Hysni MULLALLI/ “Bordistët e SHKURSH-it nga viti 2009, po konsumohen brenda ‘bunkerit’ të tyre”

410

Shkrimin tuaj e lexova me kureshtje. Një reagim ndryshe unë e prisja që në vitin 2011.

Çfarë kërkoni ju zoti Mullalli?

E vlerësoj si një ftesë për debat. Mendoj se koha e debatit për bashkëpunimin dhe bashkimin, ka ardhur dhe se ky debat është mirë të bëhet në shoqata e degë dhe jo në media. Që në fillim, sqaroj se nuk kam asgjë me anëtarët e SHKURSH-it. Përgjigja ime është për 3 bordistët dhe për askënd tjetër.

Pyetjes tuaj publike, përmbledhtas i përgjigjem:

Kërkoj të vendosni “paqe” në shpirtin tuaj e midis ushtarakëve, të bashkëpunoni e realizoni bashkimin, se shoqata nuk është prona juaj private, t’i jepni fund përçarjes dhe qëndrimit në “bunkerin tuaj” të ndarjes ku po konsumoheni çdo ditë, të ribashkohemi në një shoqatë, me profil kombëtar dhe të ndarë nga partitë. Kërkoj, atë që kërkojnë ushtarakët. Atë që ka kërkuar në vitin 2011 dhe në datën 04.08.2012, Dega e Bashkuar e Laprakës. Atë që ju ka kërkuar zoti z.Kroj në vitin 2011. Këto kërkon dhe statuti juaj. Duke më veçuar me keqdashje, më keni bërë nder.

Ju shkruani, se kam marrë përsipër t’u jap këshilla, rekomandime, ide apo detyra.

Unë kam dhënë 10 mendime modeste, për hapat që duhen hedhur dhe variantet që duhen provuar në këto zgjedhje, duke theksuar se është e drejta juaj, t’i merrni në konsideratë ose jo. Dhënia e mendimeve dhe alternativave për zgjidhjen e problemeve nuk është monopoli juaj. Ju duke hedhur vallen treshe, të mbarsur nga mllefi dhe inati  dyvjeçar, tentoni të më kryqëzoni e mbyllni gojën, duke u kacavjerrë pas mendimeve të mija dhe duke i shtrembëruar e keqinterpretuar ato. Në përballje me mendimet e mija, do të kishte vlerë të shpalosnit idetë dhe alternativat tuaja të zgjidhjes. Por ju nuk keni ide dhe alternativa zgjidhje. Ato, kanë shteruar ose janë ngrirë, brenda bunkerit tuaj.

Ju theksoni, se s’jam takuar me ju, jam i pa ndalur në shtyp dhe dua përgjigje.

Shkrimet nuk do t’i ndal. Jam takuar e do të takohem me drejtues, të zgjedhur dhe kolegë që pranojnë të diskutojnë pa komplekse për bashkimin dhe bashkëpunimin. Ju keni 2 vjet që premtoni, por nuk pranoni të takoheni me askënd, se keni frikë. Ju po të ishit burra e korrektë, në vitin 2011, duhet të përgjigjeshit publikisht për platformën e bashkëpunimit dhe bashkimit, të firmosur e mbrojtur para jush nga Presidenti i nderit z. Kroj. Këtë ta bënit për të sqaruar anëtarësinë tuaj dhe jo mua, si një prej nismëtarëve të saj.

Mendoni, se nuk jam shqetësuar, jam indiferent dhe i pa interesuar ndaj problemeve të shoqatave. Prezenca ime në media me plot 18 artikuj (në 2 vjet), tregon të kundërtën. Reagimi juaj, duke tentuar që miellin e artikujve të mi ta përzieni me krunde, tregon se paskam qëlluar në shenjë. Më mirë të shkruaj, se të bëhem pjesë e apatisë e përgjumjes tuaj, që dilni nga bunkeri pa alternativa zgjidhjeje, njëherë në vit dhe kur merrni urdhër.

Nënvizoni, se nuk e njoh realitetin dhe kam mungesë informacioni.

