Kush qëndron pas sulmit shpifës ndaj Eqrem Çabejit

621
Kastriot MYFTARAJ

Ditën e premte në emisionin “Zonë e Lirë” në TV Klan u shfaq një sharlatan i quajtur Agron Dalipaj që bëri shpifje ndaj Eqrem Çabejit. Gjithçka tha ai nuk do të kishte asnjë rëndësi, nëse fjalët e tij nuk do t’i kishte thënë në një emision televiziv me audiencë të madhe. Shpifjet e tij kishin si shënjestër atë pjesë të teleshikuesve që nuk e njohin hollësisht veprën e Çabejit, pra shumicën e tyre. Agron Dalipaj bënte shpifje të llogaritura për ata që nuk do t’i verifikonin fjalët e tij duke hapur librat e Çabejit. Shpifja më absurde e Dalipajt për Çabejin ishte, se ai ka vënë në dyshim vazhdimësinë iliro-shqiptare. Kur e vërteta është, se ka qenë pikërisht Çabeji ai që ka polemizuar, në 12 tezat e tij të famshme, me Vejgandin, elaboruesin e tezës së mosvazhdimësisë iliro-shqiptare. Dikush e kishte ushqyer me teza këtë askushin intelektual me emrin Agron Dalipaj që na tha se kishte qenë emigrant në Greqi. Sharlatani Dalipaj përsëriti një shpifje për Çabejin të albanologes ruse Desnickaja, e cila ka thënë se Çabeji është përgjegjës për futjen e huazimeve sllave në gjuhën shqipe. Shpifje shumë e trashë! Sa kohë Shqipëria ishte e lidhur me vendet sllave, Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, Çabeji u la në hije. Veç pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në 1961, Enver Hoxha në një takim me intelektualët, tha se këtë ditë i kishte dhënë dorën për herë të parë pas shumë vitesh mikut të tij të dikurshëm Eqrem Çabeji. Pra duhej që Shqipëria të dilte nga orbita sllave që Çabejit t’i rijepej vendi i merituar në albanologjinë zyrtare. Fjalët e mësipërme të Enver Hoxhës gjenden në veprat e tij. Në kohën që Shqipëria ishte satelit i shteteve sllave, Jugosllavisë dhe Rusisë, për Çabejin ishte në fuqi shpifja se ai kishte qenë Ministër i Arsimit në qeverinë kolaboracioniste me pushtuesit gjermanë në 1943. Në të vërtetë Çabeji ishte duke kryer doktoraturën në Itali pranë një albanologu të famshëm, kur në ndërkohë në Shqipëri u shpall emri i tij si Ministër i Arsimit, në vjeshtën e vitit 1943, në një kohë që shkollat në vend ishin të mbyllura. Çabeji nuk e mori detyrën për asnjë ditë dhe, me shumë gjasë, nuk e mori vesh fare këtë gjë deri në përfundim të Luftës. Edhe, nëse do ta kishte marrë vesh çfarë do të kishte bërë, ku dhe si do të protestonte? Çabeji u kthye në Shqipëri me përfundimin e Luftës, sepse ai e kishte ndërgjegjen e pastër. E megjithatë me të ardhur në atdhe, regjimi komunist kolaboracionist i Beogradit e mori nën hetimin për rolin e tij si ministër kolaboracionist. Beogradi donte që albanologu më i madh shqiptar të dënohej në gjyqin special të kolaboracionistëve të mëdhenj fashistë që u mbajt në Tiranë në 1945. Por gënjeshtra ishte shumë e trashë dhe vetë regjimi komunist hoqi dorë nga kjo ide. Por kjo nuk e pengoi Ismail Kadarenë që në 2008, në romanin e tij “Darka e gabuar” të përsëritë shpifjen, se Çabeji ka qenë kolaboracionist i pushtuesve fashistë. Kadareja, gjirokastrit si Çabeji, e di mirë të vërtetën, por shpif me qëllim. Sulmi ndaj Çabejt është sulm ndaj shtyllave të Albanologjisë. Çabeji ishte dhe mbetet më i madhi albanolog shqiptar. Ata që janë pas sulmit shpifës ndaj Çabejit nuk e kanë me të, por me Albanologjinë, me identitetin shqiptar. Ata janë në Moskë, në Beograd, në Athinë (nga ku erdhi Dalipaj). Ata përgatitin një sharlatan në stilin e Van Der Lubes, zjarrvënësit të Reichstagut në Berlin, në 1933, dhe e hedhin në veprim.
Sigal