Frank Shkreli / RËNDËSIA E VOTËS – 23 QERSHOR, 2013

617
Sigal

Fushata elektorale në Shqipëri po merr fund dhe 23 Qershori shënon ditën kur votuesit shqiptarë do të hedhin votën e tyre për partinë dhe kandidadin që ata preferojnë.   Ky shkrim nuk ka për qëllim rekomandimin për mbështetjen e ndonjë partie ose një tjetre, ose të ndonjë kandidati të përkrahur nga partitë e ndryshme. Por ka të bëjë me personin më të rëndësishëm tani në fund të kësaj fushate – me votuesin shqiptar -dhe me rëndësinë që vota e tij ka për ‘të personalisht dhe për të gjithë shoqërinë dhe kombin shqiptar.

Çdo zgjedhje është me rëndësi, por zgjedhjet e 23 Qershorit janë të një rëndësie të veçantë, pasi do të vendoset zgjedhja e një Kuvendi të ri dhe rrjedhimisht e një qeverie të re që do vendosë të ardhmen e vendit, të pakën për katër vjetët e ardhshëm dhe mund të lejë pas një trashëgimi – të mirë ose të keqe- për një periudhë edhe më të gjatë për fatet e Shqipërisë dhe për fëmijët dhe familjet shqiptare.

Të demoralizuar nga proceset politike gjatë 20-vjetëve të fundit dhe polarizimet e tanishme politike,  shumë veta mund të  mendojnë se vota e tyre nuk është e rëndësishme, se nuk çon kandar.  Disa mund të mendojnë se të gjithë kandidatët dhe partitë që ata përfaqësojnë janë të njëjtë, se nuk ka kurrfarë dallimi midis tyre, as për nga programi as për nga vizioni që kanë për të ardhmen e vendit.  Mund të thotë dikush se cilido kandidat ose cilado parti të fitojë, asgjë nuk do të ndryshojë. Kjo mund të jetë e vërtetë.   Por ndryshimi fillon nga ti, votuesi shqiptar.  Të votosh për kandidatin që ti mendon se është kandidati më i mirë dhe i cili, si deputet i zonës tënde, do t’u përgjigjet nevojave tua dhe të familjes tënde, duke u bazuar në kualifikimet dhe karakterin e kandidatit, si dhe në programin dhe vizionin e tij ose të saj për zonën që përfaqëson dhe për të mirën e të gjithë Shqipërisë.

Vota e lirë është një privilegj që nuk duhet të lihet pas dore dhe të mos përvidhet, si diçka e parëndësishme.  Shqiptarëve, këtë të drejtë ua kishte mohuar “kulçedra” komuniste për pothuaj 50-vjet.

 Ende, anë e mbanë botës ka vende, ku njerëzit nuk janë të lirë të hedhin votën sipas dëshirës, vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.  Hedhja e votës së lirë është themeli i demokracisë, por fatkeqësisht edhe në vendet me traditë demokratike, pjesëmarrja në votime është tepër e ulët.

Demokracia nuk është një dhuratë, por është diçka që duhet të ruhet dhe të mbrohet, pasi ruajtja e demokracisë, njëkohësisht siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile.  Si e tillë, demokracia ka nevojën tonë, nevojit pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Për më tepër,  pjesëmarrja në votime është kritike për zhvillimin dhe forcimin e sistemit politik demokratik të vendit, por edhe për mirëqenien ose jo ekonomike dhe politike të vet votuesve.   Në qoftë se politikanët e zgjedhur venë re një apati nga ana e zgjedhësve për të marrë pjesë në procesin demokratik, ata do t’u kushtojnë më pak vëmendje nevojave dhe shqetësimeve të votuesve. Politikanët duhet të mbahen përgjegjës për mënyrën se si ata zbatojnë politikën, nëse mbajnë fjalën për zbatimin e premtimeve të dhëna, nëse  zbatojnë rregullat e lojës, duke u bazuar në faktin se si ata u përgjigjen nevojave ekonomike dhe shqetësimeve politike të zgjedhësve.  Në qoftë se nuk merr pjesë në votime, atëherë mos u anko për të bërat dhe të pa bërat e politikanëve, për abuzimet për korrupsionin, për…

Rasti unik për t’i dërguar një mesazh klasës politike, duke përkrahur ata që mund të kenë bërë një punë të mirë gjatë mandatit të tyre dhe duke ndëshkuar ata, që në sytë e elektoratit, nuk meritojnë të jenë në Kuvendin e Shqipërisë  është hedhja e votës në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrja sa më e gjerë e votuesve.   Merre me mend, në qoftë se secili vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje.    Demokracia si sistem do të merrte fund, pasi demokracia është qeverisje nga populli dhe pa pjesëmarrjen e popullit në procesin politik, pra në zgjedhje, nuk ka demokraci.   Mos pjesëmarrja në votime, në vetvete, është një votë kundër demokracisë, dhe në favor të atyre që nuk meritojnë të jenë përfaqësues të denjë të popullit. Ish- presidenti amerikan Xhejms Garfield (1877) ka thënë për përgjegjësitë e votuesit, se:  “Tani më shumë se kurrë populli është përgjegjës për karakterin e anëtarëve të Kongresit.  Në qoftë se ky trup legjislativ është injorant, i korruptuar dhe arrogant, kjo ndodhë sepse vet populli toleron injorancën, arrogancën dhe korrupsionin.”

Votimet, në asnjë vend, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë një proces i lehtë dhe gjithmonë kanë të meta dhe mungesa.  Por votimi është gjëja më me rëndësi tani që ka marrë fund fushata, kanë marrë fund debatet dhe kritikat shpesh të ashpra midis partive dhe kandidatëve.  Kandidatët dhe partitë kanë shpalosur programet e tyre.  Për mirë ose për keq, edhe ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe diplomatët, e kanë thënë gjithashtu fjalën dhe kanë dhënë këshillat e tyre në lidhje me fushatën dhe mirëvajtjen e zgjedhjeve të 23 Qershorit.  Të gjitha debatet, të gjitha sharjet, britmat dhe shpërthimet emocionale në televizion dhe në median e shkruar, midis partive dhe përfaqësuesve të tyre morën fund, për t’i lënë tani radhën votuesit shqiptar ta thotë fjalën e vet duke hedhur votën e tij me ndërgjegjshmëri morale në favor të individëve me karakter dhe moral, si dhe partisë ose partive me programin më të mirë për të çuar Shqipërinë përpara, në të mirën e vendit dhe të kombit shqiptar, për katër vitet e ardhshëm dhe më gjatë. Përgjegjësia, dhe pjesëmarrja e votuesit shqiptar në zgjedhjet, këtë të diel, është tepër e rëndësishme.

*Ish- Drejtor i VOA-s për Euroazinë