Frank Shkreli: Nga turpi qava, Arbëri!

189
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë                           

 

15 Janari (1999) shënon një ngjarje, ndër më tragjiket në historinë e Kombit shqiptar.  24-vjetë më parë, me 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, jo më larg se 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe të diktatorit terrorist të Serbisë, Millosheviçit, vranë 45 persona civil shqiptarë të pafajshëm dhe të pa armatosur. Frank Shkreli – E vërteta e Reçakut: Barbarizëm serb dhe krim kundër njerëzimit | Gazeta Telegraf – Të dielën (15 janar, 2023) në atë fshat u mblodhën një numër i madh qytetarësh, në një tubim përkujtimor në nderim të viktimave, udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, si dhe Ambasadori William Walker, i cili 24 vjet më parë i kumtoi botës lajmin e zi të masakrës në Reçak të 45 shqiptarëve.

Unë nuk e di se cili do të ishte sot realiteti politik i Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi, nëse atë ditë fatzezë të 15 janarit, 1999, Ambasadori William Walker nuk do të kishte marrë guximin dhe të shkonte në Reçak për të parë për veten e tij, masakrën që forcat terroriste serbe kishin kryer në atë fshat, një krim të vërtetë kundër njerëzimit. Kosova shënoi të djelën, 24-vjetorin e këtij krimi barbar, përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkthesa kryesore e ngjarjeve të mëvonshme në Kosovë, si sulmet ushtarake të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë kryeqytetin e Sebisë, Beogradin. Ajo ishte një ndërhyrje që më në fund, detyroi largimin e forcave terroriste ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë, kështu, fund luftës në Kosovë dhe duke çuar, më në fund, në pavarësinë që Kosova gëzon sot. Republika e Kosovës – ashtu siç e ka zakon, nderoi dhe vlerësoi Ambasadorin amerikan William Walker për rolin e tij. Ndërkaq, njoftohet se në Tiranë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekoroi të hënën me një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë — atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” – Ambasadorin William G. Walker për kontributin e jashtëzakonshëm për paqën, demokracinë dhe lirinë e popullit të Kosovës si dhe për denoncimin e genocidit serb në Reçak.”

Bravo, Presidentit Begaj për dekorimin e Ambasadorit William Walker duke e vlerësuar atë me fjalët më të përshtatshme dhe më të merituara për rolin e diplomatit amerikan, 24 vjet më parë në Kosovë.  Me të drejtë, Z. Begaj, e cilësoi Amb. Walker si, “një mik i shqiptarëve dhe si “njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s”. Por edhe si një person, i cili “krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar”, por edhe dhe si “një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist.” Shumë bukur deri këtu.  Por, mjerisht, diçka mungonte, tmerrësisht, në këtë ceremoni. Nuk dua të paragjykoj se ku mund të jetë faji dhe kush mund të jetë përgjegjës për këtë mangësi të pafalshme diplomatike, njerëzore dhe shqiptare në ceremoninë e dekorimit të Amb. William Walker në Presidencë. Shqiptari i trajton shumë më mirë se kështu, miqtë e Kombit.  Mungesa e përfaqësuevse të popullit shqiptar në atë ceremoni ishte tepër evidente, ndoshta e qëllimshme – si rrejdhim, m’u duk një atmosferë e turpshme, që nuk u ka hije shqiptarëve. Ku ishte Kryeministri dhe përfaqësuesit e qeverisë që nuk morën pjesë?!. A mos vallë, me mos marrjen pjesë në një ceremoni të tillë në Presidencë, donin të dërgonin ndonjë mesazh, ndokujt më larg dhe përse?!

Po, ku ishte opozita dhe përfaqësuesit e saj – sado të ndarë e të përçarë që janë – për faqe të zezë të tyren?! Po pse nuk ishte aty përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe përfaqqsues të tjerë diplomatikë perëndimorë në Tiranë dhe pse nuk morën pjesë?! Ku ishin përfaqësuesit e komuniteteve fetare – që normalisht tregohen si përfaqsuesit më të përbashkuar të popullit shqiptar në raste të tilla?! Për më tepër, kush janë këta përfaqësues politikë e të tjerë të Kombit shqiptar, që në kapacitetin e tyre zyrtar, pretendojnë të jenë përfaqësues të Kombit, po që nuk marrin pjesë në nderimin nga Presidenti i Republikës të një miku të madh të shqiptarëve – siç është, Amb. William Walker?! Çka po ndodhë në kryeqytetin e shqiptarëve?! E pashë ceremoninë në Presidencë dhe më erdhi të qajë, jo nga gëzimi, që do duhej të ishte një rast i tillë, i gëzuar, falënderues e mirënjohës për një personalitet të madh, mik i shqiptarëve – por m’u mbushën sytë me lot nga dëshpërimi dhe hidhërimi ndaj një shfaqjeje të tillë mosrespektimi ndaj këtij miku të madh të Kombit, i cili, sipas Presidentit Bajram Begaj, “me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me Kombin shqiptar”, për të gjithë shqiptarët, pra, pa dallim. Dëshpërimi dhe hidhërimi im personal – thjesht si shqiptaro-amerikan – u këthyen në një ndjenjë imponuese turpi. Dhe në mungesë të mundësisë për të bërë ndonjë gjë për ta ndryshuar atë dukuri, m’u kujtua poezia e Azem Shkrelit: Sonte!


Qava sonte për ty
Arbëri!
Nuk më vjen turp
pse qava.
Më vjen turp pse s’munda
të bëj tjetër…
Nga turpi qava (Azem Shkreli)

Dhe thashë me veten, miqtë e Kombit shqiptar, siç është Ambasadori William Walker, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje, meritojnë të trajtohen dhe të nderohen më mirë dhe më shumë se kështu! Por hajde, kujt t’i thuash.  Frank Shkreli/ Thirrja e Ambasadorit William Walker: Punoni për kauzën që bashkon të gjithë shqiptarët | Gazeta Telegraf