Frank Shkreli/ Dëshpërim dhe vetëm dëshpërim

64
Për shqiptarët në mërgim, por dhe për të gjithë shqiptarët kudo, gjendja e mjerueshme e shqiptarëve gjatë historisë fatkeqe, sidomos të gjysmë shekullit të kaluar nën komunizmin ndërkombëtar, për të mos shkuar më larg në histori na i kishte zhdukur shpresat se fati i pamëshirshëm i kombit shqiptar do të shihte ditë më të mira dhe më të gëzueshme. Gjatë shekullit të kaluar, mijëra shqiptarë humbën jetën duke u flijuar nëpër kampe e burgje të Enver Hoxhës dhe të Serbisë, ose duke u arratisur nga parajsa komuniste, anë e mbanë trojeve shqiptare. Dukej sikur mjerimi për shqiptarët e ngratë nuk do të kishte fund. Me të drejtë, ata ndiheshin të nëpërkëmbur dhe të keqpërdorur nga “udhëheqësit” e vetë, por edhe të harruar nga bota e jashtme. Kishte humbur shpresa për ndonjë ndryshim për më mirë, ndërsa mjerimet dhe viktimizimi kishin arritur kulmin, kudo që jetonte shqiptari në trojet e veta në Ballkan. Ishte koha kur një pakicë, që “vet fliste e vet vuloste”, sundonte në bazë të një ideologjie të huaj dhe e mbronte atë ideologji duke përdhunuar, gjatë atij sundimi, historinë e kombit, në emër të shqiptarëve.
Ndërkaq, ndryshimet që pasuan shembjen e Murit të Berlinit anë e mbanë Europës ish-komuniste, më në fund, patën efektin e vet edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Kanë kaluar 25 vjet nga shembja e komunizmit në Shqipëri, ndërsa në këtë ndërkohë Kosova u çlirua nga fashizmi serb dhe më në fund siguroi pavarësinë, falë luftës dhe sakrificave të mijëra shqiptarëve që flijuan veten për një Kosovë të lirë, me një mbështetje të paparë të aleatëve perëndimorë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 
Dukej sikur në këtë periudhë, mjerimi, vuajtjet, vrasjet, shkelja e të drejtave të njeriut dhe viktimizimi i shqiptarëve po merrnin fund dhe se fati dhe historia, ndonëse e vonuar, do ti trajtonte shqiptarët më mirë se kurdoherë tjetër gjatë historisë së tyre. Thuhej se, më në fund, edhe Perëndia e ktheu fytyrën e Tij ndaj nesh. Shpresohej se, me përmbysjen e ideologjive të huaja sllavo-komuniste,kjo ishte periudha e artë e shqiptarëve, kur pa ndërhyrje nga jashtë, gjaku ilir më në fund do të qarkullonte përsëri në trupin arbënuer si një ushqim dhe si oksigjen i jetës, duke shënuar fillimin e ditëve më të bardha për mbarë kombin shqiptar.
Fatkeqësisht, po ti hidhet një sy gjendjes së sotme politike dhe ekonomike, sidomos në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, çdo vërejtës i paanshëm do të vinte në përfundimin se këto shpresa janë venitur dhe se mjerimi dhe dëshpërimet, ndonëse të një ngjyre tjetër dhe i shkaktuar nga një brez i ri, vazhdon për shqiptarët dhe se kjo klasë politike shqiptare, e ka katandisur kombin shqiptar në një rrugë të pa qëllim, humbje shpresash dhe lodhjesh fizike dhe shpirtërore. Mjafton të ndjekësh punimet e dy kuvendeve, të përfaqësuesve të popullit në Tiranë dhe në Prishtinë, për të kuptuar dëshpërimin që ndjejnë sot shqiptarët dhe që po i detyron ata të largohen nga trojet e tyre. Në vend që të debatojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të paraqesin alternativa të ndryshme zhvillimi e investimi, punimet e dy kuvendeve shqiptare mbizotërohen me sharje e sulme ndaj njëri-tjetrit, me sjelljet e tyre, përfaqësuesit e popullit shqiptar , me shpifjet dhe akuzat ndaj njëri- tjetrit, duhet të jenë të ndërgjegjshëm se po dhunojnë kultin e vërtetë të shqiptarit, nderin, burrninë dhe vlerat stërgjyshore, që historikisht kanë nderuar kombin shqiptar. Në qoftë se këto vlera kanë ndonjë rëndësi për ta!? Fatkeqësisht, siç më tha kohët e fundit një mik imi i posa kthyer nga trojet tona, duke iu referuar zhvillimeve politike të fundit ndër shqiptarët, njerëzisë në ato anë, shtoi ai, nuk i ndihet as era. 
