Edi RAMA/ Duhet të ç’armatosim Shqipërinë

52

E vërteta është që sot i takonte këtij Parlamenti që me vetëpërmbajtje, të imponuar nga tragjedia e djeshme, të gjente arsyen për ta parë atë që ndodhi dje, si një shembull kuptimplotë dhe ulëritës, qoftë të një rrënimi të madh moral dhe institucional, qoftë edhe të një nevoje të madhe për të qenë bashkë, që të gjithë në këtë sallë, në emër të atyre fëmijëve që shkojnë në shkollë, të atyre prindërve që presin fëmijët të kthehen nga shkolla, të atyre gjyshërve dhe gjysheve, që meritojnë së paku qetësi lidhur me sigurinë e mbesave e të nipërve nëpër shkolla. E vërteta e dhimbshme është, që në fakt, jo vetëm një njeri, por një opozitë e tërë e lindur nga një nevojë historike për t’i dhënë këtij vendi diçka krejt tjetër, sot është kthyer mbrapa, më shumë se asnjëherë tjetër. Shqiptarët janë shumë më tepër inteligjent se kaq dhe shqiptarët meritojnë shumë më tepër se kaq, nga opozita. Sigurisht, meritojnë shumë më tepër se kaq dhe nga ne, që sot sapo kemi filluar të bëjmë për shqiptarët atë që meritojnë. Në këndvështrimin tim, do të thotë, se problemi i kriminalitetit në Shqipëri është shumë më tepër, sesa problemi që ne kemi, me krimin e organizuar, apo me vetë kriminelët. Problemi me kriminelët në Shqipëri është sot, një problem kulturor, me të cilin ne duhet të përballemi frontalisht dhe jo vetëm në atë segment që përfshin detyrimet e Policisë së Shtetit, por një segment shumë më të gjerë, që përfshin pa as më të voglin dyshim detyrimet e shkollës dhe të shoqërisë. E, padyshim duke kuptuar gjerësinë e këtij problemi, duke kuptuar thellësinë e këtij problemi, duke kuptuar se nëse sot ne nuk veprojmë, nesër, ata minorenë që ekspozojnë armët dhe nxjerrin veten në fotografi me armë, duke ndjekur modelet që, fatkeqësisht, u ofruan me vite si modele të suksesit dhe të imponimit mbi të tjerët, nesër, do të jenë gjenerata tjetër e prindërve të një vendi fillhumbur. Pikërisht, për këtë arsye ne, e kemi para parë, përpara sesa të merrnim të drejtën për ta zbatuar, atë që është plani që i duhet Shqipërisë, betejën me krimin, por më shumë se kaq betejën me kriminalitetin si një fenomen, që vit pas viti, po bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e kulturës së bashkëjetesës, sidomos mes më të rinjve, sidomos akoma mes minorenëve. Bashkëjetojnë në të njëjtat hapësira minorenë që kërkojnë rrugën e suksesit përmes marrjes së mësimeve dhe të dijeve dhe minorenë të armatosur. Ne padyshim e kemi shumë të qartë që duhet ndërhyrja energjikisht për të shpëtuar Shqipërinë. Shqipërinë që, sot, për shkak të pasigurisë ekstreme të jetës dhe të pronës që u krijua vit pas viti është armatosur për të mbrojtur shtëpinë, për të mbrojtur pronën, për t’u vetëmbrojtur nga e keqja dhe ende më keq akoma është armatosur për të agresuar ata, që janë më të pa mbrojtur. Po kjo është shumë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Plani duhet të nisë dhe do të nisë shumë shpejt, në një bazë të re ligjore për mbajtjen dhe përdorimin e armëve. Për këtë arsye ne nuk jemi ngutur qysh në dy muajt e parë me aksione, që janë të destinuara të mbeten jo vetëm sporadike, por edhe të pasuksesshme, në rast se në radhë të parë nuk vendosim një bazë të re ligjore dhe nuk bëjmë një punë intensive komunikuese, përpara sesa të fillojmë në mënyrë kapilare, kontrollin për armët dhe ndëshkimin për armëmbajtjen e paautorizuar. Natyrisht që paralelisht, lufta e nisur ndaj krimit dhe korrupsionit, e cila është jo e suksesshme, por është absolutisht e efektshme bën punën e vet, por as kjo nuk mjafton, sepse e tërë veprimtaria e Policisë së Shtetit në të gjithë gamën e vet, është e pamjaftueshme në rast se, nga ana tjetër, ne nuk ndihmojmë me politikat tona, me vendimmarrjen tonë shoqërinë të rimëkëmbet, komunitetet të rimëkëmben dhe marrëdhëniet mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve të rimëkëmben. E kemi thënë kohë më parë se, një shkollë e cila nuk mban asnjë lidhje me prindërit, është e destinuar të dështojë dhe se një proces edukimi në shkollë, i cili është i shkëputur nga jeta nën çatinë e shtëpisë së fëmijës apo nxënësit, është i destinuar të