Qemal Lame: Serbia gabon me kërcënimet ushtarake

Tensionet në rritje në Mitrovicën e Veriut dhe tonet kërcënusese të shoqëruara me rritjen e pranisë ushtarake dëshmojnë për gabime të rënda të kundërvënies së Serbisë ndaj Politikës Perëndimore të maskuar me mbrojtjen e pakicës serbe. Pasi demonstruesit bllokuan hyrjen në pikën Merdare në anën serbe, të mërkurën, 28.12.2022, Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi se është bllokuar pika kufitare në Merdarë, dhe se qytetarët duhet “të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar.” Dy pika të tjera kufitare janë mbyllur që prej datës 10 dhjetor. Aktualisht janë të hapura vetëm tre vendkalime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bllokada e Merdares ka pasur pasoja veçanërisht të rënda për Kosovën, pasi mijëra kosovarë që punojnë jashtë vendit, të cilët dëshironin të shfrytëzonin pushimet për të vizituar atdheun e tyre, tani po detyrohen të bëjnë devijime. Përveç kësaj, Merdare është pika më e rëndësishme kufitare për kamionët.

Dy barrikada të reja u ngritën në Mitrovicën e ndarë. Prej më shumë se dy javësh barrikada të tjera bllokojnë rrugët në akset e rëndësishme rrugore në veri. Aty janë hedhur edhe shashka dhe gurë kundër gazetarëve. Policia e Kosovës i ka mbyllur pikat kufitare me Serbinë dhe veriun e Kosovës ndërkohë. Njoftime ka pasur edhe për të shtëna. Beogradi e akuzon Prishtinën për shkelje të ligjit, ndërkohë që Prishtina e hedh poshtë akuzën se arrestimet e kryera të ish-polici serb dhe një serbi tjetër për shkak të sulmeve ndaj policëve i drejtohen etnisë serbe. Nga ana e tij kryeministri Kurti akuzoi Vuçiçin se angazhon “bandat kriminale” dhe po nxit popullsinë serbe për të destabilizuar gjendjen.

NOA

Gatishmëri e lartë e ushtrisë serbe tensionon më tej situatën politike. Në përpjekie pa shpresë për të arritur qëllimin e kthimit në Kosovë, të ndarjes e aneksimit të teritorit e krijimin e Republikës Srpska me anë të asociacionit, ushtria u vendos në gjendje të gatishmërisë së lartë. Një ditë më parë fjalët e ministrit serb të Mbrojtjes, Milos Vuçeviç tingëlluan kërcënues, sikur konflikti i Serbisë me Kosovën ishte gati para shpërthimit ushtarak. Vuçiç gjatë vizitës së trupave serbe në kufirin me Kosovën tha: “5000 forca speciale të ushtrisë serbe po vendosen në gjendje luftarake. Deri në fund të vitit 2023 ato do të jenë të gjitha të gatshme për luftë. Ato do të jenë grushti ynë më i fuqishëm dhe do të shkatërrojnë qëllimet e këqija të atyre që nuk e duan vendin tonë.”

Deklarimet e paramenduara tregojnë përshkallëzimin më të fortë të politikanëve serbë për situatën në Kosovë prej vitesh. Beogradi politik dhe ushtarak kërkon të imponojë forcën e makinës së luftës në vend të llogjikës për bisedime normale paqësore. Reagimet emocionale të shoqëruara me lëvizjet e tankeve e të ushtarëve, merren seriozisht. Megjithatë ultranacionalistët serbë nuk kanë as kurajon dhe as forcën që duan të tregojnë. Është e pamundur që forcat luftarake serbe do tentojnë të hyjnë në Kosovë e të vihen përballë forcës ushtarake dhe diplomatike ndërkombëtare. Aty janë stacionuar 3500 ushtarë të NATO-s të misionit të KFOR-it që kujdesen për sigurinë në vend. Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e shmang deri tani fjalën “sulm”. Ai flet në vend të kësaj për një masë mbrojtëse. Në një videoclip në profilin e tij në instagram shprehet se: “Ne bëjmë gjithçka, që të ruajmë paqen dhe stablitetin. Por pasi shqiptarët janë armatosur dhe veprojnë kundër popullit tonë, ne do të bëjmë gjithçka, që të mbrojmë serbët në veri të Kosovës.”

Gjithë bota e njeh realitetin politik e ushtarak të Kosovës me forca modeste të rendit, në krahasim me ushtrinë dhe superarmatimet moderne më shumë se nevojat e mbrojtjes së Serbisë. I themi Presidentit Vuçiç dhe gjithë politikanëve ultranacionalistë se asnjë shqiptar nuk vepron me armë kundër ndonjë serbi. I kujtojmë këtyre antishqiptarëve se vetë Beogradi inskenon dhe realizon vrasje të bujshme për të akuzuar padrejtësisht shqiptarët. Ish Kryeministri Gjingjiç dhe politikani Ivanoviç janë vrarë barbarisht nga agjentura dhe bandat kriminale për të mbrojtur politikën ndaj Kosovës.

