Dr. Ina. K. Zhupa: Beqaj, mozaiku më i zymtë i administratës publike

597
Sigal

Telefonata mes drejtorit dhe ministrit më
shërbeu si një nga pjesët e mozaikut, që e ka marr formën e vet edhe pa këtë
pjesë. Një drejtor që rendit si merita të tij edhe arsye për ta mbajtur punën
se është me Partinë Socialiste, se ka mbledhur 40 firma për partinë, se ka qenë
në 2000 me partinë me siguri është një nga drejtorët e dështuar dhe të emëruar
po politikisht nga PS. Nuk tha asnjë fjalë që kam punuar mirë si drejtor, ose
si e ka performancën si drejtues, nuk tha asnjë fjalë për këto sepse ose nuk kishte
asgjë për të thënë, ose nëse kishte nuk besonte se i interesonte shumë
ministrit kjo gjë. Pra performanca në punë, a punon mirë apo jo për qytetarët
ai që paguhet me paratë e qytetarëve është gjeja e fundit që mund t’i bjer në
mend qoftë drejtorit aq më pak ministrit. Nga ana tjetër një ministër që e mori
detyrën pasi ishte shpallur shkelës i kushtetutës si abuzues me fondet publike
për të mira private, ka 3 vjet që ka abuzuar dhe ka shkatërruar sistemin
shëndetësor të shqiptarëve por jo vetëm kaq. I ka vjedhur dhe në mënyrë
flagrante dhe me shuma marramendëse për vete, Ramën dhe miqtë e tij. Ky
ministër do ishte shkarkuar me kohë për këto, nëse nuk do ishte vetë Rama pas
tij dhe drejtimi i tij. Sot thjesht na shtoi edhe një skandal më shumë, për të gjitha
së bashku duhet të kishte dhënë me kohë dorëheqjen dhe duhet hetuar nga organet
përkatëse. Ky ministër që dështimin e mbledhjeve të partisë nën drejtimin e tij
e shfryn tek vartësi që nuk u paraqit, duke shfrytëzuar lidhjen e vartësisë që
ka edhe e shkarkon po politikisht nuk ka më asnjë lloj legjitimiteti. Ministra
që përdorin pushtetin për të bërë punët e partisë, që shkojnë me makinën e
shtetit, me karburantin e shtetit, në orarin e punës dhe përdorin zyrtarët për
të mbushur sallat. Mos harrojmë Gjiknurin që si ministër i paguar nga taksat
tona nuk ndenji për 2 muaj në zyrë dhe bënte fushatën e Dibrës në çdo takim
fliste në vend të kandidatit. Por në këtë rast që denoncoi me kurajo emisioni
Stop, të dy si drejtori i shkarkuar dhe ministri në këtë rast janë pjesë e të
njëjtit mozaik, mozaiku që tregon degradimin dhe përdorimi thellësisht politik
të administratës publike. Një nga pesë kushtet e vendosura nga Bashkimi
Europian për hapjen e negociatave drejt rrugës së anëtarësimit është një
reformë në administratën publike që të jetë e depolitizuar, efiçente, larg
korrupsionit dhe të funksionoj në bazë të ligjit. Mozaiku tregon se jemi shumë
larg plotësimit të kushtit të Bashkimit Europian që i shërben çdo shqiptari,
edhe jo thjesht PS ose PD. Pjesët e këtij mozaiku filluan që në vendimin e parë
të kësaj qeverie që hodhi poshtë një ligj të miratuar me konsensusin e dy
palëve (PD/PS) për administratën publike edhe bëri pushime masive nga puna me
ardhjen në pushtet. Ishte kjo qeveri që përdori gjerësisht idenë e shkrirjes, e
riemërtimeve, e ristrukturimeve të dikastereve dhe institucioneve shtetërore
vetëm e vetëm që në këtë mënyrë të mund të hiqte njerëz dhe të emëronte të
tjerë. Ishte kjo qeveri që i shtoi faturën buxhetit të shtetit teksa humbi
gjyqet me të pushuarit pa të drejtë nga puna dhe për të njëjtin  pozicioni
 paguante 2 herë atë që kishte punësuar politikisht dhe atë që kishte
fituar gjyqin por se kthenin në vendin e punës. Ishte Rama kryeministër i këtij
ministri që doli me zë ne media gjatë zgjedhjeve lokale që në Shkodër kishte
mbledhur drejtorët dhe faktoi qartësisht që drejtorët janë emëruar nga partia
dhe detyrë kryesore kanë votat për të ruajtur vendin e tyre punës dhe jo siç do
të ishte normale të kishin parësor ligjin dhe shërbimin ndaj qytetarit. Partia
Socialiste aq shumë e ktheu administratën në pronë të partisë saqë vendosi pak
pasi kishte marr pushtetin një vendim që dikton që të gjithë anëtarët e saj që
janë të punësuar në administratën publike do të paguajnë 3% të rrogës së tyre
për financimin e partisë. Ky vendim na tregon legjitimimin e emërimeve në
administratën publike në mënyrë politike dhe në mënyrë korruptive. Ky është
mozaiku ku Beqja është pjesa e radhës që zbuloi media, duke na shtuar
vështirësitë në rrugën tonë për të qenë me pranë standardeve dhe kritereve që
na kërkon BE por që na shërbejnë të gjithëve.