Natasha Shpuza: Kritika e befasishme e Festivalit të 11-të na çorientoi

1144
Sigal

INTERVISTA/Flet Inxhinierja elektronike Natasha Shpuza: Më kritikuan për modë të huaj se vesha një palë çizme llastiku që i bleva në Paris

 Mbetet pionierja e teknikës dhe pajisjeve elektronike në TVSH. Ka punuar aty që në moshën 19-vjeçare deri në vitin 1990, kur e hoqën padrejtësisht. Si inxhiniere elektronike ajo ka në memorien e saj gjithë modernizimin e RTSH, por çon në memorie të gjithë drejtorët kryesorë të RTSH. I kujton në mënyrë perfekte mbledhjet e kolektivit të RTSH, pas Festivalit të 11-të dhe dënimin e padrejtë të Todi Lubonjës. Me emigrimin në Itali, ajo u lidh dhe më shumë me TVSH, pasi njohjet e saj në RAI, bënë që në këtë televizion të vërshojnë aparatura, pajisje, ekrane, monitorë specialë, që as i dihet fillimi as fundi. Madje, e kishin caktuar si përfaqësuese të RTSH, pranë Rait, por në fund ngeli e zhgënjyer pasi, as sigurimet shoqërore nuk i ishin hedhur, pa diskutuar për rrogë.

 Kur keni shkuar e emëruar në RTSH?

Në korrik të vitit 1966 mora lajmin e mirëpritur se do të filloja punë në RTSH. Gjashtë muajt e parë punova si teknike në studiot e Radios në regjistrim dhe transmetim në gjuhët e huaja që ishte me tre turne në atë kohë. Studiot ishin pajisur me magnetofon të prodhimit hungarez dhe një pjesë ën studiot e montazhit ishte aparaturë e vjetër. Në vitin 1967 fillova punë në televizion si teknike zëri në një pult të vjetër  KSG, e pas një muaji në kontroll kamera.

  Kush ishte drejtor në atë kohë në RTSH?

 Drejtor në atë kohë ishte Thanas Nano. Marrëdhëniet e mia në fillim me të ishin shumë të mira. Por dhe më pas jo se patëm kontradikta të forta, por patëm debate në organizatën bazë të partisë, ku unë në moshë te re isha bërë anëtare e saj. Që e re isha anëtare e rinisë dhe një ndër aktivistet më të shquara të saj.  Klimi Miso ishte nga Komitetit Qendror që mbulonte dhe televizionin, i cili në atë kohë mbulonte tre orë program në ditë. Pasi ende nuk kishte ardhur regjistrues i figurës dhe transmetimet në tv transmetoheshin direkt nga një studio e vjetër në hyrje të radios ngjitur me bufenë ku pihej kafeja.  Klimi më kishte thënë disa herë të bëhesha anëtare partie dhe pse në atë kohë, ishte nder të ishe anëtare partie. I isha përgjigjur se jam e re e nuk jam e përgatitur, por më në fund  më komunikuan që më kishin pranuar anëtare. Si shumë të tjerë fillova dhe unë jetën si anëtare partie. Thanas Nano kishte meritën  për mbajtjen e një rregulli absolut, lidhur me disiplinën e pastërtinë në RTSH, ku çdo gjë  ishte perfekte, që nga korridoret e deri tek parketet. Problemi ishte që pavarësisht nga niveli intelektual, Thanasi ishte tepër konservator, ku në një periudhë  mbledhjet e partisë, u bënë skenë e grindjeve, zënkave midis tij dhe personave që sapo kishin ardhur në RTSH për të punuar. Në atë kohë Sekretar i Rajonit për Tiranën Gani Keçi, i cili ju kundërvu ashpër për qëndrimin e tij hakmarrës karshi personave që e kritikonin me të drejtë. Kjo periudhë ishte e ngjeshur  me ardhje të udhëheqësve të ndryshëm në RTSH si: Miti Tona, drejtor i shtypit në KQPPSH, për të qetësuar gjendjen. Unë kam kundërshtuar me forcë qëndrimet hakmarrëse të Thanas Nanos, i cili dhe pse ishte mik i familjes dhe pjesëtar i Brigadës së pestë, partizan me tim atë, më kërcënoi se do të më çonte në radiostacionin e Kasharit që të punoja me turne, pikërisht në atë kohë kur unë isha vetëm 22 vjeç. Dhe kisha dy djem të vegjël Andin e Ervinin, njëri një vjeç dhe tjetri afërisht dy vjeç. Por Thanasi nuk arriti ta bëjë këtë gjë, pasi organizata nuk e lejoi pasi nuk kishte logjikë diçka e tillë. Me këtë metodë ai drejtoi për vite të tëra RTSH, por pa mohuar meritat e tij, në ato që thashë më parë. Merita, të cilat nuk i pati asnjë pas tij.

 Si u modernizua RTSH me kalimin e kohës?

Përsa i përket modernizimit, kjo filloi me udhëtimin tim të parë në vitin 1969, kur isha vetëm 19 vjeç, për në Francë (Paris) së bashku me Bashkim Salën. Në atë kohë në TVSh sapo kishte ardhur dhe Spiro Qirko, teknik i vjetër, i aftë, burrë i urtë dhe i nderuar. Shkuarja jonë në Paris kishte si qëllim zgjedhjen e kamerave për televizionin. Dihet kamerat e asaj kohe ishin bardhë e zi. Firma që ne shkuam ishte ndër më të njohurat në botë “Tomson”.

Si qe ky udhëtim juaji në Paris në atë kohë?

