Vangjush Saro/Gegë i ‘zemëruem’, toskë i fyer(!)

655
Sigal

Këto ditë lexova një shkrim të K. Traboinit në lidhje me disa probleme të gjuhës standarde; po e them pa doreza, analiza m’u duk disi e ngutur. Madje e shkruar me shumë zemërim. Duke folur dukshëm gegnisht, çka është krejt e drejta e tij – edhe pse me aq sa unë di, më parë ka shkruar dhe ka folur në “gjuhë letrare” – autori i shkrimit merr përpara një sërë autorësh dhe emrash të njohur, me të cilët përpiqet të polemizojë, madje në shumë raste bën ironi, gjithnjë duke folur për një padrejtësi të madhe, që ndoshta ka ardhur koha të zgjidhet. Kam lexuar më parë edhe një shkrim të P. Shllakut, ku gjithashtu flitej me shumë pezm për padrejtësitë ndaj gegnishtes, etj. Janë të shumtë ata që i përmbahen tashmë këtij mendimi dhe që në zemërim e sipër (le të jem i gabuar) shpesh e teprojnë.

Në shkrimin e tij, K. Traboini flet për gjuhëtarin Gj. Shkurtaj – që me sa duket nuk ka mendimin se duhet shembur standardi – dhe e vë atë në një pozitë të pakëndshme. Citoj: “…profesor Shkurtaj në disa artikuj një pas një, po shfaqet jo thjesht i përmbajtur, po kisha me thanë krejt i frikësuem nëse i hapet rruga gegnishtes. Po prej kujt ka frikë? Prej gjuhës me të cilën është mëkue në djep? Jo për atë Zot. Të vërtetës nuk ka askush shkak t’ia ketë frikën. Vihet re se profesor Shkurtaj po u lëshon pe më shumë sesa duhet atyre që konsiderohen konservatorë në këllëf, të ngujuemve në llogoret e bunkerët e monizmit.” Nuk arrita të kuptoj pse kaq shumë aludime, frika, djepi, monizmi…Dhe përse pas kaq kohësh në pluralizëm e demokraci, sërish kaq shumë ideologji…Autori, ashtu si mjaft të tjerë që kanë tjetër mendim për këtë temë, shprehet krejt i pakënaqur në lidhje me standardin (e gjuhës). Dhe jo thjesht duke kërkuar në të shkuarën arsyet e zemërimit të sotëm, por edhe duke e interpretuar gjendjen gati si një…shtypje në vazhdim: “Po njënjtshëm  siç u imponua  pushteti i Enver Hoxhës, por falë zotit kemi shpëtuar prej fantazmës, anipse me keqardhje konstatojme se falë profesorëve të tij duhet t’i heqim pasojat e ideologjisë së tij.” Më pas, ai shtron disa pyetje (pothuaj) retorike: “A nuk po e kuptojmë se na është tha gjuha? Edhe metaforikisht, por edhe realisht na është tha.”

Është tharë gjuha – ndërkohë që nuk ka më barriera, kufij, nuk ka as diktat dhe lirshëm po e flasin dhe po e shkruajnë gjuhën gjithë të pakënaqurit me standardin – kjo më duket bërtitëse. Zemërimi e çon autorin në njëlloj butaforie gjeografike. “Gjithçka flet për të dytën, por gjuhëtarët e bunkerëve preferojnë veç të folmen poshtë Vjosës.” Që do të thotë atë çka flet Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Saranda. Pak a shumë. Ose duke u nisur nga çka shtrihet poshtë Vjosës. Po a është kështu? Unë nuk e di që Korça e Kolonja, Përmeti e Leskoviku, Fieri dhe Lushnja, etj., të jenë poshtë Vjosës(!)

