Frank SHKRELI/ Mesazh drejtuar popullit shqiptar- 13 maj, 1951

583
Sigal

Faqe nga historia e marrëdhënieve amerikano-shqiptare

Ishte 13 maji i vitit 1951. Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund më 1945-n.  Por Lufta e Ftohtë  që filloi   menjëherë pas mbarimit të  Luftës së Dytë Botërore  ishte në ashpërsim e sipër midis dy blloqeve kundërshtare -Perëndimit demokratik të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindjes komuniste të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.  Ishte një luftë kjo që zhvillohej në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe median.

Në këtë frymë  acarimesh dhe kërcënimesh në marrëdhëniet ndërkombëtare, mosbesimi midis palëve ishte i thellë.  Pjesë e kësaj lufte ishte edhe roli i medias, sidomos i radio transmetimeve ndërkombëtare të kohës, të cilat përcillnin programet përtej oqeaneve, fillimisht, kryesisht nëpërmjet valëve të shkurtra.

Në këtë atmosferë tensionesh, më 13 maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, transmetime, të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndërprerë më 1945-n.  Ishte ky një rifillim i shërbimit shqip të VOA – 70-vjetori, i të cilit u festua vitin që kaloi, i cili qe inauguruar me një mesazh të posaçëm drejtuar popullit shqiptar nga Sekretari amerikan i Shtetit në atë kohë,  Dean Acheson.  Ishte ky një mesazh i ngrohtë, i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të hershme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, mesazh, i cili përsëritej shpesh, pothuaj çdo vit, nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Mesazhi i Dean Acheson-it më ra në dorë nga miku im Albert Lulushi, i cili e kishte zbuluar atë në arkivat amerikane ndërsa po bënte hulumtime për librin e tij me titull, “Operation Valuable Fiend”, ose në shqip, “Operacioni, kundërshtari i dobishëm”, i cili do botohet muajin që vjen.

Megjithëse, ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të ditëve të sotme të zyrtarëve amerikane, gjë që lë të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare, konsekuente megjithë, armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysmë shekulli ndaj Shteteve të Bashkuara. Ndaj ia vlen të sillet në vëmendjen e lexuesit në këtë përvjetor të kësaj deklarate që ishte bërë në kulmin e periudhës më të errët, të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar.  Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re.  Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.  Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.

 Që prej Konferencës së Versajës më 1919-n, kur Presidenti Woodrow  Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve shqiptarë.

 Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq  Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefeller, për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe  në zhvillimin e institucioneve të veta.  Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet  e Kartës së Atlantikut.

Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj.  Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e tuaja për një vend të lirë dhe sovran,  nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë dhe i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat- d.m.th, faktet.  Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë – të vërtetën nga bota e lirë.  Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.”

Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar për një ekzistencë kombëtare të lirë dhe të pavarur.  Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi i qytetërimit perëndimor të shqiptarëve. Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, i zoti  dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.  Por fatkeqësisht, ndaj këtyre deklaratave miqësore, nuk kishte asnjë inkurajim për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane nga qeveria komuniste shqiptare e asaj kohe.  Përkundrazi, vihej re se pas deklaratave miqësore për popullin shqiptar nga Shtetet e Bashkuara, propaganda anti-amerikane nga regjimi enverist sa vinte e ashpërsohej si për nga cilësia e inatit ashtu edhe nga niveli i urrejtjes ndaj Amerikës. Por sidoqoftë, Shqipëria dhe shqiptarët sot janë ndër popujt më pro-amerikanë, kështu që, më në fund, vizioni i Dean Acheson-it më 1951- për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s – është bërë realitet dhe roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë 70-vjetëve histori, u solli shqiptarëve të vërtetën dhe faktet, si mjetet dhe instrumentet e nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë.