Dr. Sulejman Abazi: Zgjedhjet e reja në Kosovë, të pashmangshme!

218
Pse një kryeministër si Albin Kurti, përbën problem për Bashkimin Europian! 
Dr. Sulejman Abazi [NESHAJ] 
Pedagog i Shkencave Politike dhe të Sigurisë. 
Ballkani kërkon riformatim demokratik. Gjeopolitika dhe Gjeostrategjia janë dy shkenca të mëdha brenda Shkencave Politike, që kërkojnë veç të tjerash, të vihet në veprim logjika matematike. Ato imponojnë misione, objektiva dhe detyra në qëndrimet e shteteve dhe në marrëdhëniet midis tyre. Ndonjeherë në trajtimin e këtyre fenomeneve që kanë të bëjnë me thelbin e këtyre objektivave, nuk vlen fondamenti akademik më shumë se sa vlen ai intuitiv. Pyetja shtrohet e drejtëpërdrejtë: A është në gjendje sot politika shqiptare të vendosë ballancën e forcave në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkanin Perëndimor? Këtu kam parasysh politikën shqiptare në tre qendrat më të mëdha politiko administrative, në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup. Përpos qëndrimit dhe politikave të të dy shteteve shqiptare, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, sot Serbia i ka troje të aneksuara borxh shqiptarëve, ndërsa Greqia përveç kësaj, akoma ka pretendime territoriale nëpërmjet doktrinës bizantine të “Vorio – Epirit”. Nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, është kuptuar që politika dhe synimet gjeopolitike në Ballkan qëndrojnë vetëm tek sigurimi i ekuilibrit dhe stabilitetit. Për riformatimin demokratik të pushtetit politik, politikanët e sotëm me mendësi ballkanase, duhet të hapin portat e mendjes dhe të orientohen drejt standardeve të shtetit të qytetarit dhe respektimit të të drejtave njerëzore e humane. Prezantimi i kësaj pollitike brenda popullit shqiptar në trojet etnike, duhet të ngrihet në nivelet më të larta të përgjegjëshmërisë në politikat shtetërore. 2. Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje. Dështoi edhe një tentativë tjetër e konstituimit të institucioneve në Parlamentin e ri të Kosovës. Kjo pasqyron krizën e thellë morale dhe politike, të një klase politike pa kockë e pa bosht, e cila po mban peng institucionet legjitime, duke e zhytur më thellë shtetin në kaos. Populli i Kosovës është lodhur nga kjo qeverisje për disa arësye: Servilosja ekstreme ndaj faktorit ndërkombëtar, e cila është shfaqur në rezultatet e bisedimeve me Serbinë; Lëshime të pajustifikuara, të cilat kanë prekur interesat kombëtare në politikat e brendëshme dhe të jashtëme; Vazhdimi i mburrjeve dhe mbajtjes peng të pushtetit dhe jetës social politike në emër të luftës çlirimtare; Zhytja në korrupsion të thellë moral, politik dhe financiar. Mungesën e zhvillimit ekonomik me efekte të rënda sociale Thellimi i krizës së besimit midis popullit dhe politikës, qytetarëve dhe shtetit. Kjo qeverisje që mund të vijë në tentativat që po bëhen nën dirigjimin politik të disa politikanëve në majën e pushtetit, Thaçit, Veselit, Limajt apo Haradinajt, është fryma e fundit, shansi i fundit që mund të jepet në emër të luftës çlrimtare. Për shkak të këtij ngërçi politik dhe bashkëpërgjegjësisë në qeverisje, edhe LDK-ja me këtë rast mund të dalë nga loja politike. Skandali: Nga zgjedhjet e 11 qershorit e deri tani, politika shqiptare në Kosovë nuk arrin të miratojë institucionet kushtetuese dhe të sjellë në mision qeverinë e Kosovës. Thelbi i momentit të krizës: Edhe nëse krijohet qeveria nën dirigjmin e PAN-it, atëherë cila është perspektiva e saj? A duhet të shkojë vendin në zgjedhje të reja? Çfarë modeli po japin deri tani koalicione të tilla që po e mbajnë peng Kosovën? Kjo klasë politike, mendon me përgjegjësi për Kosovën, apo janë kapur në një luftë dhe përplasje interesash për karriget e tyre, duke shfrytëzuar përparësitë që u jep pushteti politik? Nëse kjo lloj qeverisje nuk sjell asgjë të re, atëherë përse duhet dhe kujt i duhet? Kosova sot ka nevojë për një qeverisje të fortë dhe stabile, mundësisht e vetme në drejtim. 