Intervista/ Dr. Enriko Ceko: Shumica e administratës publike kanë konceptin dhe parimin se nëse shikojnë diçka, mendojnë se është e tyre

124
Sigal

Në numrin e djeshëm Dr. Ceko analizoi për problematikën e ligjit për Koncesionet, i cili jo vetëm që është problematik, por edhe eliminon garën e hapur. Ndërsa raporti i KLSH tregon se në çdo vit niveli i abuzimeve në administratën publike me paratë dhe pronat publike është rreth 1 miliardë euro. Ajo që nuk duket dhe që ndoshta nuk do dalë kurrë është rreth 10 herë më e madhe pasi fakti që më shumë se 50% e ekonomisë shqiptare është ekonomi e zezë dhe gri, flet shumë për këtë. Në  numrin e sotëm do zbardhim vështirësitë ekonomike, çmimet e rritura, dhe pasojat nga privatizimet e spitaleve dhe universiteteve.

“Çmimet në rritje dhe të ardhurat në nivele shumë të ulëta, nuk lejojnë që qytetarët e Shqipërisë të ndjejnë se ky vend ka të ardhme. Midis punonjësve të administratës publike shqiptare ka persona që në shtëpitë e tyre luksoze kanë piano 100.000 euro, së cilës nuk i bie askush.”

 

Në darkën e Vitit të Ri 2023 shumë familje shqiptare nuk mundën të blejnë gjelin tradicional, madje bënë darkë tepër modeste, kur për zyrtarët flitet për rryshfete dhe pushime luksi. Pse kjo diferencë mes popullit dhe pushtetarëve?

E vërtetë! Themeli i një shoqërie është mendësia e pjestarëve të asaj shoqërie në lidhje me punën dhe paratë dhe me marrëdhëniet midis këtyre dy koncepteve. Nëse një shoqëri vendos në themel punën, atëhere: 1) Gjendja ekonomike është në përmirësim të vazhdueshëm; 2) Produktiviteti rritet në vazhdimësi; 3). Njerëzit nuk largohen nga vendi. Këto tre aspekte lidhur së bashku bëjnë që shpërblimi të jetë sipas punës, në çdo vend pune të emërohet personi më i përshtatshëm, të mos ketë prirje në masë për mitëdhënie, etj. Prirja për mitëdhënie të çon në nivele të larta korrupsioni, ashtu sikundër është edhe gjendja në Shqipëri. Mitëmarrja nuk mund të ekzistojë pa mitëdhënien. Shqiptarët në përgjithësi në mënyrën më dritëshkurtër që mund të bëhet, janë të gatshëm që të paguajnë për çdo gjë që e duan, edhe kur nuk ju kërkohet që të paguajnë. Kjo vjen nga mendësia që nëse dikush e shikon diçka, atëhere e do atë gjë që shikon t’a ketë patjetër. Kështu fitohen vendet e punës, tenderat, titujt shkencorë, notat, temat e diplomës, pronat, etj. Duke patur këto marrëdhënie, atëhere kuptohet që për shkak të mitëdhënies dhe mitëmarrjes, niveli i mirëqenies së pamerituar të shumicës së atyre, që punojnë në administratën publike të jetë shumë shumë më e lartë se niveli i mirëqenies së pjesës tjetër të popullsisë.

Flitet ende për amnistinë fiskale. Çfarë negativitete do të sjellë në ekonominë shqiptare nëse do legalizohet një ligj i tillë?

E vërtetë. Amnistia fiskale është një çështje e debatuar shumë kohët e fundit. Ka shumë shtete që e kanë përdorur aministinë fiskale për arsye nga më të ndryshmet dhe e kanë kanalizuar në të mirë të shoqërisë, vendit dhe ekonomisë. Rasti i Shqipërisë duket mjaft specifik, pasi po diskutohet për legalizimin e parave në shuma të mëdha vetëm me kryerjen e një pagese qesharake, kur sejcilit prej nesh nga paga mujore n’a mbahet 15%, kur sejcilit që ka kursime në bankë i mbahen 15%  dhe kur taksimi i dividendit është po 15%, krahasuar me vetëm 5-10% të taksimit të parave që do legalizohen me anë të këtij ligji, nga ata që duket se në një mënyrë apo tjetër kanë a buzuar me ligjin. Kjo nuk është aspak serioze. Nga ana tjetër, askush nuk është në gjendje që të gjurmojë burimin e këtyre parave. Nëse flasim për aspekte teknike, kur bëhet fjalë për para të atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë, procedura e kalimit të parave nga një vend në një vend tjetër bëhet shumë më e komplikuar, në një kohë që kalimi në doganë i më shumë se 10.000 USD, 10.000 Euro dhe 1 milionë lekë është e ndaluar. Mënyra e vetme për realizimin e amnistisë fiskale është me anë të ëngjëjve të biznesit (business angels).

