Çlirim HOXHA/ Vlora është e qetë në këtë dimër të trazuar

577
Sigal

Demokracia si një rend i përparuar paska kusure që për ne shqiptarët janë një befasi e padëshiruar, po të kemi parasysh edukatën dhe sjelljen tonë brenda izolimit 50- vjeçar të një regjimi të koklavitur. Shqiptarët e paguan shumë shtrenjtë demokracinë, po t’i referohemi shifrave të frikshme të jetëve të humbura në këto 23 vjet. Asnjë luftë nuk do t’i justifikonte humbjet e jetëve të shqiptarëve në kohë paqeje dhe kjo nuk do shumë mend, por të gjitha kanë një shkak dhe shkaku është politika e papërgjegjshme që shqiptarët patën fatin e keq të përjetonin në këto vite. Burrat shqiptarë që morën përsipër ta drejtonin Shqipërinë drejt limanit të parajsës, nuk e merituan dot këtë emër, por mbetën burrecë dhe shumë të vegjël në shpirt, sjellje dhe mentalitet. Nuk do të bënin më shumë se kaq tradhtarët e kombit shqiptar dhe e gjithë përgjegjësia e situatave që po kalojmë bie pikërisht tek klasa e paaftë politike, zhytur në zullume deri në grykë. Fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve është fakti që gjatë këtyre viteve të demokracisë nuk patën dot një burrë shteti të përmasave të Ismail Qemalit apo të Skënderbeut, por patën mbi krye (me përjashtime shumë të vogla) disa leshko hajdut me çizme që menduan dhe punuan vetëm për sojin e oborrit të tyre politik dhe familjar, duke i lenë shqiptarët në mjerim, vrasje, terror dhe padrejtësi. Hajdutllëku dhe korrupsioni u ngrit në sistem në këto 20 vitet e fundit dhe kjo falë këtyre leshkove të politikës, këtyre hajdutëve me çizme, këtyre bastardëve që për pushtet janë gati të shesin edhe vendin e varrit, po të kemi parasysh se kishin në prehër një drejtësi pa drejtësi, e cila ecte mbi shinat qorre të një sistemi të degraduar. Por situata u duk se po përmirësohej dhe shumica e shqiptarëve morën frymë të lehtësuar, kur në krye të vendit erdhi koalicioni i madh i së majtës PS-LSI. Mirëpo duket se, dikujt i thernin sytë nga ndryshimet politike në Shqipëri dhe nisi të verë shkopinj nën rrotat e qeverisjes së re, me qëllim destabilizimin e situatës, pa pyetur se ky Atdhe është i shqiptarëve dhe jo i terroristëve, jo i kriminelëve të markuar politikisht, jo i maskarenjve. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe shtimi i atentateve me eksplozivë në Vlorë e në disa qytete të tjera kryesore të vendit. Klima që u krijua dhe u frymëzua ka një mbret dhe ky mbret, për mendimin tim quhet “Mbret i terrorit”. Ky “Mbret” hedh C-4 dhe fsheh dorën, manipulon opinionin, paralelizon pushtetet, shërbimet e inteligjencës dhe punon pa u lodhur për ta destabilizuar këtë vend për interesat e tij apo të dikujt tjetër jashtë kufijve të këtij vendi. Klima e krijuar me atentate mafioze ka një shtrat të vjetër, një shtrat që u formësua dhe u forcua gjatë një periudhe kohore vegjetative të një pushteti që vetëm mendonte për të vjedhur dhe pasuruar me çfarë kishte rreth e rrotull tij, duke u lenë të kuptojnë hajdutëve dhe mafiozëve se ky vend ndryshe quhet “Han i Stavros”, ku gjithkush mund të strehohet dhe të bëjë ç’të dojë, të vrasë, të presë, të iki dhe të vijë si të dojë dhe kur t’i dojë qejfi dhe të mos i hyjë asnjë gjemb në këmbë. Të blejë drejtësinë, të blejë magjistraturën, të blejë vendin e noterit për 80 mijë euro, të blejë monopolet, të bllokojë tregun, të blejë kompani dhe të shes licenca miliona euroshe?! Ja, kjo është Shqipëria e pas viteve ‘90-2013?! Kjo është demokracia që u instalua në këtë vend pas viteve ‘90, demokraci