Kjo teori është absurde. Ata që dinë shkrim e këndim, lexojnë shtypin dhe hynë në internet, munden të marrin informacion të plotë për ecurinë e shoqatave, deri tek sherret, të sharat, fyerjet tuaja etj.. Ne, nuk dimë vetëm, të fshehtat e vërteta të mos bashkimit, që janë monopol i disa bordistëve të preferuar si ju, që jeni të “pavdekshëm” dhe që vegjetoni prej vitesh, duke shkelur çdo afat e mandat zgjedhor, të përcaktuar në statutin tuaj.

Ju vjen keq për “paditurinë” time dhe me “njohuritë tuaja universale” merrni rolin e “mësuesve të mi”. Më “sqaroni” dhe pa dashje thoni disa të vërteta

Më tregoni datën e krijimit të SHKURSH-it dhe mburreni duke më thënë se, unë në atë kohë isha rrogëtar, që nuk më binte ndërmend për kolegët e liruar. Të gjithë nga FA, ikëm kur na doli emri, me detyrim dhe jo më dëshirë. Ky koncept është i dëmshëm dhe frenues, se ju i jepni të drejtë vetes, që ushtarakëve që lirohen dora-dorës, kur nuk do t’u vijnë pas oreksit, me mburrje t’u thoni: “Mos flisni. Ku ishit ju, kur në bëmë namin.”

Më tregoni, arritjet dhe përpjekjet e SHKURSH nga themelimi, deri në vitin 2009 dhe mirë bëni sepse këto janë vlerat e vërteta të SHKURSH.

Por cila është arsyeja që ora juaj ka ndalur në vitin 2009?! (sipas meje që në  2007) Unë dhe kolegët e mi “të paditur” duam të dimë: Pse ju sot në vitin 2012, akoma mburreni vetëm me arritjet e para vitit 2009?

Kjo ndodh sepse statistikat e arritjeve pas vitit 2009 i keni bosh, apo keni ndonjë arritje pa peshë. Kjo tregon se ju ka ikur situata nga duart dhe bëni fajtorë ata drejtues që u larguan nga ju dhe krijuan në shtator të vitit 2009 AKU. Pas vitit 2009, asnjë arritje të vogël, nuk mund ta personalizoni, sepse ato janë fryt i përpjekjeve të gjithë shoqatave. Ju rikujtoj, se vjet, pa u tharë boja e platformës të bashkimit, po ju deklaruat në shtyp me mburrje se: Ushtarakët janë të bashkuar. SHKURSH-i në skenën e historisë e thirrën  padrejtësitë e braktisja që u bëri ushtarakëve, shteti dhe AKU e thirri në skenën e historisë egoizmi, karrierizmi, për të mos thënë që mund të ketë pasur edhe ndonjë shtysë politike etj.. Gafat janë pjesë e punës tuaj. Kur u krijua SHKURSH-i, nuk ka patur AKU dhe anëtarët e saj ishin me ju. Pra, arritjet deri në 2009-n janë dhe meritë e tyre. Një pjesë e mirë e atyre që u larguan ishin drejtues kryesorë, më aktivet, ishin në krye të protestave dhe mbështetësit kryesorë të zotit Zyhdi. A jini të besueshëm kur arritjet ja vishni vetes dhe mangësitë i faturoni drejt kolegëve të larguar, në AKU. Analiza reale e kësaj situate të krijuar është: SHKURSH kishte arritje kur ushtarakët ishin të bashkuar dhe i drejtonte z.Zyhdi. Nga momenti i ndarjes dhe përçarjes, punët janë përkeqësuar, ka mangësi dhe dështime që ju nuk i zini me gojë. Ky fakt domethënës, dikton ribashkimin e ushtarakëve. Ju që vdisni për pak epokë historie, jeni verbuar nga koha e gjatë (tej limiteve statutore) e qëndrimit në bunkerin tuaj të veçuar dhe nuk shikoni realitetin e dhimbshëm të ushtarakëve, që ndoshta është më i keq se në vitin 1996. Bëhuni burra, dilni mbi interesat personale dhe jepni kontributin tuaj për ribashkimin e ushtarakëve, si në vitin 1996.

