UKT investime për rrjetin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrugën e “Kavajës”

462
Sigal

Veliaj:  “Ky është kantieri i 105 i
hapur nga UKT, investimi do t’i rezistojë zhvillimit të Tiranës”

 

Zona që përshkon rruga e “Kavajës”, nga “21 Dhjetori” deri te “Pallati me
Shigjeta”, e cila prek Njësitë Administrative Nr. 5 dhe 7, do të ketë shumë
shpejt një rrjet të ri kanalizimesh të ujërave të zeza dhe të bardha. Bashkia e
Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kanë nisur zbatimin në terren të një
prej projekteve më të rëndësishme, që synon të shmangë problematikat e përmbytjeve,
por edhe të ujërave të zeza, që shpesh herë janë bërë
shqetësim për banorët e zonës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,
theksoi se me këtë investim do t’i jepet zgjidhje një problemi gati 20 vjeçar,
sidomos për periudhat e shirave.

 

“Ky është një nga 105 kantieret e UKT, ku jemi duke punuar, megjithatë
është një ndër më të rëndësishmit, pasi lidh një aks që kryen disa funksione;
së pari, nga “21 Dhjetori” deri te “Pallati me Shigjeta” është aksi kryesor i
shkarkimit në Lanë. Prej kohësh kemi pasur një “hinkë”, e cila krijohej nga pendenca
e qytetit nga sheshi Skënderbej në pjesën e jugore, duke sjellë ujrat, mbetjet,
kanalet e ujërave të bardha e të zeza në Lanë. Duke bërë këtë investim,
paraprakisht e kemi më kollaj të vazhdojmë me rehabilitimin e shtratit të Lanës
dhe shëtitoren nga të dy anët”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se investimi
që po kryhet është projektuar me kapacitete e cilësi që t’i rezistojë kohës dhe
zhvillimit të mëtejshëm të Tiranës.

 

“Zona midis Lanës dhe rrugës së Kavajës është një zonë ku po shtohet
zhvillimi, ndaj duhet të planifikojmë që tani, jo vetëm si të rregullojmë
gabimet e së shkuarës, por t’i paraprijmë një qyteti që sa vjen e rritet. Sot,
në qytetin e Tiranës transferohen rreth 20 mijë vetë në vit, pra rreth 50 vetë
në ditë, ndaj është shumë e rëndësishme që të planifikojmë jo vetëm si të
shmangim problematikat që kemi hasur në të kaluarën nga reshjet, por si
planifikojmë për një qytet që është i destinuar vetëm të rritet në kushtet
ekonomike që ka Shqipëria, ku Tirana është poli kryesor i biznesit e
sipërmarrjes”, shtoi Veliaj. Ai bëri të ditur se investimet e Bashkisë së Tiranës
dhe UKT-së do të vazhdojnë edhe më tej, për të bërë të mundur rritjen e cilësisë
dhe kohës së furnizimit me ujë të qytetarëve.

 

“Kjo është një zonë model me pagesat ujit. Siç e shikoni, si kurrë më parë,
në 25 vite të UKT, çdo qindarkë e qytetarëve hidhet direkt në investime. Brenda
një viti kemi shkuar nga 6-7 orë furnizim me ujë në ditë, në 14 orë, ndaj besoj
se po të vazhdojmë me këto ritme, në vitet e ardhshme do të shkojmë në 24
furnizim me ujë”, theksoi Veliaj. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të telefonojnë
në numrin e gjelbër pa pagesë të UKT-së, 0800-44-88, për të sinjalizuar UKT-në
për çdo problematikë që kanë me rrjetin e furnizimit me ujë dhe atë të
kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha.

 

Investimi i sistemit të ri të kanalizimeve në zonën e Rrugës së Kavajës, ka
për qëllim të zhbllokojë situatën e krijuar në vite, ku sistemi aktual
funksionon pjesërisht dhe jep vazhdimisht probleme që çojnë në përmbytje edhe
bllokime. Përveç amortizimit gjatë 25 viteve të fundit, në këtë zonë janë
ndërtuar disa blloqe objektesh banimi shumëkateshe, të cilat e kanë rënduar
punën normale të këtij kolektori. Për të gjithë zonën, janë bërë matje dhe
studime të thelluara, për të siguruar një rrjet kanalizimesh që t’i rezistojë
kohës edhe me rritjen e mundshme të popullsisë në vazhdim. Rrjeti i ri i
kanalizimeve përfshin një sipërfaqe prej 54 hektarë dhe ka një gjatësi 1039 metra
linear. Sistemi i ri i kanalizimeve do të bëjë rrjedhjen normale në Lanë të
ujrave të përdorur të të gjithë zonës.