Çfarë tregon grabitja e Rozeta dhe Havier Dobi në shtëpinë e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj?

Ky rast nuk është gjë tjetër veçse ajo që përmenda më lart. Shumica e atyre që punojnë në administratën publike kanë konceptin dhe parimin se nëse shikojnë diçka mendojnë se është e tyre dhe duan që t’a kenë me çdo kusht. Midis punonjësve të administratës publike shqiptare ka persona që në shtëpitë e tyre luksoze kanë piano 100.000 euro, së cilës nuk i bie askush. Midis punonjësve të administratës publike shqiptare ka persona që e rimobilojnë apartamentin së bashku me tre a katër vilat në bregdet çdo dy a tre vjet. Midis punonjësve të administratës publike shqiptare ka persona që bëjnë pushime luksoze në parajsat botërore dhe në jahte luksoze pa patur aspak frikë për pasojat e veprineve të tilla dhe e tërë kjo pasi ata mendojnë se janë mbret apo mbretëreshë dhe se janë perëndi.Periudha e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund njëherë e mirë e përgjithmonë. Nuk mund të ecet më kështu. Vidh të vjedhim. Kap ç’të kapësh. Kuturis të kuturisim.

“Privatizimet: Duke i kthyer arsimin si në shkolla partie, pedagogët do kthehen në tregtarë diplomash dhe studentët në çirakë të korruptuar që në fazën e vezës.”

-Flitet per privatizimin e arsimit dhe shëndetësisë ku mbështetet kjo. Çfarë do sjellë ky privatizim? Kujt i intereson? Kush përfiton? I forcon apo dobëson këto të dyja?

Tashmë ne kemi një sistem arsimor dhe shëndetësor me dy pronësi, atë publike dhe atë private. Për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit, në systemin publik të arsimit dhe atë shëndetësor, ka keqmenaxhim dhe rënie të cilësisë së ofrimit të shërbimit. Nëse privatizimi sektorit të arsimit dhe shërbimit shëndetësor shtyhet edhe me privatizimin e subjekteve dhe objekteve që janë aktualisht publike, atëhere do gjendemi përballë dy opsioneve. Ose ata që do privatizojnë subjektet dhe objektet do mbajnë tërësisht përgjegjësinë për nivelin e cilësisë dhe sasisë së shërbimeve të ofruara, gjë që është shumë e vështirë, ose shteti do vazhdojë të mbështesë ofrimin e këtyre shërbimeve nga sektori privat, duke shtuar edhe më shumë mundësinë e abuzimeve me qytetarët.

E drejta për arsim dhe qasjen në shëndetin publik është e drejtë kushtetuese. Në ditët tona vetëm një pjesë shumë e vogël e popullsisë është në gjendje të përballojë nivelin shumë të lartë të kostove të shërbimit shëndetësor. Dhe në fushën e arsimit, kryesisht ata që ndjekin nivelin e lartë të studimeve synojnë shkollën publike për shkak të pagesave shumë të larta në institucionet private të arsimit të lartë. Nëse pjesa më e madhe e subjekteve dhe objekteve arsimore do kthehen në private, atëhere rreziku që çmimet për shërbimet e ofruara të rriten nga koha në kohë dhe ndërhyrja qeveritare në këto institucione të jetë shumë abuzive, duke i kthyer këto shkolla në shkolla partie, pedagogët në tregtarë diplomash dhe studentët në çirakë të korruptuar që në fazën e vezës. Ajo që ende nuk është kutuar në Shqipëri është fakti se si shërbimi shëndetsor ashtu dhe ai arsimor, si public, ashtu dhe ai privat janë “të mira publike”. Si të mira publike, cilësia në këto shërbime duhet të jetë maksimale dhe të  krahasueshme me institucionet publike dhe private më të mira në botë në këta sektorë. Kjo kërkon konkurrencë midis dy llojeve të pronësisë, pronës publike dhe asaj private, nën kushtet e një mbikqyrjeje profesionale nga ana e dikastereve përkatëse dhe nën kushtet e një procesi akreditimi institucional dhe procedurash transparente. Kjo e mbyll çështjen dhe jep edhe zgjidhjen. Në rastin në fjalë, nëse procesi ecën sipas pretendimeve, atëhere të dy sektorët do shkojnë në kolaps dhe përfitimet do i vjelin abuzuesit dhe të korruptuarit, që janë me shumicë në administratën publike shqiptare.