Flet Prof. Vangjel Kici: Sipas RÇ 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi

38
Sigal

– Papunësinë dhe varfërinë e shqiptarëve e shkaktoi vet qeveria “Rama”, dhe qeveritë e mëparshme pas vitit 1990.

– Sot në Shqipëri nuk mund të zhvillohet bujqësia, sepse toka është ndarë në parcela të vogla private.

– Shtetet e tjera të Europës i kanë të dyja format e pronësisë: edhe pronën shtetërore, edhe pronën private, që janë në konkurencë me njëra tjetrën, kurse në Shqipëri u bë privatizim ekstrem.

– Kërkimet gjeologjike nuk bëhen nga shqiptarët, sepse gjeologjinë qeveritë e njëpasnjëshme e kanë mbyllur plotësisht.

-Por më e rëndësishmja është se, 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe i kanë gjetur mënyrat për të ikur

– Emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht, por përgjithmonë.

– Në Shqipëri faktorët shtytës që nxisin emigracionin lidhen me arsyet ekonomike dhe mosbesimin në institucione.

Intervistoi; Albert Z. ZHOLI

/Telegraf.al/ -Emigrimi i rinisë shqiptare ka krijuar kushtet për më shumë mungesa të fuqisë punëtore. Kjo mungesë  konsiderohet tashmë si një emergjencë për Shqipërinë. Në Shqipëri faktorët shtytës që nxisin emigracionin lidhen me arsyet ekonomike dhe mosbesimin në institucione. Në të njëjtën kohë zgjerimi i rrjeteve familjare dhe numri i atyre që mund të përdorin këto lidhje përforcohen, duke nxitur më tej flukset dalëse të emigracionit.

-Profesor, ju vazhdimisht kolapsin e ekonomisë shqiptare e lidhni dhe me emigracionin kryesisht të të rinjve shqiptar. Duke qenë dhe vetë në emigrim e keni ndjerë thellë këtë problem. Sipas atyre që ju lexoni dhe bëni publike, si është situata e emigrimit të të rinjve në Shqiëpri në vitin 2023 dhe sa ka ndikuar te ekonomia?

Duke lexuar dhe njohur zhvillimet e fundit emigratore mund të them se situata në Shqipëri është e rënduar në këtë drejtim. “Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipëria duhet të alarmohet nga potencialet e larta të populates, që kërkon të emigrojë në mënyrë të përhershme, duke sinjalizuar një rreth vicioz të një krize demografike, ekonomike dhe politike”, ka evidentuar Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), pas analizës së rezultateve të anketës së Barometrit të Sigurisë për vitin 2023. Rezultatet e anketës që u zhvillua në maj-qershor 2023 në 6 vende të Ballkanit Perëndimor evidentuan se Shqipëria megjithëse ka përjetuar deri më tani emigracion më të fortë se Rajoni, ende ka potencial të lartë të largimit nga vendi sidomos për të rinjtë e arsimuar. Anketa që u zhvillua në rreth 6000 persona në Ballkan tregoi se, 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por më e rëndësishmja është se, 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur. Sipas shumë anketave ndërkombëtare  emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht, por përgjithmonë. Po sipas RÇ (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) pjesa e shqiptarëve që kanë shprehur dakord për të ikur, pothuajse 44 % duan të emigrojnë në mënyrë të përhershme përbën nivelin më të lartë në Rajon. Vërtet të gjithë popujt emigrojnë, por rreth 1-3% e popullsisë, dhe jo mbi 40% e popullsisë, si në Shqipëri. Ky nuk është emigrim, por spastrim etnik i Shqipërisë (të largohen shqiptarët, që të vijnë të huajt!). Papunësinë dhe varfërinë e shqiptarëve e shkaktoi vet qeveria “Rama”, dhe qeveritë e mëparshme (pas vitit 1990). Sepse ato e orientuan shkatërrimin e industrisë (uzinave, fabrikave…). Ato shkatërruan naftën dhe minierat. Vendburimet e naftës dhe minierat u privatizuan. Ato u dhanë me koncesione korruptive, dhe po grabiten nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. Kërkimet gjeologjike nuk bëhen nga shqiptarët, sepse gjeologjinë qeveritë e njëpasnjëshme e kanë mbyllur plotësisht. Me kërkimet merren vetëm të huajt, që në fakt nuk po bëjnë pothuajse asgjë. E gjithë Shqipëria, nga qeveria “Rama-Meta”, është nxjerrë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, pasuritë natyrore iu hoqën shqiptarëve, dhe iu dhanë të huajve. Këtu përfshihen edhe pasuritë strategjike kombëtare, siç janë nafta, gazi, kromi etj. Pra, popullit nuk i mbeti asnjë pasuri. Shteti shqiptar u shpronësua plotësisht. Ai është krejt i dobët. Prandaj shqiptarët janë pa punë dhe të varfër. Ata janë të detyruar të emigrojnë, duke e braktisur Shqipërinë.

