VOA: Vëzhguesit ndërkombëtarë kritika qeverisë për shfrytëzim të burimeve shtetërore

111

“Në raportin paraprak të monitorimit, ata theksuan se mbeteshin shqetësuese keqpërdorimi i burimeve shtetërore për fushatë, si dhe pretendimet për blerje votash dhe presione mbi votuesit dhe administratën.”

Sigal

Kuvendi në Tiranë u përfshi  nga polemikat mbi zgjedhjet vendore dhe ekonominë. Opozita akuzoi qeverinë socialiste se bashkëpunoi në fushatë me persona të inkriminuar, të cilët kërcënuan votuesit dhe manipuluan rezultatet në favor të Partisë Socialiste. Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se opozita pësoi një disfatë të thellë, sepse është shkëputur nga qytetarët, të cilët edhe e braktisën atë.

Socialistët dhe demokratët shkëmbyen  replika mbi zgjedhjet vendore në Kuvend, 10 ditë pas fitores së thellë të të majtë, ndonëse gjatë fushatës nuk u zhvillua asnjë ballafaqim mes kandidatëve të tyre për kryebashkiakë. Kryeministri Edi Rama tha se fitorja e thellë e Partisë Socialiste, që ai drejton, tregoi se qytetarët braktisën opozitën, e cila nuk ka më të drejtë të flasë në emër të tyre, derisa mori prej tyre një rezultat aq të ulët në zgjedhjet vendore.

“Nuk ka patur ndonjë përgjigje më spektakolare nga shqiptarët se sa zgjedhjet e 14 majit për të gjithë. Më shumë se sa fitorja jonë, aty është disfata e politikës, që bartet nga gjithë ju të opozitës që vini këtu dhe këndoni dokrrat tuaja”,- tha zoti Rama.
Kryeministri Rama e ndërtoi gjithë fushatën e Partisë Socialiste mbi refuzimin e kandidatëve opozitarë si përfaqësues të ish kryeministrit Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA. Por sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe kryetari i ri i grupit parlamentar të saj, Gazment Bardhi, theksoi që Partia Socialiste e mbështeti gjithë fushatën e vet tek aleati non grata Tom Doshi, i cili drejton PSD dhe në Kuvend është në krah të socialistëve. Në zgjedhjet vendore PSD doli forcë e katërt në shkallë vendi.

“Një këmbë të pushtetit në Durrës ia ka garantuar Vangjush Dako, i damkosur non grata për të cilën Rama nuk flet. Një këmbë tjetër të pushtetit në Shkodër ia ka garantuar Tom Doshi, një tjetër non grata për të cilën Rama nuk flet. Vjen këtu Rama dhe në vend që të japë llogari për masakrën, që bëri më 14 maj, merret me opozitën në 35 nga 36 minuta fjalim”, -tha zoti Bardhi.

Gjatë diskutimeve mbi rritjen e pagave të administratës dhe ligjvënësve, socialistët renditën një seri shifrash mbi përmirësimin e ekonomisë, eksporteve, turizmit, punësimit. Kryeministri Rama tha se qytetarët votuan për kandidatët e Partisë Socialiste, duke konfirmuar mirëqeverisjen e kësaj partie.
“Ekonomia është rritur, ndryshe nga çfarë është thënë këtu dhe ndryshe nga çfarë parashikonin ata që përgatitin pasqyra të tilla. Papunësia është nën nivelet e para pandemisë. Konsumi është rritur”,- tha zoti Rama.

Por, opozita shprehu shqetësimin pse qeveria nuk ka sjellë në 10 vite asnjë projekt ligj për rritje pagash, edhe pse çmimet janë dyfishuar, por e solli pikërisht tani një projekt të pastudiuar me rastin e zgjedhjeve vendore dhe e bëri temë të premtimeve elektorale. Zoti Bardhi kujtoi se Partia Socialiste ka hedhur poshtë në këto 11 vite çdo propozim të opozitës për rritje pagash përballë tregjeve të çekuilibruara.

“Edi Rama ndryshe thotë dhe ndryshe bën. A do të ketë ulje të informalitetit? As mos e prisni një gjë të tillë. Tatimet a do të mbledhin më shumë para? Deri tani nuk ka asnjë përmirësim domethënës, që të mbështesë këtë të, për të mos thënë që mbledhja e të ardhurave është përkeqësuar. A do të ketë më pak kontrabandë në dogana? Larg qoftë që Edi Rama të prekë anijet e kontrabandës së karburanteve së oligarkëve me të cilët ndaj gjithë pasuritë e vendit”, tha zoti Bardhi.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Partia Socialiste fitoi 53 nga 61 bashki të vendit, 7 bashki i fitoi koalicioni “Bashkë fitojmë” i Partisë së Lirisë me mbështetësit e ish kryeministrit Berisha, dhe një bashki u fitua në Finiq nga MEGA, Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet u mbizotëruan nga polarizimi politik, nga ndarjet e thella në mes opozitës. Ndërsa gjatë fushatës nuk u trajtuan çështje të rëndësishme për komunitetet vendore.

Në raportin paraprak të monitorimit, ata theksuan se mbeteshin shqetësuese keqpërdorimi i burimeve shtetërore për fushatë, si dhe pretendimet për blerje votash dhe presione mbi votuesit dhe administratën. Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuan se autoritetet shfrytëzuan burimet shtetërore për të bërë fushatë, aq sa shpesh, nuk kishte ndonjë dallim të qartë ndërmjet veprimtarive shtetërore dhe atyre të fushatës. Ata vërejtën në disa raste se mbështetja e ardhshme e qeverisë për komunat ishte e kushtëzuar me rezultatin zgjedhor. Misioni vëzhgues i ODIHR-it takoi burime vendase, që i pohuan pretendime për frikësim të votuesve dhe blerje votash./VOA