Shpendi Topollaj: “Asnjëherë të martën”, një roman dinjitoz i Bashkim Hoxhës

214
Sigal

Nuk ka asgjë të keqe, kur teksa flasim për vlerat e librit të një autori, zakonisht, krahasimin e bëjmë me librat e autorëve të tjerë. Por në qoftë se për krahasim do i referoheshim romaneve të shkruara nga vetë Bashkim Hoxha, për mendimin tim, do të thoshja se “Asnjëherë të martën” është pika kulmore e këtij krijuesi që gjithmonë ka shkëlqyer si në tematikën e zgjuar, në trajtimin që i bën asaj dhe stilin e tij që shquhet për nivel të lartë artistik. Nis si një roman policor, por shpejt sheh se aty nuk ka fare vend për hetuesit e kriminalistët e ca më shumë për prokurorë e gjykatës, pasi të gjitha veprimet operative, deri në dhënien e drejtësisë, i realizon vetë Vlad Dinosha, personazhi kryesor që ka përfunduar në vetëvrasje. Historia nuk është e thjeshtë, as shtrirja gjeografike e veprimit, por e thjeshtë është mënyra e të treguarit nga ky autor, i cili di të zgjidhë situata të komplikuara me forcën e psikologjisë së çuditëshme të njeriut i cili brenda subkonshiencës së tij zotërohet nga oshilacione emocionale, shpirtërore, dhe botkuptimore, të cilat nga ana e tyre diktojnë sjellje, qëndrime dhe veprime shpesh diametralisht të kundërta, deri në pabesueshmëri.

Djali me tre emra, i adoptuar nga një çift intelektualësh që gjithsesi kishin problemet e veta, dhe me një gjendje relativisht të mirë ekonomike pas vdekjes së tyre, duket se nuk kishte arsye që të shndërrohej në një vrasës profesionist. Por ja që shkuarja e tij me forcat Komando, në një mision ndërkombëtar, atje ku bëhej luftë dhe masakroheshin njerëzit e pafajshëm në emër të paqes hipokrite, e ndryshon atë. Duke jetuar përditë me vdekjen, ai mpihet, aq sa nisi të vriste për qejf edhe burra që ishin duke kënduar dhe nga ana tjetër nuk i shkakton asnjë keqardhje as vrasja e shokut të tij Daniel T. As ajo e polakut Tadeushi, nga gërrhitjet e të cilit më në fund shpëtoi. Ai, i rrituri mes tingujve të pjanos së nënës së tij, nuk i shpëton përthyerjes së karakterit edhe pas kthimit në atdhe, gjë që e nuhati shpejt shoku i tij Henri që e josh me para, duke e rekrutuar në atë që e quante Agjensi Ndërkombëtare Sistemimi. Ka një farë hezitimi, ndaj arsyeton: “Në luftë është tjetër gjë. Atje quheshim luftëtarë. Mund të bëheshim edhe heronj duke vrarë. Në paqe kemi emër tjetër, quhemi vrasës”. Dhe vrasësit me pagesë nuk janë shpikje e fantazisë së Bashkim Hoxhës, por një realitet i prekshëm në surrealen e jetës tonë. Nis seria e vrasjeve jashtë shtetit. Në pamje të parë, Vladi në asgjë nuk të kujton një kriminel.

Ai dashuron Marinën, bisedon shtruar dhe me llogjikë me Natalinë, ukrainasen e ikur nga lufta, që e takon në një disko, ku i binte saksit, e respekton bukurinë e saj, dëgjon tingujt e Shubertit, Nocturnin Nr. 9 të Shopenit etj. Dhe kalon në atë dalldinë filozofike ku ngërthehen mendimet që më së shumti nuk kanë lidhje mes tyre. E ka detyruar Marinën ta abortojë fëmijën dhe ndërgjegja nuk e lë të qetë, e ndjekin lutjet e saj për ta lënë të jetojë ai foshnje, teksa mediton atje buzë detit, ndërsa dielli i përflakur po perëndonte. Peizazhi mahnitës sikur i kujton: “O Zot i jetës sime, çfarë paskam humbur gjithë këto vite!” E vënë në mendime fjalët e Natalisë: “Besoj ke dëgjuar për ngrohjen globale si fenomen. Kam përshtypjen se e themi termin gabim. Jetojmë epokën e ftohjes globale, kur është vrarë njerzillëku. Njeriu është bërë gjithmonë e më egoist… Fatin e tij të mirë e sheh në fatin e keq të tjetrit”. Kishte thënë një herë qysh në shkollën e mesme se nuk kishte fare zemër, por tani që e dërguan me mision në Durrës për të vrarë profesorin në pension Bujar Hodo, ai ngurron ta bëjë. E sheh atë pa ditur se kujt i kishte zënë rrugën, kur nipi i del përpara dhe e përqafon. Sheh gjithashtu në internet për të mësuar diçka më shumë rreth tij. Habitet kur gjen atje se ai ishte një atdhetar dhe arkeolog i shquar që kishte derdhur lot kur kishte zbuluar kokën e birit të Zeusit dhe Selenës, perëndisë së bimësisë dhe të verës, Dionizit, për të cilin flet Hesiodi dhe që e huazuan edhe romakët me emrin Baku. Nga festa për nder të tij ka lindur edhe teatri e tragjedia, prandaj meqenëse ky zbulim i bënte nder qytetit dhe vendit, profesori donte të gjente trupin dhe ndofta sanktuarin. Shkroi për këtë, dha intervista, polemizoi me kurajë, por qarqe të caktuara e pengonin dhe për habi edhe ish nxënësi i tij, Hervin Debina, tani kryeministër që nuk kishte nxituar të shpallte se do të mbetej në histori.

Dhe profesorit i erdhi lajmi i largimit nga puna, sidoqë nuk ngurroi të thotë se “Historia ka mjaft raste domethënëse ku tregohet se zakonisht atyre që ecin me kokën lart me këtë pretendim u janë penguar këmbët në guriçkat e rrugicës së shtëpisë. Historia zgjedh, nuk zgjidhet”. Pastaj, aludimi i tij me anekdotën e Perandorit që teksa qëndronte mbi njërën nga shtatë kodrat e Romës tha se i gjithë qyteti ishte nën këmbët e tij, flet për guximin qytetar të profesorit dhe të vetë autorit të romanit që asnjëherë nuk i ka fshehur mendimet e tij, pavarësisht se dikujt mund të mos i pëlqejnë. Mendimi se edhe qarqet e huaja mund të kishin paguar për eliminimin e profesor Bujarit, bëri që Vladi i cili kishte vendosur që kurrë të mos vriste ditën e martë, kur ai dhe Shën Vladimiri kishin lindur, të mërkurën në mëngjes, ta kthejë armën nga vetja, atje në atë dhomën që kishte marrë me qira te njeriu i mirë Agroni, i cili e varrosi atë si njeri së bashku me shokun e tij poet, Agimin, i cili i kushtoi vargjet që mbylleshin kështu: “Ky njeri vdiq i magjepsur nga një perëndim dielli”. Por edhe Mariana, nga ana e saj, kishte paralajmëruar me atë proverbin se “Një njeri që shkon për të vrarë duhet të hapë dy varre, njërin për viktimën dhe tjetrin për veten e tij”.