Vangjush Saro: Ndihmojini ministrat, janë në pikë të hallit…

192

“Rritja e pagave ndaj kësaj kategorie është gjithaq poshtërim edhe për qytetarët shqiptarë në tërësi, sepse ata vetë gjenden tek thërret kiameti. Veças pensionistët, janë një shtresë ndaj të cilëve edhe pse (me gjasë) janë rritur herë pas here pagesat, prapë mbeten në varfëri totale.”

Sigal


Përpjekja për të rritur pagat e ministrave dhe deputetëve (ai Komisioni i Kuvendit e ka mbaruar punën me ç’duket, bravo) është një lajm që nuk u pëlqen shqiptarëve. Nuk ka sesi t’u pëlqejë. Kjo rritje do të shkojë edhe më tej, në njëqind institucione të tjera që varen po nga shteti dhe ku gjithashtu të punësuarit e përkëdhelur marrin paga shumë të larta, ndërkohë që ato (institucionet e panumërta) gjenden gafil në të gjitha ngjarjet, që ndodhin në Shqipëri në çdo sferë të jetës. (Kujtojmë vetëm krimet e shëmtuara, aksidentet e shpeshta, vjedhjet në stil, etj. ngjarje ku shteti dhe institucionet e tij shkojnë të fundit.) Nga ana tjetër, lajmin e bën edhe më komik… ngritja e pagave të punonjësve; kurse në fakt, diferencat janë dhe mbeten fyese.

Por le t’i marrim gjërat me radhë. Është folur për një Kuvend me më pak deputetë, ndërkohë që të gjithë ankohen se vendi po braktiset. Ja si shprehet diku vetë Kryeministri: “Druaj po ashtu, se të rinjtë më të mirë e më të shkëlqyer që kemi do të vazhdojnë të largohen drejt universiteteve më të mira të BE-së, sepse universitetet tona do të vazhdojnë të lihen jashtë sistemit të Arsimit të Lartë të BE-së.” Kjo ha diskutim, se nuk po ikin vetëm të rinjtë dhe nuk e ka fajin Arsimi i Lartë. Por që të kthehemi te Kuvendi, një numër kaq i lartë deputetësh (140, të na rrojnë!) është një luks ose më mirë njëlloj marrëzie për një vend të vogël, që fundja po katandis në 2 milionë banorë. Mirëpo ata e kanë mendjen me ua rrit rrogat gjithë llafazanëve e parazitëve që u duket sikur merren me politikë, por rëndom shohin me përparësi veten e tyre, familjen, fisin, ja nga pak edhe klanin e partinë. Ky është realiteti.

Rritja e pagave ndaj kësaj kategorie, që nuk mund të cilësohet si e suksesshme, përkundrazi i ka shkaktuar gjithnjë probleme vendit, ndërkohë që nga ‘radhët’ e saj kanë dalë pareshtur hajdutë, është një poshtërim për votuesit shqiptarë, gjithnjë të zhgënjyer. Rritja e pagave ndaj kësaj kategorie është gjithaq poshtërim edhe për qytetarët shqiptarë në tërësi, sepse ata vetë gjenden tek thërret kiameti. Veças pensionistët, janë një shtresë ndaj të cilëve edhe pse (me gjasë) janë rritur herë pas here pagesat, prapë mbeten në varfëri totale.

Megjithë fjalët e bukura, megjithë ‘sukseset’ e papara (vërtet të papara, nuk duken kund) Shqipëria mbetet një vend i varfër, më i varfëri në rajon. ‘Formula’ e jetesës së shqiptarëve është gjithashtu e varfër dhe shpjegon shumë. Në llogaritjet e Institutit të Statistikave, 41.6% e shpenzimeve të një familjeje në Shqipëri shkon për t’u ushqyer; mandej 10% për banesën, energjinë ujin, 6.9% për mobilim e veshje dhe 6.2% për transport. Kjo shpërndarje e shpenzimeve e tregon më së miri që një pjesë e madhe e qytetarëve gjenden në kufijtë e mbijetesës.

Po t’u besojmë më shumë statistikave sesa Kryeministrit apo ministrave që dashkan me ngrit pagat – dhe s’mund t’u besojmë këtyre të fundit – ? Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon: e tillë konsiderohet pothuaj 25 % e popullsisë, që në statistikën përkatëse jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë. (dhe prapë diçka nuk shkon, se një pjesë e madhe e popullsisë nuk qaset fare as te kjo shifër.) Ani, pas nesh vjen Kosova me 17.6% të popullsisë të varfër, pastaj vjen Maqedonia e Veriut me 16.4% dhe Mali i Zi me 15.6%. Serbia ka një nivel nën 10% të personave, që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Kjo ishte. Atëherë, vërtet nuk merret vesh se ku ua shpie mushka drutë këtyre horrave, që dashkan me shtue rrogat e tyre, edhe ashtu tejet të majme, që të mos themi se ndërkaq ata xhvasin si të munden në njëqind burime të tjera dhe të vetët – fëmijë, gra, fis – i kanë sajuar si jo më mirë (!) Duan të pasurohen edhe më, ndërkohë që vendi ka probleme të rënda e shtresa të caktuara jetojnë pothuaj në mjerim.

Asnjëherë shoqëria shqiptare s’ka qenë kaq e polarizuar në jetesë, por edhe në mendësi gjithashtu… Ja ky është kundërlajmi i ditës, përtej zhurmave e demagogjisë nga të gjitha krahët. Dhe le t’i referohemi sërish Kryeministrit, i cili bën nganjëherë si filozof: “Në fund, druaj se ideja e ndarjes së barrës në një hapësirë të re bashkëpunimi mund të qëllojë të kthehet përsëri në një iluzion të dhimbshëm që s’ishte as kjo gjëja e duhur për ne.”

Bravo, zotëri! E ke gjetur… Fajin na e ka BE-ja, na e ka historia jonë, na e ka opozita, na e ka nuk dikush tjetër, gjithnjë dikush tjetër… Por, ta lemë ironinë, realisht çfarë duam ne? “Kemi nevojë për lirinë që të ndalojmë abuzimet e shtetit dhe kemi nevojë për shtetin që të shmangim abuzimet me lirinë…” (Karl Poper)