PS-ja nuk ka strategji për fitoren e fushatës zgjedhore të 2013-s

670
Sigal

Katandia politike: Suksesi i PS-së është  (mos)përgjimi i Strategjisë dhe Platformës të Asamblesë nga…Kryeministri?!

1. Sipas Ruçit: “Suksesi i PS-së është (mos) përgjimi nga…  Kryeministri?!

Pardje, në Kuvend, Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në shkëmbim të replikave, iu mburr Kryeministrit se  “Strategjia jonë funksionoi. Se përgjove dot strategjinë dhe vendimmarrjen e forcës kundërshtare”. Kjo është arritje politike, e opozitës socialiste?! Që Kryeministri nuk mundi të përgjojë strategjinë e vendimmarrjen e PS-së në një Asamble prej 140 vetësh. Kur, të nesërmen, u zbardhën nëpër gazeta  gjithë dialogët e replikave të kundërshtisë të deputetëve me Kryetarin e PS-së. Por, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, që është edhe kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, harroi më kryesoren. Që elektorati shqiptar, nuk dëgjoi, nuk mësoi, nuk u informua për atë…strategji e platformë fitoreje të PS-së… Thjesht, populli u informua me deklaratat gojore, tipi i njoftimeve të mbledhjeve të Byrosë Politike të PPSH-së, që ishin hermetikisht të mbyllura për sytë e veshët e miletit. Kësisoj, sa bindëse është strategjia e platforma politike e PS-së për elektoratin? Lind pyetja: PS-ja, strategjitë e platformat e fitores të një fushate elektorale, i harton  që të bindë elektoratin për alternativat e saj për ndryshim? Apo, i bën në fshehtësi- për t’u siguruar që nuk do t’i përgjojë Kryeministri, dhe në një mëngjes dimri, do t’ia shpërndajë miletit me …trakte?

2. Propagandë dhe jo bindje

Në takimin e Kryetarit të PS-së me përfaqësues të biznesit të madh, një biznesmen, i thotë hapur Kryetarit të PS-së: ” Shpjegojeni më qartë teorinë politike të taksave, që t’ju kuptojmë…”.   Akoma edhe sot, PS-ja nuk ka marrë mundimin që të shpjegojë, më thjesht, më qartë, përse taksa progresive është më e leverdishmja për biznesin shqiptar. Me propagandën e saj, PS-ja më shumë përpiqet që të imponojë ideologjinë e saj: Është më e mira, sepse e thotë PS-ja!  Është e keqe, se e thotë Berisha! Kjo është brendia  propagandistike e fushatës elektorale të PS-së, deri tani. Reagimi real i kësaj kritike nga udhëheqja e PS-së, ishte ajo deklaratë e thatë publike, e pas disa ditëve, nga vendimet e shumta të Asamblesë Kombëtare. Që deputetët e PS-së, nga janari e tutje, do të shkojnë portë më portë,( nuk e besoj që të shënojnë gola…), e të informojnë (është harruar vallë fjala – bindje) elektoratin për Strategjinë e Platformën e fitores së PS-së për zgjedhjet e ardhshme të 2013-s. Nuk e kuptojmë, pse në janar, e jo që tani? Thua, se (politikisht) PS-ja ka kohëluksin, që këto dy muaj e gjysmë, deri në janar, të bëjë pushimet sezonale? Pastaj, përse PS-ja duhet të informojnë, derë më derë elektoratin për një strategji e platformë politike që hartoi dhe miratoi në Asamble Kombëtare? Mos vallë Kryetarit të PS-së, Edi Ramës, i ka mbetur ora politike te praktikat e PPSH-së, në vitet 1970-1980, kur çdo mbledhje partiake bëhej me dyer të mbyllura e populli informohej me deklarata? Derisa Kryetari i PS-së, është partizan i rrjeteve sociale, si ka mundësi që të pretendojë se do të…informojë elektoratin për strategjinë dhe platformën e fitores të PS-së, duke i dërguar  deputetët e PS-së, si lypsarë, derë më derë, që të informojnë? Kur, njëkohësisht,  Kryetari i PS-së,  u heq të drejtën deputetëve të shprehen lirshëm në forumet partiake, sikurse i heq apriori edhe elektoratit të drejtën demokratike që të ndjekë nga afër debatin në Asamble?! Për të kuptuar përgjigjen e kësaj pyetjeje, dalim të kritika që i tha biznesmeni Kryetarit të PS-së: “Jeni i pakuptueshëm…”. PS-ja nuk ka strategji dhe platformë politike të fitores të zgjedhjeve të 2013-s, që të bindë elektoratin. Që të bindësh elektoratin, nuk mjafton informimi derë më derë nga deputetët.   Politika e të shkuarit derë më derë, të kujton edhe  dështimin e praktikës së “Dialogut me Shqipërinë”, të fushatës zgjedhore 2009, ku PS-ja humbi se nuk bindi elektoratin. Të bindësh, do të thotë të kesh alternativa, të afron mundësi më të mira se kundërshtari. Elektorati bindet duke të dëgjuar që në debat dhe jo sepse i thotë PS-ja. Mirëpo, kur debati mungon në forumet e PS-së dhe mbizotëron imponimi dhe diktimi i Kryetarit të PS-së, do të thotë që vetë brenda PS-së nuk ka parashtrime të ideve, të mendimeve, të rrugëzgjidhjeve të ndryshme, nuk ka alternativa  për ndryshim, që të fitosh mirëbesimin e elektoratin.

