më vonë u fsheh.