Presidenti serb e paraqet veten të zemëruar, në kohën që kërkohen zgjidhje përfundimtare. Është kuptimplote thënia e Vuçiçit se: “Jam gati të jap jetën time për mbrojtjen e popullit tim”. Me këto mendime sa politike aq edhe teologjike, ai duket se po i jep vetes status të veçantë. Ai nuk le rast pa iu drejtuar popullit të vet i zemëruar duke u paraqitur si politikani që garanton mbrojtjen e serbëve të Kosovës. Vuçiç paraqitet në televizone me persona që sipas tij sundohen nga qeveria e dominuar nga shqiptarët në Prishtinë. Presidenti doli së bashku me kreun e kishës ortodokse serbe, Patriarkun Porfirije, që është edhe kryepeshkopi i patriarkanës së Pejës. Porfirije donte këtë javë të vizitonte Pejën por nuk u lejua nga policia kufitare kosovare. Misioni i tij kuptohet se ka qenë destabilizues dhe nxitës i urrejtjes. Kisha Ortodokse Serbe frymëzon, nxit dhe mbron politikën antishqiptare të politikanëve ultranacionalistë.

Tensionimi i menjëhershëm i situatës është i qëllimshëm.  Beogradi po synon të pengojë përjekiet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marëdhënieve dhe njohjen e Kosovës. Së pari, u tensionua situata me pretendimet për targat e makinave. Qeveria e Kosovës këkoi të zbatojë  reciprocitetin që serbët e Kosovës të këmbenin targat e tyre serbe me ato kosovare, të vendosej kontrolli mbi trafikun në hapësirën shtetërore të Kosovës dhe të merreshin tatimet e regjistrimit.

Së dyti, këmëngulja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të vendosur me marrëveshjen e Brukselit para gati 10 vjetësh. Marrëveshja antikushtetuese u shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Në Kosovë ka katër komuna serbe në veri dhe gjashtë enklava në jug, ku gjendja është e qetë.Qeveria e Prishtinës e refuzon asociacionin me kompetenca kushtetuese teritoriale pasi sabotohet sovraniteti, cënohet integriteti teritorial, serbët do të merrnin shumë pushtet, do të bllokonin politikën në vend dhe kështu do të krijohej një lloj Republike Srpska e dytë, si në Bosnje-Hercegovinë.

Së treti, serbët në Kosovë kanë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe i gëzojnë realisht me kujdesin që tregojnë institucionet shtetërore, forcat e rendit, si dhe NATO me trupat e KFOR-it e EULEX.

Së katërti, tensionimi i situatës nga Beogradi për mbrojtjen e serbëve është bërë sipas modelit të reagimit agresiv të Rusisë ndaj Ukrainës me pretendimet e mbrojtjes së rusëve. Presidenti Vuçiç ka thënë disa herë publikisht se konsultohet dhe merr mendime nga Presidenti Putin. Nuk mund të mendohet se vendosja në gadishmëri të lartë e forcave ushtarake serbe dhe kërcënimet me tone lufte janë bërë pa u marrë mendimi i Moskës. Rusia nuk pranon ndikim në konfliktin në veriun e Kosovës! Kremlini zyrtar i pyetur të mërkurën për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, është shprehur, se është totalisht e gabuar, që të shihet për rol destruktiv të Rusisë këtu. Serbia është shtet sovran dhe është duke mbrojtur të drejtat e serbëve që jetojnë aty, është reagimi nga Rusia.

Kërkesa e Kosovës që të bëhet vend kandidat për në BE, do të hapi mundësi të reja të integrimit dhe shkatërron planet shoviniste serbe. Kurse Serbia që ka 10 vjet si vend kandidat, vazhdon të mbajë opcionin e afrimit me BE të hapur, megjithë afërsinë me Rusinë. BE ka paraqitur të ashtuquajturin “propozimi gjermano-francez” për normalizimin e marrëdhënieve. Nga ky propozim del se Serbia nuk është e detyruar të njohë Kosovën si vend të pavarur. Por duhet të pranojë, që Kosova në territorin e saj shtetëror të ushtrojë në mënyrë autonome pushtetin e saj.

SHBA-a dhe BE-ja të shqetësuara me tensionet në veriun e Kosovës, ndërsa u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për krijimin e një mjedisi për pajtim dhe qëndrueshmëri rajonale. Në një komunikatë të përbashkët të zyrtarëve të DASH-it dhe BE-së u bëhet thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet.

Mendoj se qëndrimet e përbashkëta evropiane dhe amerikane japi garanci për presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje të shpjetë politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të qëndrueshmërisë, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale. Udhëheqjes së Kosovës ka dhënë garanci se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në veriun e Kosovës filloi largimi i bllokadave në rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ky ndodhi pas vendimit të një gjykate në Prishtinë për lirimin nga paraburgimi të një ish polici serb, arrestimi i të cilit çoi në bllokimin e rrugëve. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej do të mbështesin punën e Bashkimit Evropian përmes Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili në përputhje me mandatin e tij, “do të vazhdojë të vëzhgojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë”. Kosova dhe Serbia duhet bisedojnë dhe t’i kthehen krijimit të një mjedisi të favorshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve të tyre. “Të gjitha detyrimet që dalin nga bisedimet duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, nga Beogradi dhe Prishtina.