Ku është Banka gjenetike, pse po zhduken kultivarët me vlera?

1141
Bardhyl BERBERI
Bashkë me rënien e Murit të Berlinit, edhe shqiptarët dhe njerëzit dhe veçanërisht specialistët filluan të shtegtojnë anë e kënd botës, për t`u ballafaquar me mendimin bashkëkohor të botës . Një specialist korçar I. Mehmeti, studiues i llojeve të elbit për birrë, i rastisi atëherë që të shkonte në Berlin pikërisht për të parë se me ç’lloj elbi bëjnë të mundur gjermanët që të prodhojnë malto birrën e famshme gjermane. Bëra të ditur, thotë ai, që në fillim tek specialistët gjermanë, se vija nga Shqipëria nga një vend me dimër të gjatë e verë të shkurtër ashtu siç është Korça, por me tradita në prodhimin e birrës që prej vitit 1928, me fabrikën e saj dhe kërkoja një lloj elbi me cikël të shkurtër vegjetativ, që të kultivohej me leverdi në kushtet klimatike-tokësore të vendit tim. Po ç’të them, thotë ai, u trondita kur mora vesh se farën e elbit që kishin përmirësuar gjermanët dhe kishin prodhuar birrën e famshme e kishin marrë dikur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në Malësinë e Korçës? Nuk mund ta besoja deri sa e pashë në Bankën e tyre Gjenetike ku ruhej fara, kartelën e certifikimit ku shkruhej: “Farë elbi nga Albania, Cikli vegjetativ 90 ditë”. Tani nga ana e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë, bëhet një punë e mirëfilltë shkencore dhe agronomi Demir Arrëza thotë se, jo vetëm në ngastrat eksperimentale, por edhe në prodhim të gjerë, kemi kultivarë elbi pranveror për birrë që mbillen në mars dhe korren në fund të qershorit, pra me cikël vegjetativ 100-110 ditë, të përshtatshëm për kushtet klimatike-tokësore të zonave kontinentale, siç është edhe Korça, të cilët shërbejnë si lëndë e parë për prodhimin e birrës. Por pas rënies së komunizmit , bashkë me antivlerat, gabimisht po u vihej kazma dhe po groposeshin edhe vlerat. Rrallë kush nga ata që ishin sadopak të vetëdijshëm, nuk mund të mos kujtojnë me keqardhje vreshtat, ullishtat, pemëtoret e ish-kooperativave famëkeqe që u prenë e u shkulën, siç mund të kujtojnë edhe drurët frutorë të arrave, të cilëve iu vu sharra dhe u shitën për rimeso ose dru zjarri. Të tjerrë drurë frutorë mbetën të braktisur në zonat malore nga ku emigracioni e migracioni i popullsisë nuk mund të ishte pa pasoja për ekosistemin dhe ato u kthyen në origjinë, pra në gjendjen e tyre të egër. Përballë këtij fakti apo “rrëmuje dhe rrëmeti” siç thoshte poeti, pati edhe “Don Kishotë” që kërkonin që ato vlera shkencore që ishin trashëguar ose krijuar me aq mund në ato “vite socialiste”, duhet t’i ruanin, për faktin se ishin vërtet vlera me dobi për ekonominë e vendit. Por në disa raste këta zyrtarë mediokër i vunë kazmën gjithçkaje të mirë të arritur në ato vite. Por në të kundërt pati specialistë si agronomi Ali Laho nga Starja e Kolonjës, që më vonë u bë edhe Kryetar i Bashkisë së qytetit të Ersekës. Aliu si një gjurmues thesaresh, që e dinte seç kërkonte, mblodhi specie dhe kultivarë rrushi e dru frutorësh e me materialin gjenetik të tyre krijoi një fidanishte, diku pranë qytetit të Ersekës e më pas farëra e fidanë që i kaloi pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë, ku vijon puna shkencore për shtimin shumimin e tyre për prodhim të gjerë.

