Redina Karapici: Rëndësia e ndihmave shtetërore, eksperiencë nga Gjykata Europiane e Audituesve

794
Në një botë të përfshirë nga globalizimi, liberalizimi dhe çrregullimet e aktivitetit ekonomik, lind nevoja të sigurohet funksionimi i duhur i tregjeve nëpërmjet rregullave dhe politikave të përbashkëta. Ky është edhe një nga qëllimet kryesore të Bashkimit Europian në kuadrin e integrimit të tregjeve të brendshme ekonomike mes vendeve. Në Planin e Veprimit të Komisionit Europian për Tregjet e Brendshme, i kushtohet një rëndësi e veçantë politikave që kanë të bëjnëme mbështetjen nga shteti, për të cilat ende vazhdojnë përpjekiet në drejtim të hartimit të rregulloreve dhe politikave të duhura për kontrollin e implementimit të tyre. Ndihma shtetërore përcaktohet si një avantazh i çfarëdoshëm që i akordohet mbi baza selektive një sipërmarrjeje nga njësi të ndryshme publike. Qëllimi kryesor i kësaj forme ndihmese është arritja e një niveli konkurence të drejtë në treg, ndikimi pozitiv në ekonominë e vendit, si dhe reduktimi i rasteve të dështimit të tregjeve. Në terma afatgjatë, ky mekanizëm ndihmon ekonominë të sigurojë eficiencë në funksionimin e tregjeve me rezultat final kënaqësinë konsumatore dhe mirëqenien e shoqërisë. 

Duhet theksuar se duke qenë se këto lloj ndihmesash krijojnë në treg një avantazh të përfituesit ndaj konkurentëve, është shumë e rëndësishme mbikqyrja e mënyrës së lëvrimit të tyre, për të eleminuar konkurencën e pa ndershme. Rëndësia e kësaj politike për Unionin del në pah edhe në numrin e konsiderueshëm të auditimeve që Gjykata Europiane e Audituesve (ECA) i kushton kësaj çështje. Mesatarisht, ECA auditon rreth 42 projkete të ndihmës shtetërore në vit. Nga auditimet e ushtruara, vihet re se projektet më të zakonshme janë ato në fushën e kërkimeve dhe studimeve shkencore, si dhe ndaj ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme. Kjo tregon se tendencat e Unionit synojnë më tepër drejt nxitjes së edukimit dhe shtimin e llojshmërisë së tregjeve më tepër se sa në mbajtjen e qendrueshme të atyre ekzistuese. Vetëm gjatë vitit 2014, Gjykata Europiane e Audituesve ka shqyrtuar rreth 59 raste të ndihmës shtetërore, ku pjesa më e madhe e shkeljeve kishin të bënin me shpërndarje fondesh nga vendet anëtare pa marrë më parë miratimin e Komisionit Europian, si dhe tejkalim të limiteve të caktuara për dhëniën e këtyre fondeve, konkretisht të vlerave prej 100.000 euro për fushën e transportit dhe 200.000 euro për çdo skemë tjetër ndihme. Por që të fitosh një ndihmë shtetërore nuk është e thjeshtë. 
Përcaktimi i KE për ndihmat shtetërore
Nga përcaktimi i bërë nga Komisioni Europian në nenin 87(1) të Traktatit të Romës, ekzistojnë disa kritere të cilat e klasifikojnë këtë lloj mbështetje si ndihmë nga shteti dhe ato janë:

a) Ndihma duhet të akordohet nga burime shtetërore
b) Të sigurojë një avantazh ekonomik për sipërmarrësin
c) Të ruajë pa anshmërinë në përzgjedhje dhe mbi të gjitha të favorizojë një sipërmarrje
d) Të ketë aftësinë të nxisë konkurencën dhe të ndikojë pozitivisht në tregje.

Po në këtë Traktat, përcaktohet gjithashtu se është e nevojshme që të plotësohen të katër kriteret së bashku në mënyrë që mbështetja të konsiderohet si ndihmë shtetërore dhe vendi anëtar të mund ta përfitojë atë. Përmbushja e të katër kritereve sëbashku konsiderohet tepër e rëndësishme pasi pasojat e saj janë zinxhir. Nga raportet e auditimit të Gjykatës Europiane të Audituesve vihej re se ishin të shpeshta rastet e përfitimit të këtyre fondeve pa plotësuar njëherësh të katër kriteret. Në këto raste Gjykata kërkon tërheqjen e fondeve të akorduara vendit anëtar, çka sillte ndërprerjen e zbatimit të projektit, dështimin e sipërmarrjes e deri në çrregullime në tregun përkatës. Sipas të dhënave të publikuara nga DG Competition pranë Komisionit Europian, gjatë vitit 2013 BE ka shpenzuar rreth 143.85 mln euro në formën e ndihmave shtetërore, ku vendet anëtare të cilat përfitojnë më tepër janë Gjermania dhe Franca. 