-Po në vendet e tjera a ka sektor shtetëror?

Shtetet e tjera të Europës i kanë të dyja format e pronësisë: edhe pronën shtetërore, edhe pronën private, që janë në konkurencë me njëra tjetrën, kurse në Shqipëri u bë privatizim ekstrem, duke e zhdukur plotësisht pronën shtetërore. Qeveritë, pas vitit 1990, shkatërruan edhe bujqësinë. Kooperativat e dikurshme bujqësore, pa u shkatërruar, mund të shkëputeshin nga shteti dhe të bëheshin ferma private të fshatarëve. Kështu i bënë vendet e tjera lindore. Sot në Shqipëri nuk mund të zhvillohet bujqësia, sepse toka është ndarë në parcela të vogla private. Makineritë bujqësore u shkatërruan. Kanalizimet janë prishur. Tokat çdo vit përmbyten. Futja e makinerive bujqësore nuk mund të bëhet në parcelat e vogla, prandaj toka punohet me kafshë dhe me krahë. Pas vitit 1990, në kuadër të luftës kundër gjeologjisë (kundër pasurive tona natyrore!!). Fakulteti Gjeologji-Miniera u reduktua. U mbyll katedra e naftës. Diploma gjeolog nafte u mbyll më 1995. U mbyll laboratori i gjeokimisë, dhe disa laboratore të tjera. Biblioteka e fakultetit mbeti pa prurje të reja. U mbyllën praktikat në vendburimet e naftës dhe në miniera etj. Pas vitit 1996 u zvogëlua numri i të diplomuarve. Pse? Sepse nuk pranoheshin diplomat e ing. gjeolog nafte, ing. miniere, ing. gjeofizik dhe ing. pasurimi të mineraleve. U ulën edhe pranimet për ing. shpim-shfrytëzimi etj. Pra, specialitetet themelore të Fakultetit Gjeologji-Miniera, dhe kryesoret për industrinë dhe vendin, nuk do të ishin të nevojshme në të ardhshmen!! Përparësi sot i është dhënë hidrogjeologjisë (studimit të ujrave), mjedisit, gjeoinformatikës dhe në fund burimeve minerale. Në fakt, përparësia i duhet dhënë naftës, gazit dhe burimeve minerale.

Pra ju thoni se të gjitha qeveritë postkomuniste janë përgjegjëse për këtë katrahurë ekonomike?

Po! Të gjitha qeveritë, pas vitit 1990, goditën industrinë, naftën dhe minierat, domethënë goditën gjeologjinë dhe bujqësinë. Qeveritë shqiptare, pas vitit 1990, nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të administrojnë mirë pasuritë e pafundme të Shqiperisë. Bie në sy goditja e gjeologjisë. Pse? Sepse kështu qeveritë kanë goditur gjeologjinë ekonomike. Shpesh qëllimi kryesor i studimit të gjeologjisë ekonomike është të gjejë rezerva të reja nafte, gazi dhe depozita të reja xeherore për shfrytëzim. Pra, të goditësh gjeologjinë do të thotë të goditësh ekonomin. Kush i bëri të pasura vendet arabe dhe Norvegjinë? I bëri nafta dhe gazi, si pasuri kombëtare (shtetërore). Kush e fuqizoi Rusinë, pas vitit 1990? E fuqizoi nafta dhe gazi, si pasuri kombëtare (shtetërore). Kush e forcoi ekonominë e Gjermanisë, Francës, Anglisë etj.? Përveç tjerash, e forcuan rezervat e mëdha të hekurit dhe të qymyrit antracit. Por naftën, gazin, hekurin, qymyrin antracit etj. i zbuloi gjeologjia!! Pra, gjeologjia i pasuroi ato vende.