Pse e meritojnë ato të përhapen e të nxiten financiarisht për kultivim nga skemat mbështetëse që përfitojnë fermerët që aplikojnë pranë Drejtorive Rajonale të Bujqësisë? Aliu thotë, se mollë të tilla, si ato që kultivoheshin dikur p.sh. në zonën e Shqerisë, Leskovik e thirreshin me emra të tillë; “Orizia”, “Guria”, “Aivani”, “Nusja” etj, ishin jo vetëm të përshtatura në mikroklimën e zonës, por edhe aq rezistente ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve . Pa trajtime kimike intensive dhe prodhimi i tyre ka cilësi organoleptike bio. Kështu edhe dardhat “Gorarja” dhe elbërorja e Gorës, “Bozdongallja” e Mokrës, arra “Xhevairja” e Vithkuqit që thyhet me gishtat e dorës, molla e kuqe “Korça” që sfidon, jo vetëm të ftohtin, por ruhet pa frigorifer deri në qershor etj. Siç janë të rrallë edhe mbi 50 varietete rrushi të kultivuar në shekuj në zonën e Leskovikut, ku mund të përmend “Kryqëzin” e “Serinin e zi” për qëndrueshmërinë e lartë ndaj sëmundjeve të rrushit si hiri, vrugu etj, apo varietetin “Mellani”, i cili përdorej si pigment në ngjyrimin e verërave të famshme të Leskovikut etj. Tani pas regjistrimit të popullsisë në zonën e Leskovikut nuk gjen as dy veta për km katror dhe shumë prej këtyre “margaritarëve” të natyrës që i kishin kultivuar brez pas brezi e na kanë lënë trashëgim “Miçurinët” tanë , janë në rrezik të zhduken. Siç janë në rrezik edhe drurë e bimë të veçanta në pyjet tanë, si Vadhëza e Egër, që imagjino e gjen në mes të dëborës pa gjethe, por të ngarkuar plot kokrra, siç gjen edhe Gjembin e Ujkut me atë gjelbërim intensiv që sfidon edhe temperaturat më të ulëta e do të ishte një nga drurët e rrallë dekorative me gjelbërimin gjithëvjetor, në parqet tona publike, ashtu si dhjetëra shkurre të gjelbra në të katër stinët e vitit që gjenden në lartësinë 1500 m mbi nivelin e detit, mbi Starje, në pyjet e Kozelit, Qafa e Kazanit, Gjonç, Gërmenj bashkë me bimë të rralla në kullota alpine siç janë p.sh. dy Zambakë shqiptarë (Lilium albanicum), të njohur edhe në Florën Botërore etj. 

Përcaktues për këta kultivarë të rrallë, nuk është vetëm qëndrueshmëria e tyre në zona me toka të varfra, rezerva uji të pakta e krahë pune të paktë, por edhe kostoja e ulët e prodhimit për arsye të trajtimeve kimike e shërbimeve të diferencuara, (ose mostrajtimeve kimike), siç mund të themi gjë që e bën këtë prodhim të realizohet mbi bazën e disa principeve dhe rregullave, ku mbështetet sot bujqësia biologjike. Sepse siç dihet bujqësia biologjike, nuk përdor prodhime kimike të sintezës, si plehrat kimike për plehërimin e bimës apo pesticidet e sintezës për luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve të bimëve. Plehërimi bëhet vetëm me plehra organike. Dishepujt e bujqësisë organike, vlerësojnë se nuk duhet ndihmuar bima, por mikroorganizmat e gjalla të tokës, të cilat përpunojnë dhe furnizojnë bimën me të gjithë elementët ushqyes që ajo ka nevojë. Më shumë se kushtet e mirëfillta të kësaj bujqësie, fermerëve tanë të zonave kodrinore- malore, ua dikton atë ngadalësimi i kursit të intensifikimit të prodhimit për arsyet që përmenda më lart, por prodhimi i tyre është bio dhe me kërkesat që ka tregu sot, mund të përmbushë jo vetëm kërkesat e konsumatorëve, por edhe objektivat ekonomike të prodhuesve dhe respektimin e mjedisit. Por fjalën e kemi te Banka Gjenetike, a kemi ne një të tillë dhe çfarë bën ajo? 

Banka Gjenetike është instituticion i mirëfilltë shkencor me rëndësi kombëtare, e cila grumbullon dhe ruan fondin gjenetik bimor të vendit. Ajo është krijuar me ligjin Nr. 8732 datë 24.01.2001 “Për materialin mbjellës bimor” të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe ka për funksion e detyrë të organizojë grumbullimin dhe koleksionimin e germoplazmës bimore të vendit. Merr në ruajtje germoplazmën e “koleksionit bazë”, “koleksionit aktiv” dhe në disa raste dhe të “koleksionit të punës” të instituticioneve kërkimore shkencore. Studion, karakterizon dhe vlerëson materialin e koleksionuar për treguesit morfologjikë, gjenetikë, biologjikë, kimikë dhe agrokimikë të bashkëpunimit me instituticionet kërkimore të vendit. Shumëzon dhe ripërtëri materialin bimor në rast nevoje. Organizon shkëmbim të materialit bimor dhe informacionit me instituticione të tjera analoge brenda dhe jashtë vendit, harton dhe koordinon projekte apo merr pjesë në programe të përbashkëta pune në nivel rajonal, për problemet e ruajtjes së resurseve gjenetike bimore. Banka Gjenetike ka vepruar si sektor pranë ESHFF (Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidanave) Tiranë, deri në vitin 2007. Qysh nga ai vit ka kaluar në vartësi të Universitetit Bujqësor në Kamëz Tiranë. Për krijimin dhe veprimtarinë e Bankës Gjenetike kanë dhënë ndihmesën e tyre specialistët si Merita Spahillari, Valbona Hobdari, Teuta Topi, Aida Shehu, Adriatik Çakalli dhe ndonjë tjetër . Pranë Bankës Gjenetike vepron Këshilli Koordinativ për resurset gjenetike, anëtarët e të cilit nuk është me vend që të miratohen ashtu si deri tani nga Ministri i Bujqësisë.
Sigal