3. Mungesës të alternativave politike

Në shumicën e udhëheqjes të PS-së ekziston mendësia politike se pushtetin do ta fitojnë, si një dukuri natyrore e rënies të frutit të arrirë. Domethënë, rotacioni politik do të vijë në Shqipëri, meqë kjo maxhoranxë i plotësoi 8 vjet. Ndaj, e shikojnë të tepërt të afrojnë te elektorati alternativa politike, që të fitojnë besueshmërinë  e elektoratit. duke e bindur atë që kanë një politikë që do të premtojë ndryshimin. PS-ja deri tani, edhe në procesin e reformave të 12 prioriteteve nuk tregoi asnjëherë qëndrueshmëri në kauzat që ajo mbajti fillimisht.  Në zgjedhjen e Presidentit, PS-ja, duke mos patur alternativa politike, ndoqi politikën e moskandidimit dhe shterpësinë politike të saj  u mundua ta justifikojë me mungesën e numrave në parlament. Po cila opozitë ka numrat në parlament? Po cila opozitë, sikurse u soll  çuditërisht PS-ja,  mund të mos pranojë kandidatimin në procesin e zgjedhjes të Presidentit,për shkak të mungesës të numrave? PS-ja, kësisoj, pranoi politikisht,  paraprakisht, inferioritetin  e vet si opozitë  në parlament? PS-ja në procesin e kandidatit për në KLD, duke mos patur alternativa politike, u fut në pazare votash, duke paraqitur kandidatin e saj, avokatin e Gërdecit, duke mos llogaritur koston politike të humbjes së  kapitalit politik të tragjedisë së  Gërdëcit. PS-ja, duke mos besuar në një fitore në saj të alternativave të veta politike, që të bindë elektoratin, mundohet që të pazarojë me Ilir Metën një aleancë të mundshme parazgjedhore, duke mos besuar se do të ketë force bindëse me strategjinë e saj politike. Duke pazaruar politikisht me LSI-në, çfarë alternative politike do t’i afrojnë PS-ja elektoratit, për një ndryshim, derisa LSI-ja është pjesë e kësaj qeverie, që PS-ja kërkon të zëvendësojë?  Me lëkundjet e tërheqjet politike nga kauzat që  PS-ja fillimisht ngriti e mbrojti gjatë realizimit të reformave të 12 prioriteteve,  elektorati i bind se nuk mund të besosh më te politika e PS-së, pasi vetë PS-ja do ta kthejë 180 gradë politikën e saj. Kjo e bënte vetë PS-në të pabesueshme edhe te vetë deputetët, të cilët, me të drejtë, çoroditeshin nga kthesat politike 180 gradëshe, që ndërmerrte Kryetari i PS-së, përmes direktivës urdhëruese : ” Është urdhër partie, të votoni pa kushte”. Kjo ndodhi me reformën zgjedhore, me reformën e kufizimeve të imunitetit, dhe së fundi, me reformën e Gjykatës së Lartë, ku PS-ja u tërhoq edhe nga kauza e …Fierit!