 Po kështu, nuk mund të merret e mirëqenë se çdo sipërmarrje apo çrregullim në tregje mund të marrë si zgjidhje ndihmën shtetërore. Nevojitet një analizë e detajuar për të përcaktuar nëse me të vërtetë ndihma shtetërore është e nevojshme, si dhe a është përzgjedhur përfituesi i duhur. Edhe në rastet e një çrregullimi të mundshëm të tregjeve, fakti nëse ndihma shtetërore ka qenë zgjidhja optimale, varet nga disa faktorë. Një prej tyre është mundësia e aplikimit të politikave fiskale apo elementëve të tjerë rregullatorë të cilët mund të rezultojnë më kosto-efektivë. Një tjetër faktor mund të konsiderohet edhe përcaktimi i sasisë apo vlerës së akorduar si ndihmë, pasi duhet të ekzistojnë disa limite në varësi të rrethanave të ndryshme në mënyrë që mes përfituesit dhe konkurentëve të mos krijohen hendeqe të konsiderueshme. Për këtë arsye, kontrolli ndaj ndihmave shtetërore është tepër i nevojshëm pasi në këto raste një ndihmë mund të ndikojë edhe negativisht për qëllimin fillestar.

Mekanizmi i ndihmës shtetërore në Shqipëri
Në një vështrim paralel, mekanizmi i ndihmës shtetërore nuk është shumë i zhvilluar në Shqipëri, por tabloja ka ndryshuar së tepërmi gjatë viteve të fundit për shkak të reformave ekonomike që Shqipëria po ndërmerr në procesin e antarësimit në BE. Detyrimet e Republikës së Shqipërisë në fushën e ndihmës shtetërore rregullohen nga Nenet 70 dhe 71 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Këto nene parashikojnë domosdoshmërinë e përafrimit të legjislacionit vendas me acquis e Bashkimit Evropian, si dhe ngritjen e strukturave të pavarura funksionale, të ngarkuara me kontrollin e skemave financiare të ndihmës shtetërore dhe ndihmave individuale që zbatohen në Shqipëri, me kompetencat e mjaftueshme ligjore mbi parandalimin dhe kthimin e ndihmave shtetërore të paligjshme. Hapat e parë drejt përafrimit të legjislacionit Shqiptar me atë Europian në këtë fushë, shënohen në vitin 2003 fillimisht, me ngritjen e organit të Autoritetit të Konkurencës dhe më tej me miratimin e Ligjit Nr. 9374, datë 21.4.2005, për “Ndihmën Shtetërore”, i ndryshuar me Ligjin nr. 10 183, datë 29.10.2009. Po kështu, në kudër të fondeve “IPA 2008”, në vitin 2010, Autoriteti i Konkurencës dhe Departamenti i Ndihmës Shtetërore, kanë përfituar një projekt binjakëzimi 22 mujor për të rritur dhe forcuar kapacitetet administrative në fushën e ndihmës shtetërore, si dhe për tu njohur më konkretisht me mënyrën se si funksionon ajo.

 Strukturat përgjegjëse për monitorimin e skemave ekzistuese të ndihmës shtetërore, si dhe zbatimin e të gjitha procedurave të legjislacionit për analizën dhe vlerësimin e planeve të reja për ndihmën shtetërore në Shqipëri janë: Komisioni i Ndihmës Shtetërore, si strukturë vendimmarrëse dhe Drejtoria si strukturë tekniko-organizative në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (Sektori i Ndihmës Shtetërore). Në vendin tonë, vërehet se për vitet 2012 – 2013 – 2014, fondet e shpenzuara për këtë sektor kanë qenë përkatësisht 1.59% dhe 1.45% të PBB. Struktura e shpërndarjes të instrumenteve të ndihmës shtetërore për vitin 2014 është ndarë në dy forma dhe konkretisht rreth 1.861,38 lekë në formën e subvencioneve dhe granteve dhe 3.470,92 lekë në formën e përjashtimeve nga taksat, shtyrja e tyre, apo zbritje në kontributet për sigurimet sociale. Edhe pse sipas përcaktimit të Ligjit, ndihmat shtetërore duhet të aplikohen vetëm për veprimtaritë që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të sektorëve të bujqësisë e të peshkimit, në raportet drejtuar Komisionit Europian vërehet aplikimi i këtyre ndihmave edhe në këto sektorë. Megjithatë kjo çështje ende nuk ka vëmendjen, peshën dhe impaktin e duhur në shoqëri, pasi ka një mungesë të theksuar informacioni lidhur me veprimtaritë dhe ecurinë e kësaj fushe për sa i përket hartimit, shpërndarjes dhe zbatimit të skemave të ndihmës shtetërore.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 02.12.2015
Sigal