dështojë. Për këtë arsye, kemi ngritur zërin kohë më parë. Pastaj kemi futur në program dhe tani kemi filluar të punojmë, për t’i kthyer shkollat në qendra komunitare. Pikërisht për këtë arsye, jemi angazhuar dhe kemi filluar punën që marrëdhëniet e prindit me shkollën, të jenë marrëdhënie të institucionalizuara, përmes kontaktit sistematik që çdo shkollë duhet të mbajë me prindin, jo vetëm në formën e takimeve, por në formën e komunikimit me shkrim të ecurisë së çdo fëmije. Praktikë e njohur botërisht dhe praktikë e refuzuar kategorikisht për vite me radhë, këtu në Shqipëri. E për këtë arsye, ne kemi parapëlqyer që procesin e ristrukturimit të të gjithë trupës drejtuese të arsimit ta kryejmë me konkurse që janë të hapura, janë demokratike dhe janë transparente. E, nëse ndodh që një konkurs ta fitojë dikush që në jetën e tij ka bërë edhe vullnetarizmin, në funksion të ideve dhe të përpjekjeve tona si Parti Socialiste, jo vetëm nuk është mëkat, por përkundrazi, kjo është një e drejtë që nuk i mohohet askujt dhe as atij vetë. Është shumë e thjeshtë për të gjithë ata që duan t’i përflasin, apo akoma më keq, t’i s’kualifikojnë këto procese si montazhe. Nuk na detyron as ligji që keni miratuar ju, që t’i bëjmë konkurset. Përkundrazi, ligji që keni miratuar ju, është ligji që përjashton çdo konkurueshmëri dhe meritë dhe që, praktikisht, të gjithë ata që i besojnë atij procesi, në fund përfundojnë tek firma ekskluzive e ministrit. E, për këtë arsye, në fund të mandatit tuaj, patëm shkollën jo më të politizuar, por shkollën më të militantizuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, qysh nga viti 1991. Shkollën ku të gjitha oborret u kthyen në sheshe për shfaqjet e kllounit tuaj, kryeministër atëherë, ku gjithë klasat u kthyen në trupa për t’u marrë zvarrë e për t’u nxjerrë në mitingjet tuaja dhe ku vendi i punës së mësuesit u shit si të ishte treg dhe askush nuk arriti dot të marrë një vend të merituar. Ndërkohë që mijëra vajza dhe djem që kanë mbaruar për mësuesi, rrinë rrugëve të papunë, duke i lënë për vite të tëra hapur rrugën lloj-lloj injorantësh dhe lloj-lloj zullumqarësh, që morën në dorë kontrollin e shkollës shqipe, me firmën e ministrave tuaj. Nuk kemi pasur asnjë arsye tjetër ne që të ndërtojmë një procedurë që ka zgjatur qëndrimin në krye të shkollave të këtyre injorantëve dhe të këtyre zullumqarëve dhe që ka bërë të vazhdojnë të lëndojnë shkolla, vetëm për një arsye, që t’u jepet mundësia të gjithë atyre që kanë ide dhe vullnet të marrin në dorë drejtimin e institucioneve arsimore, që të konkurrojnë. Janë me qindra e qindra ata që kanë besuar në këtë proces dhe ju siguroj se, si të fituarit, ashtu edhe ata që nuk kanë fituar, kanë parë vërtetësinë e këtij procesi. Ky është sigurisht vetëm fillimi. Më pas, ky proces do të shtrihet, ashtu siç kemi premtuar dhe ne nuk do të marrim në shkollë drejtorë dhe mësues që nuk do të kenë miratimin e komunitetit të prindërve. Sepse është e vetmja mënyrë për ta mbrojtur shkollën nga partitë, është e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur fëmijët nga prodhimi i fatkeqësive që sjell politizimi dhe militantizimi i shkollës, përmes injorancës dhe zullumit. Shkollat Qendrat Komunitare do të ngrihen. Do të ngrihen kudo ku ka fëmijë dhe kudo ku ka prindër. Marrëdhënia Mësues-Prindër-Qeveri do të ngrihet dhe do të forcohet ditë për ditë, si një marrëdhënie e domosdoshme në një vend të qytetëruar, për të pasur një mjedis shkolle ku nuk flitet vetëm për mësime, por ku flitet për shoqërinë dhe ku garantohet bashkëjetesa, që i kthen njerëzit nga qenie të vetmuara, të egra, në qenie sociale dhe në qenie bashkëpunuese. Ne jemi shumë të vendosur ta mbajmë shtrirë dorën për ju, jo në shenjë dashurie, as në shenjë të ndonjë mirësie që ne e kemi dhe ju s’e keni. Nuk është kjo. Unë nuk mendoj se ndarja jonë është një ndarje mes të mirëve dhe të këqijve. Por unë mendoj se ndarja jonë është një ndarje mes vlerash dhe parimesh, që forcat tona mishërojnë dhe për të cilat, forcat tona dallohen. E pra, a e dini se përse ne jemi më të fortë se ju? Sepse vlerat dhe parimet tona janë shumë më superiore sesa vlerat dhe parimet tuaja.