3. Kosova ka nevojë për alternativë të re politike! Në këtë pamje, ajo që bie në sy është qëndrimi i Vetëvendosjes, e cila aktualisht është partia më e madhe në Kosovë. Nga qëndrimet dhe deklaratat është konstatuar se Vetëvendosja kërkon ndryshimin dhe riformatimin e politikës që pas përfundimit të luftës çlirimtare. Këmëngulja e Vetëvendosjes në planin kombëtar, deklarimi drejt bashkimit Kombëtar, është pika më delikate që e bezdis më shumë BE-në sot në qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Albin Kurti për Europëqn është problem. Vetëvendosja ka dëshmuar deri tani se është e pakompromis për zgjidhjen e krizës në dëm të Kosovës dhe interesave të qytetarëve të saj. Ajo po qëndron larg pazareve politike. Për këtë parti dhe partitë e tjera, primare sot në jetën social politike të Kosovës, është zgjidhja e çështjes kombëtare. Pas kësaj vijnë elementët e tjerë. Këtë kërkesë politike e shikojmë edhe nga qëndrimi që mban sot populli shqiptar në Kosovë. Vota në zgjedhejt e 11 qershorit është dhënë vetëm për partitë, ndërsa koalicionet që janë formuar tregojnë hapur pazaret politike për mos ta lëshuar pushtetin. Nëse do të krijohet një qeverisje e PAN-it e dobët, nuk do të sjellë asgjë të re dhe është e destinuar të rrëzohet. Opinioni kupton fare lehtë që, në plan të parë jaën vënë interesat vetjake dhe klanore të politikës. Askush nuk merr nismën për zgjidhje, por me këmëngulje tregojnë shkallën më të lartë të papërgjegjëshmërisë politike dhe shoqërore. Çdo qeverisje në të gjithë rastet e kompromiseve, që nuk do të ketë brenda saj Vetëvendosjen, do të jetë një qeverisje e paqëndrueshme. Ajo nuk do të garantojë jetëgjatësi, duke e mbajtur krizën të ngritur brenda jetës sociale dhe politike në vend. Nëse ndërtohet një qeverisje me Vetëvendosjen, Kosovës do t’i hapen perspektiva më të qarta, duke dëshmuar që, një qeverisje ndryshe me alternativë të re, nga një fëmijë në gjum që nuk e shqetëson Europën, siç ka ndodhur deri tani, do të zgjohet një “rrebel” që do të kërkojë të rivendosen jo vetëm të drejtat e mohuara kombëtare në Kosovë, por do të kërkohet që Europa një herë e mirë të heq dorë nga lojërat poplitike dhe zvarritjet që i bëhen proceseve të demokratizimit të jetës së institucioneve në Kosovë. Kanë kaluar 20 vite që nga çlirimi dhe Kosova nuk mund të merret më për dore, si deri tani. Koha dhe situata e kërkon një frymë të re. Në këto kushte, duke vlerësuar mungesat thelbësore që ka sot Kushtetuta e Kosovës, e cila e parashikon shtetin shqiptar si “shtet multietnik”, duke vlerësuar përmbushjen e standardeve në Kosovë që kanë të bëjnë me pakicat etnike, më duhet të them, që Pakua Antihsari e ka plotësuar misionin e saj dhe Kosova sot ka nevojë për një Kushtetutë thellësisht demokratike, mbi bzaën e standardeve të shtetit të qytetarit. Qeverisja e re në Kosovë duhet të udhëhiqet nga një filozofi shkencore, e ndërtuar mbi bazën e respektimit të interesave kombëtare dhe të politikave të drejta sociale. Është paraparë që, në programin e Vetëvendosjes kjo filozofi është e parashtruar qartë. Ajo që e bezdis Europën sot në raportin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, është riformatimi i politikave në marrëdhëniet midis Kosovës dhe BE-së mbi bazën e koncepte të reja që burojnë nga programi politik i Vetëvendosjes. Pas 20 viteve në Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra, të cilat në mënyrë diabolike BE aktualisht nuk po i merr parasysh. Përballë këtij qëndrimi, Albin Kurti dhe partia e tij kërkojnë standarde të reja. Përkundër situatës që shkakton ngërçin politik në Kosovë, partia më e madhe në rast të zgjedhjeve të reja, është e garantuar që Vetëvendosje do të arrijë më shumë se sa gjysmën e karrigeve në Parlament. Sipas mendimit tim, nga informacioni i mjaftueshëm, tek PAN-i nuk shikoj të ketë një program që i jep zgjidhje problemeve imediate që ka Kosova sot. Parashikimet politike për mënyrën e qeverisjes së sotme, e shikoj si një rutinë të qeverisjeve të mëparëshme. Kjo situatë po sjell thellimin e mëtejshëm të krizës sociale dhe politike duke nxjerrë në sipërfaqe shkaqe më të thella, që denoncohen nga revolta popullore, e cila sot përfaqësohet nga Vetëvendosja. Nëse Kosova shkon në zgjedhje, shqiptarët me siguri do të kapen nha “inati” karakteristik dhe kjo parti mund të marrë aq deputetë sa të mos ketë nevojë për koalicione me parti të tjera për qeverisjen e Kosovës.