Pas 25 vitesh që prej shembjes së komunizmit dhe që prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, që me të drejtë u pritë me euforinë më të madhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut dhe kur mendohej se mjerimi dhe dëshpërimi po merrnin fund shqiptarët sot ndihen të ligështuar materialisht dhe të lodhur shpirtërisht, duke zgjedhur rrugën e mërgimit, si asnjëherë më parë, si të vetmen alternativë për të dalë nga kjo situatë. Të shtyrë nga dëshpërimi dhe nga mungesa e perspektivës për një jetë më të mirë në vendin e tyre, shqiptarët janë në vendin e dytë, pas sirianëve ku mbretëron një luftë e ashpër civile që ka detyruar largimin e qindra mijërave nga vendi i tyre, ndër ata që kërkojnë strehim në vendet e Europës Perëndimore. 
Dëshpërim nën komunizëm, dëshpërim nën sundimin sllav, e dëshpërim edhe sot në të ashtuquajturën demokraci. Kur do marrë frymë lirisht shqiptari? Kjo kritikë, ndonëse pak e ashpër, ka qëllim ndërtues. Shkruesi i këtyre rreshtave, normalisht optimist nga natyra, në të vërtetë ka filluar të lëkundet në optimizmin e tij ndaj mungesës së zhvillimeve të një qytetarie më njerëzore ndër shqiptarët, sidomos në radhët e partive politike shqiptare dhe të klasës politike shqiptare në përgjithësi, anë e mbanë trojeve. Thonë se shpresa vdes e fundit. Shpresa ime është se demokracia, megjithë vështirësitë e deritanishme, do të mbretërojë edhe ndër shqiptarët. Një demokraci e cila do të bashkërendojë mendimet dhe qëllimet e përbashkëta për krijimin e një jetese të përditshme më të mirë për të gjithë shqiptarët dhe në mbështetje të interesave afatgjata të kombit shqiptar. Por, kjo nuk mund të arrihet pa një respekt për njëri-tjetrin dhe ndaj mendimeve dhe të qëndrimeve të kundërshtarit politik. Duhet që të ketë kaluar koha kur shqiptari e konsideronte shqiptarin armik, i cili në minimum duhej asgjësuar politikisht, për të mos thënë edhe eliminim fizik. Pak atdhedashuri, ju lutem, për nder të Atdheut, por edhe për nder ndaj njëri-tjetrit, pasi Atdheu pa shqiptar nuk duhet gjë. T’i tregohet botës se shqiptarët e duan Atdheun e tyre dhe njëri- tjetrin, ashtu që në këtë mënyrë duke dashur Atdheun dhe njëri -tjetrin, t’i qesin nam e nder kombit të vet. 
Ndoshta, atë që nuk arritën dot partitë politike dhe klasa politike në përgjithësi gjatë këtyre 25 të post-komunizmit, e realizoi kohët e fundit skuadra kombëtare e futbollit me kualifikimin e saj, me arritjen historike të Europianit, si njëra prej skuadrave më të mira të Euro 2016. Ata u dhanë arsye shqiptarëve kudo, për të qenë rishtas krenarë para botës. Kjo është një ndër arsyet se megjithë dëshpërimet dhe antagonizmat politike të momentit, unë jam optimist se vlerat e njëmendta të shqiptarit, herët ose vonë, do të mbizotërojnë në radhët e brezave të ardhshëm të shqiptarëve por edhe në sytë e të gjithë botës për t’i parë dhe për t’i dalluar ata nga kombet e tjera. Më në fund, jam i besimit se shpresa do të mundë dëshpërimin!