Arian Fetishaj: Tirana “bërthama” e notit shqiptar, FSHN-ja mbështetëse serioze

1743
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Trajneri i skuadrës bardheblu në sportet e ujit, “rrëfehet” për arritjet 9-mujore të vitit 2017, dukuritë pozitive dhe mangësitë
Si i përshkruani 9 muajt e vitit 2017, në këndvështrimin e trajnerit të notit të Tiranës?
E quaj një vit që nisi mbarë në pjesëmarrjen e të gjithë notarëve të Tiranës, në të gjitha aktivitetet kombëtare të organizuara nga FSHN-ja, dhe ato ndërkombëtare të organizuara nga vetë klubi. Them se ka qenë një sezon me 4 yje, për faktin se në përbërjen e kësaj skuadre vazhdon të ketë titullarë në shumë disiplina të notit, kampionë në gara individuale, por edhe në grup, si stafetat. 

Cilët janë notarët tuaj që kanë bërë diferencën në këtë periudhë?
Dua të përmend disa emra për meshkuj, si Binald Mahmuti, Keis Fetishaj, Endri Lumi, Stiven Xhufi, Even Qarri, Bjorn Hoxha, Laert Selimi e shumë notarë të tjerë të perspektivës, ku nga dita në ditë ata rritën si notarë cilësorë dhe të talentuar në gjirin e kësaj skuadre. Për femra, Nikol Merizaj, Alesia Neziri, Julja Duda, Meri Xhufi, Jona Mahmuti, Juga Selimi e vajza të tjera të grupmoshave më të vogla, ku po japin rezultatet e tyre pozitive, duke ndjekur si model më të rriturit, jo vetëm të skuadrës sonë, por edhe të skuadrave të tjera. 

Keni notarë cilësorë, por keni edhe largime nga Tirana, pse ka ndodhur kështu në këtë sezon?
Këtë vit kemi pasur dhe largime nga skuadra, për arsye studimesh jashtë shtetit, por edhe brenda vendit në skuadra të tjera. Më e rëndësishme është se, disa largime nga skuadra e Tiranës po vazhdojnë të tregojnë që shkolla e notit e Tiranës, me punën e bërë ndër vite, po konkurrojnë denjësisht me skuadrat e tjera. Tirana ka edhe përfaqësues në Kombëtare, dhe kjo nuk e bën më të dobët këtë skuadër, pasi në gjirin e saj vazhdon të kemi talente dhe kampionë, ku do tregojnë me punën e tyre rezultatet ndër vite.

Në analizën e punës suaj, çfarë veçoni tjetër si anë pozitive në punën tuaj? 
Sigurisht që mbas çdo sezoni veror bëhet një analizë pune dhe mbështetjeje, si në faktorët e jashtëm, ashtu edhe në ata të brendshëm të kësaj skuadre. Pozitive për këtë vit është se, jemi mbështetur edhe financiarisht nga klubi :Tirana”, me përfaqësuesin e tij Piro Koleka, drejtor i këtij klubi, ndërkohë që duhet të kujtoj se kjo skuadër nuk e ka pasur këtë mbështetje prej vitesh.

Ju mendoni se rezultatet që kanë arritur notarët e Tiranës, nuk janë në pritshmëritë tuaja si trajner?
Jo, mendoj që ky vit ka pasur progres në rritjen cilësore të sportistëve te Tirana, por çdo gjë ka kohën e vet. Jo gjithçka bëhet sot për nesër pra dhe rezultatet preferojmë ti marrim në mënyrë graduale, në hark kohor dhe në distancë, gjë që e bën sportistin të ketë mundësi që të mos lerë pas dore shkollën, por edhe aktivitetet sportive.

Çfarë ka mbetur pa u mbyllur për skuadrën tuaj në këtë vit kalendarik?
Për këtë vit mendoj të kemi dhe një aktivitet ndërkombëtar si skuadër, ku duhet të marrim maksimumin në rezultate, si fryt i një pune të një sezoni. Duhet të kuptojmë se, këtë vit një punë e mirë është bërë jo vetëm nga skuadrat e Tiranës, ku është edhe bërthama e notit shqiptar, por edhe nga rrethet e tjera, ku vlen të përmendet Teuta, e më pas Butrinti.
Shkolla e notit e Tiranës vazhdon të qëndrojë besnike parimit në masivitetin e këtij sporti, sepse vetëm me masivitët rrisim konkurrencën, cilësinë dhe rezultatet . Kjo na bën më të sigurt në të ardhmen e kësaj skuadre, në përfaqësimet kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë sport
Duhet vlerësim financiar, por duhet edhe infrastrukturë e mirë
“Aktivitetet e zhvilluara gjatë këtyre 9 muajve (kombëtare dhe ndërkombëtare), si nga FSHN-ja dhe nga klubet, ka qenë të ngjeshur, por edhe i kemi realizuar me sukses. Me pak fjalë, le të themi se, sporti i notit në Shqipëri duhet vlerësuar më shumë në aspektin financiar, por edhe atë infrastrukturor. Tashmë shumë prindër e vlerësojnë këtë sport duke i bashkangjitur fëmijët e tyre në të gjitha skuadrat e notit që veprojnë aktualisht në Shqipëri. Ky fakt, ne si trajnerë na imponon më shumë ponë në vazhdimësi, për t’ju gjetur pranë atyre që e dashurojnë këtë sport. Në aspektin profesional, jap notat maksimale për KOKSH-in dhe FSHN-në, për kurset e trajnimeve të bëra si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, gjë që i bën trajnerët dhe instruktorët më profesionalë në punën e tyre”.
Sigal