Autori shkruan për R. Qosen: “…U torturua profesori nga Prishtina  duke dashtë me kenë elokuent në standardin e Kostallarit. Punë e lodhshme gjithsesi, e panatyrshme e megjithë respektin  që ruaj  për profesor Qosen më krijoi një shije jo të mirë në koloritin gjuhësor, sepse profesori nuk kish ardhë prej Gjirokastre po prej Prishtine.” Po i marrim me radhë disa prej paravolive që autori përdor: “U torturua profesori…” (Po ia qajmë hallin?) Dhe pastaj: “…në standardin e Kostallarit.”, sikur ky i fundit të kishte qenë ndonjë armik i vendit. Ndërkaq, emrat e gjuhëtarëve dhe personaliteteve të tjera që janë protagonistë në temë, nuk përmenden. Nuk merret vesh pse. Mandej: “…profesori nuk kish ardhë prej Gjirokastre po prej Prishtine.” Tani vijmë në një moment tjetër të këtij shkrimi të hartuar plot zemërim. Në të thuhet: “Madje qëllimisht i lihet kohës që Standardi të quhet punë e kryeme e 70 përqind e shqiptarëve, po citoj P. Shllakun, të na shfaqen me një të folme qesharake në përpjekje titanike për të theksuar toskërishten që si sapuni për djathë na shitet për Standard mbarëkombëtar.” Dhe më tej: “Me letërsinë gege ka fillue jetën e vet të shkrueme gjuha shqipe apo po e harrojmë Buzukun gegë e po shpikin ndonjë Buzuk toskë?!” Duke pasur rezerva rreth kësaj shifrës 70%  – po me këtë shifër, kryeministri i tanishëm gjente pjesën e myslimanëve në Shqipëri, (s’di ku e kishte rrëmuar) pra le të mos nxitohemi, sepse mbase nuk i kemi shifrat gjithnjë me vete – më duket mjaft e habitshme dhe e përhitur në megallomani të shprehesh kaq brutalisht për (në simbolikë) gjysmën e gjuhës a të këtij vendi, ndërsa zemërimi për atë çka përfaqësohet në fjalën ‘toskë’ shfaqet tejet i dukshëm.

Më në fund, po citoj diçka nga ajo që autori shkruan në fillim, ku shpreh mendimin apo druhet se mos standardi përdoret “si mjet përçarës e mbisundues i një dialekti mbi një tjetër edhe pas dy dekada të çlirimit prej totalitarizmit e imponimit të dhunshëm  si në çdo fushë të jetës edhe atë të gjuhës.” Nëse e kuptoj mirë, mos vallë një luftë tjetër do të bënte të njëjtën gjë, pra do të përdorej si një mjet përçarës e mbisundues i një dialekti mbi një tjetër? Kujtojmë se një nga anët më të dobëta të pushtetit aktual në Shqipëri, ka qenë pikërisht mbështetja mbi krahinarizmin, tashmë proverbiale kjo. (Një tjetër interpretues i këtyre pakënaqësive, në një shkrim të tijin, fliste jo thjesht për Qosen, si mbrojtës i standardit, por për Kosovën në tërësi dhe për filmat…Nuk është e drejtë të diktojmë, ca më tepër që gjer më tani po flitet pikërisht kundër kësaj dukurie…)

Sidoqoftë, çdokush, ca më tepër krijuesit, mund të shprehin mendimet dhe të kërkojnë të realizohen alternativat që ata i gjykojnë si më të përshtatshme në këtë temë delikate, paçka se më mirë do të ishte t’iu lihet më shumë hapësirë e kompetenca për të venduar, ekspertëve të kësaj fushe. Ajo çka nuk më duket e drejtë, është dëshira për t’iu imponuar të tjerëve dhe për të luajtur me origjinën apo vendpërkitjen e tyre. Ndërkaq, njerëzit janë të lirë dhe ata që e ndjejnë se kështu është më mirë, kanë filluar të  shkruajnë e të flasin në dialektin e ‘zemëruem’. Por nëse një gegë i ‘zemëruem’ nuk e do standardin, i bie që një tosk të mbetet i fyer nga kaq shumë aludime e paravoli. E gjithë kjo në një kohë kur, së pari, zgjidhjen e plazmojnë dhe e përcjellin ekspertët; dhe së dyti e në këtë ndërkohë, por edhe më tej, mund të shkosh te lexuesi si dëshiron.