Këto që them unë, i pohoni vetë kur deklaroni se: “Deri në vitin 2009, SHKURSH  ka funksionuar shumë normalisht dhe ka qenë unike në ballë të problemeve që kishte dhe ka shtresa e ushtarakëve”. Më poshtë, shkruani se: “Përsa i përket bashkimit ai nuk mund të bëhet mekanik dhe me vullnetin  apo rekomandimet e njerëzve që janë jashtë strukturave dhe anëtarësisë të shoqatave në fjalë. Në kushtet kur çdo shoqatë ka të njëjtin mision, bashkimi për ne është ai që u bë në prill të vitit 1996.” Mos vallë dhe z. Zyhdi dhe Dega e Laprakës që duan bashkimin, janë jashtë strukturave dhe shoqatës tuaj!? Ky deklarim tregon që ju nuk jeni për bashkim e bashkëpunim dhe nuk pranoni mendime dhe bisedime për to. Kjo është shumë e rëndë. Anëtarësia juaj nuk paska vlerë e të drejtë vendim marrje për bashkimin. Këtë atribut e paskeni vetëm ju “3 bordistët e talentuar” të SHKURSH. Pra, paskam patur të drejtë që jam marrë e merrem me ju, sepse ju jeni bllokuesit e vërtetë dhe të vetëm të bashkimit. Shpresoj që ju të tre, të jeni në minorancë brenda SHKURSH dhe vetë bordit ekzekutiv. Bashkëpunimin dhe bashkimin, ju mund t’i shtyni në kohë, por nuk i bllokoni dot kurrë. Tani që ju pranuat, përgjegjësinë e mos bashkimit, është momenti t’i kërkoj ndjesë AKU, që ka qenë gati për bisedime, bashkëpunim dhe bashkim dhe unë padrejtësisht, i kam ngarkuar me përgjegjësi njëlloj si ju. Këtë e kam bërë vetëm që kanali i bashkëpunimit e bashkimit të ngelej i hapur dhe mos të merrja mbi vete etiketën e njëanshmërisë. Mendoj se, në këto momente AKU duhet të vazhdojë të punojë për bashkimin dhe ushtarakët të kërkojnë bashkimin në organizatat e tyre, sipas modelit të Laprakës. Tre bordistët, na folën hapur që nuk e duan bashkimin, por themelore është që bashkimin e do anëtarësia e SHKURSH-it.

Më poshtë, më rikujtoni se, SHKURSH ka karakter kombëtar, ka për mision të mbajë të bashkuar ushtarakët, të ruajë traditën patriotike, vlerat e LANÇ-it dhe FA-së etj.. Por pse nuk na thoni “ne të paditurve” si i zbatoni ju këto kërkesa të statutit tuaj? Sa herë keni dalë me ndonjë rezolutë apo deklaratë, në mbrojtje të çështjes kombëtare, si për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë, për regjistrimin e popullsisë etj.. Asnjëherë! Statuti kërkon të mbani të bashkuar ushtarakët dhe të mbroni interesat e tyre. Ju i keni ndarë, i mbani të përçarë dhe deklaroni se nuk doni t’i ribashkoni, madje as të bisedoni. Statuti kërkon të ruani traditën patriotike, vlerat e LANÇ-it dhe FA-së. Ku janë takimet e ushtarakëve veteranë në reparte, ku janë aktivitetet për përvjetorët e krijimit të formacioneve partizane, për festat kombëtare, të Ushtrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm. Sa të pranishëm jeni ju sot, në njësitë dhe repartet ushtarake, në aktivitete të ndryshme, në grupe pune për hartimin e ligjeve etj.. Pa modesti, ju them se kur unë isha rrogëtar, dyert e njësive, ku unë drejtoja ishin të hapura dhe kolegët e liruar ishin pjesë e jona, ishin prezent në çdo aktivitet dhe ju jepej e mbështetja logjistike që kërkonin.

Statutin dhe misionin tuaj mos na i rikujtoni për efekt mediatik, por jepni llogari pse këtë statut e keni shkelur me të dy këmbët. Pa ju hyrë në hak, theksoj dhe arritjen tuaj të fundit: Pas 2 vjet investigimesh, si “zbulues të talentuar”, më në fund zbuluat “punën time sabotuese” në dëm të SHKURSH-it dhe shoqatave të ushtarakëve, por akoma nuk keni zbuluar kush fshihet pas meje. Këtë do ta mësoni në ditët në vijim, po në këtë gazetë.