Luan SHMILLI/ Ndryshon prerja e Euros, arsyeja, falsifikimi në masë

873
Sigal

Nga 2002 gjer më sot janë gjetur 5.5 milionë kartëmonedha false. Monedhat e reja do të paraqiten në nëntor

Nuk ka fund dhimbja që po shkakton Euro. Nuk mjaftojnë përplasjet e shteteve të Veriut të Europës, me ato të jugut; as përplasjet e Mario Draghit, president i BQE që dje rideklaroi bindshëm se: “Euro nuk ka kthim pas!” dhe: “do blejmë bond!”, por dhe, Merkel me Bundesbank, nuk lëshon pe, duke vazhduar të thotë, prerë: “Jo!” Një situatë ekuivoke me shpresë ndryshimi dhe kur besohet se kjo mund të vijë me konsensus dhe vullnet gjerman, shpërthen skandali i falsifikimit në masë të konsiderueshme të vetë monedhës Euro. Është një shqetësim i shtuar sëmundjes së madhe, njëlloj sikur mjekët pasi kanë konstatuar qartë se personi në komë ka gjendje të rendë gripale, befas zbulojnë se edhe zemrën e ka të sëmurë, madje false…

Shifrat e sipërtreguara janë pasqyrë e dalë nga vet BQE dhe publikuar në shumë gazeta të Europës. Monedha e re, e cila ka pak më shumë se dhjetë vjet jetë, nuk i ka shpëtuar interesit të gjejë njerëz mjeshtër që ta kopjojnë pothuaj në mënyrë perfekte. Dhe të varfrit e jugut, ata që në mungesë të punës, prodhimit, industrializimit, qeverisjeve  dinjitoze, nuk kanë ngurruar ta kopjojnë dhe madje të përfitojnë shumë prej saj. Napoli, është evidentuar tashmë që është kampion me falsifikimin, ku nuk kanë munguar të kapen edhe fabrika prodhimi në disa zona. Specialistët kanë bërë me kohë vërejtje për estetikën e monedhave dhe pamundësinë e menjëhershme të dallimit të elementit garantues. Dhe kjo ka bërë që formati i Euro-s të ndryshohet. Bocetat e kartëmonedhave të reja, që do stampohen, seleksionuar në francoforte nga një komision i brendshëm i BQE, ruhen nën sekretin më të madh. Por diçka ka “rrjedhur” duke filluar me dizenjon dhe gazetarët të parët kanë mësuar se monedhat e reja që do stampohen janë zgjedhur, e çuditshme, që në vitin 2004. E sigurt është që, kartëmonedhave të reja do tu shtohet siguri dhe dizenjo, Zeusi pellazgjik, që grabiti princeshën fenikase Europë duke u transformuar në një dem të bardhë të fuqishëm, barngrënës… Mitologjia tregon se nga emri i princeshës Europë (Zeusi është transformuar disa herë, për t’i shpëtuar dyshimeve të nënës dhe gruas së tij Herës (Erës) dhe me transformim ka bërë grabitjen e madhe… Në të vërtetë Europa ishte vajza e mbretit Tiro Agenore dhe Telefasës. Në disa mozaikë të tjerë, duhet thënë, për këtë grabitje Zeusi ka edhe konfiguracion tjetër, gjer dhe si mëshqerrë. Pavarësisht ndryshimit të mitit më të lashtë krijuar së pari në Dodonën dimërkeqe (disa kilometër larg Janinës, por të tjerë njohin nga mbiemërori “dimërkeq”, malin Tomor, vendosur jo pa qëllim nga Homeri) të cilin grekët e ardhur vonë e përvetësuan, duke ja vendosur Olimpit… Por kjo grabitje dhe ky shumëzim versionesh, nuk i ka penguar 17 vendet e BE-së, të pranojnë me konsensus ikonën pellazgjike të epokës së paganizmit.”Ky është një element, (pellazgjik) që tregon se jo vetëm Greqia të qëndrojë në Euro”, shkruan shtypi i njëanshëm dhe jo plotësisht i qartë me mitin, por dhe sa më shpejtë edhe Shqipëria që ka pjesë të saj të parevokueshme Zeusin në Dodonën dimërkeqe (lexo R.Graves “Miti pellazgjik i Zeusit” që hap edhe librin). E vendosa këtë paragraf, pasi jo vetëm “Le Monde”, e ka trajtuar Mitin, për monedhën e re, por dhe italianet “Il secolo XIX, shkruar nga Patrizia Albanese, por dhe këto ditë “La Repubblica”,(6 shtator 2012) shkruar nga Fabbio Tonaçi. Dhe këtij konfiguracioni do t’i shtohen ngjyra dhe tonalitete me bojë speciale e pakopjueshme…. Harta e Euros do të zgjerohet shpejt me të tjerë anëtarë, ndërsa do t’u duhen kohë zhvillimi dhe emancipimi europian vendeve ende jashtë Europës. Seria e dytë e daljes së Euros do të ketë edhe ndryshim në “kubaturën”e kartëmonedhës, që flitet se do të bëhet me fibra prej pambuku në gjatësi, më e qëndrueshme në përdorim. Ka edhe elementë të tjerë ndryshues, që është vështirë të kopjohen… si kopjohen lehtësisht nga falsifikatorët profesionistë kartëmonedhat aktuale. Kartëmonedha prej 20 eurosh, e stampuar pa asnjë dallim nga realja dhe shpërndarë në gjithë Europën, është stampuar në rrethinat e Giuliano, Napoli dhe për këtë “italianët kanë marrë dhe vlerësimin më të lartë të zotësisë kopjuese”, shkruan shtypi. Por nuk është vetëm “Napoli Group”, në Ballkan ka një fabrikë teknologji e vjetër kineze, që prodhon dhe sidomos në Bullgari, identifikon “La Repubblica”, që prodhojnë sikur të jenë reale kartëmonedhat 200 euro. Shifra prej 5.5 milionë kartëmonedhash false të kapura, është një tregues kokëfortë i industrisë. Por kartëmonedhat e reja do krijojnë probleme edhe me bankomatet, sepse punojnë me sistemin e vjetër dhe duhet ndryshuar para daljes së tyre. Dhe duhet ndryshuar kudo. Kaos mund të krijohet me kartëmonedhat 200 dhe 500 euroshe. Sipas Agjencisë Bloomberg, të parat që do qarkullojnë do të jenë 5 eurot. Vërtetë nuk do të ketë më falsifikim? Ndoshta që tani falsifikatorët, po konsultohen me Mitin, Zeusin pellazgjik që për të rrëmbyer Europën, u falsifikua një dem i bardhë barngrënës!…

Nga Italia për “Telegraf”

 ____________________________________________________________________

INFO

-Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë 2012,janë kapur në Eurozonë 251.000 kartëmonedha të falsifikuara ku 42 për qind përbën monedha 20 euro;

– 34 për qind përbën monedha 50 euro;

– 17 për qind,monedha 100 euro;

– 3.9 për qind 500 euro

– Napoli rezulton qyteti që ka falsifikuar më shumë Euro

– Pothuaj gjysma stampuar kujdesshëm në zonën e Napolit, ndërsa mendohet se pesë herë më shumë është në qarkullim

– 14.2 miliardë kartëmonedha të rregullta janë në qarkullim me vlerë 847 miliardë euro

– Konsulenti i Bank Italia:”Duhet të zëvendësojmë të gjithë bankomatet”

– Elementi i ri i kartëmonedhave të reja: Zeusi pellazgjik në formën e demit duke rrëmbyer fenikasen Europë