Rrogat e shqiptarëve blejnë sot më pak ushqime! Çmimet rriten 5 herë me shpejt se në BE

Rënia e fortë e euros këtë verë do të duhej të ndihmonte në uljen e çmimeve të produkteve të importuara, por siç tregojnë të dhënat e Eurostat çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% në korrik 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë ose pesë herë më shumë se në Bashkimin Europian ku shtrenjtimi ishte vetëm 0.6%.

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se presionet mbi çmimet e ushqimeve po lëvizin në kahe të kundërta. Në Shqipëri, norma vjetore u përshpejtua nga 2.9% në qershor në 3.2% në korrik, ndërsa në BE u ngadalësua nga 1% në qershor në 0.6 % në Korrik.

Sigal

Nga renditja e Eurostat-it rezulton se Shqipëria ishte e pesta me normën më të lartë të inflacionit të ushqimeve mes 36 vendeve europiane. Norma më të larta u regjistruan vetëm në Turqi, me 37.6%, Rumani, me 4.6%, Qipro, me 4.5%, dhe Islandë, me 4.4%.

Ushqimet dhanë gati një të tretën e inflacionit

Inflacioni i përgjithshëm i harmonizuar në Shqipëri arriti në 3.4% në korrik, nga 3.2% në qershor. Ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë kontributin më të madh, me 1.09 pikë përqindje, ose gati një të tretën e rritjes së përgjithshme të çmimeve.