e tymosur nga tymi i hashashit dhe spërkatur nga pluhuri i heroinës dhe kokainës. Por le të kthehemi në Vlorë, qytetin më të bukur dhe të lakmuar në botë. Vet pozicioni gjeografik i këtij qyteti e bënë atë vendin, ku trafiqet, krimi dhe korrupsioni ta shfrytëzojnë si çerdhen e tyre. Në Vlorë kanë ndodhur shumë episode të dhimbshme gjatë 20 viteve të fundit, ku kulmi u arrit në vitin e keq ‘97, sepse këtu u instalua informaliteti financiar dhe paratë buronin lum nga trafiqet e mëdha dhe emigracioni. Këtu kishin futur duart edhe shumë politikanë, të cilët mbajnë përgjegjësi për shkatërrimin e ekonomisë së Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Pas ‘97-ës Vlora u ringrit madhërishëm drejt detit. Qyteti mori tjetër pamje, krahasuar me atë të viteve para ‘90-s. Në krye të bashkisë së qytetit, populli i Vlorës delegoi me mandat të plotë disa nga figurat e tij më të spikatura, si Neki Dredhën dhe Niko Veizin për të mbërritur tek kryetari aktual zoti Shpëtim Gjika i mandatuar tre herë rresht. Duhet thënë dhe duhet pranuar pa hezitim se gjatë 10 viteve në krye të qytetit Gjika i dha Vlorës frymëmarrjen që i kishte munguar, i dha sharmin e nevojshëm dhe e bëri atë të shpallej për disa vite rresht si “Mbretëresha e turizmit shqiptar”. Të mjekoje plagët që kishte lënë ‘97-ta në Vlorë nuk ishte kollaj, por Shpëtim Gjika ja doli dhe sot kemi një tjetër qytet, kemi Vlorën moderne dhe brilante, por pa dorën dhe ndihmën e qeverisë së kaluar, e cila e pa Vlorën gjatë tetë viteve të saja në pushtet, si vajzën e njerkës. Deri tani Vlora është mbrojtur me brumin  e saj. Socialistët me Edi Ramën, ose Edi Rama, jo vetëm si Kryeministër, por në radhë të parë si deputet i Vlorës ka marrë përsipër projekte madhore që i bëjnë nder jo vetëm Vlorës, por gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ku jetojnë. Vlora është qyteti i Flamurit, qyteti i Pavarësisë sonë Kombëtare, qytet i historisë dhe kulturës, paçka se hera-herës dikush kërkon t’ia prishë imazhin përmes ndonjë atentati mjeran, që merr jetë njerëzish, por fut në telashe shekullore autorët. Në një sistem, ku të gjithë veset njerëzore ngrenë krye, pa tjetër që Vlora si një qytet i madh i Shqipërisë dhe me resurse turistike-portuale nuk mund t’i shpëtonte këtyre episodeve sporadike. Them sporadike sepse në Vlorë këto episode janë vërtetë të rralla. Rastet e fundit mendoj se nuk përbëjnë asnjë shkak për të thënë se Vlora nuk ka qetësi. Policia e pas 15 shtatorit 2013 është tjetër gjë dhe duhet përkrahur dhe përgëzuar për atë ç’ ka po bën, ku kulmi arriti me arrestimin e grupit të terrorit. Disa analistë që bëjnë bla-bla nëpër ekrane, se policisë i vajti peshku vet në rrjetë, janë bajate. Ashtu siç ishte motivuar policia së fundmi nga Ministri Tahiri me siguri që gjurmët do ta çonin në vrimën e duhur të krimit. Askush më parë nuk kishte kërkuar ndërhyrje në kompanitë celulare për të nxjerrë jashtë pune numrat e paidentifikuar apo të shumtë. Askush nuk kishte marrë në konsideratë rrjetet sociale për të parë dhe mbajtur nën kontroll kriminelët, por ja që policia tani ka një performancë tjetër dhe kjo është fryma pozitive që Edi Rama po fut në këtë vend. Vlora është shumë e qetë në këtë dimër përgjithësisht të trazuar dhe pret pranverën për të lulëzuar siç ja ka hije një qyteti rrethuar nga kurora e ullinjve dhe bluja magjike e detit. Vlora nuk pranon të trazohet nga askush më, siç ka ndodhur në të kaluarën kur dërgoheshin mercenarët kundër sajë, të cilët vinin për lesh dhe iknin të qethur.