 Udhëtimi im i parë qe si zbulimi i Amerikës,  nga Ameriko Vespuçi, një shok i vërtetë, që filloi qysh në ndalimin transit në Budapest, e më vonë në Parisin e mrekullueshëm dhe të pafund. Me muzeumet, veprat e artit, sheshet, katedralet dhe jeta në përgjithësi aty ishte fantazi e vërtetë.  Kthimi në atdhe kishte krijuar shumë pikëpyetje tek unë, sepse qysh nga ky moment kuptova që ekzistojnë dy botë të ndryshme, pa asnjë pikë të përbashkët. Isha shokuar dhe me vete mendoja se isha dënuar që jetoja në këtë vend që njerëzit ishin të painformuar. Jeta në Tiranë ditët e para më dukej bosh. Kisha pësuar një shok të vërtetë. Mbaj mend ditën e parë të kthimit në punë, ku kisha veshur një kostum me kuadrate e një palë çizme të vogla plastike nga më të thjeshtat të blera në Paris. Ishin blerë më lirë dhe se në Tiranë. Fola me disa shoqe për ato që pashë. E pagova shtrenjtë pasi u akuzova se ndjek modën e se duhet të kisha kujdes e të mos flas shumë dhe me entuziazëm për ato që pashë në Paris. U dëshpërova. Por nuk kuptoja përse kjo ligësi pse nuk duhet të thoja të vërtetën, ç’të keqe kisha bërë. Pas tre muajsh erdhi një urdhëresë për të shkuar për specializim jashtë një inxhinier dhe dy teknikë. Filloi periudha e modernizimit.  Tashmë në TVSH ishin instaluar dy kamera imazhi “Ortikon”, polake. Por pulti i regjisë ishte qesharak, një kuti bojë kafe me 6 hyrje figure nga telekamerat 16 min për kronikat e 35 min për transmetimin e filmave, derisa erdhi  videofoni i parë Philips. Ato pak orë transmetimi  jepeshin  me telekinematë e me kamerat prodhim polak. Ndërkohë, në televizion po vinin inxhinierë dhe teknikë të rinj. Po fillonte një etapë e re dhe pse ngushtica  e pallogaritshme. Në një vend shumë të ngushtë ishin instaluar dy kontroll kamerat, pulti i zërit, i regjisë,  telekinematë 16 e 35 min,  si dhe një transmetitor 2KË. Në këtë moment filloi projekti për ndërtimin  e godinës së re të televizionit,  nën drejtimin e Alfred Xhufkës si kryeinxhinier. Teknikët e inxhinierët kanë bërë një punë të pallogaritshme, për instalimin e aparaturave në televizionin e ri.  Punohej natë e ditë me pasion e profesionalizëm të madh dhe pse të pakët ishin ata që shkonin për specializim pranë firmës “Bosch” në Dortmuth të Gjermanisë.

 Çfarë pune bënit ju gjatë kësaj kohe?

Në këtë kohë unë isha kryeteknikë e vazhdoja studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike, të cilin po e mbaroja me përfundimin e instalimeve të aparaturave në TVSH. Në vitin 1972 u emërova Inxhiniere e telekamerave e përgjegjëse e turnit që në atë kohë ishin për regjistrim e transmetim.

 Ku ishit gjatë Festivalit të 11-të?

 Atëherë isha në këtë pozicion që thashë. Festivali i 11-të, u quajt më vonë “Festivali i zi”. Unë kam marrë pjesë në tog gjitha festivalet që janë transmetuar në televizion, deri në momentin që në mënyrën më mizore më hoqën nga puna dhe pse udhëzimi ishte që aty, ku janë burrë e grua, të hiqet vetëm njeri. D.m.th në vitin 1990 mori fund karriera ime në RTSH dhe pse isha rritur me të. Por le të kthehemi tek festivali. Unë gjithë jetën time kam qenë shumë e pasionuar pas muzikës dhe në atë festival kam përplasur duart më shumë se, kushdo. Ato këngë të atij festivali ishin moderne, me ritëm, plot hapësirë. I këndoja rrugës kur shkoja në shtëpi. I këndoja edhe kur isha në punë nën zë. Kur ja papritur, erdhi urdhri se duhej pezulluar dhe të ndalohej transmetimi në tvsh i një pjese të këngëve. Konkretisht për ato këngë që thuhej se tingëllonin si moderne, të avancuara, me muzikë borgjezo-revizioniste, u ndalua transmetimi menjëhershëm. Në atë kohë drejtore e Radios ishte Nefo Myftiu,  gruaja e anëtarit të Byrosë Politike Manush Myftiu.  Na kishin njoftuar që përpara se nuk duhet ta propagandonim më këtë festival, me veshje mode të huaj, e me një muzikë tepër moderne. Nuk do të harroj kurrë egërsinë me të cilën të dërguarit e Komitetit Qendror në atë kohë kritikuan Todi Lubonjën. E Nefo Myftiun, e cila bëri një autokritikë të sinqertë. Sipas meje, ndaj tyre u sulën ashpër. Mbaj mend autokritikën e Todi Lubonjës, i cili kur tha për jetën e tij qysh në luftë e deri në këtë të diskreditimit, u habitëm  se si e cilësuan shkelës të normave të partisë dhe mësimeve të shokut Enver. Nuk më harrohen lotët e tij të sinqertë. Në atë kohë edhe pse isha tepër e re, së bashku me shumë të tjerë isha caktuar të mbaja qëndrim ndaj Todi Lubonjës, duke më vënë në pah se dhe ti ke gabuar ndaj duhet të përmirësohesh. Dhe gjithmonë më vinin në dukje modën, palltot e gjata, çizmet, etj.. Mbaj mend se situata në shtëpi nuk ishte e qetë, pasi këtë sektor e mbulonte  Ramiz Alia që ishte shoku i rinisë dhe i luftës me Todi Lubonjën. Por edhe Ramizi nuk mundi ta mbronte, si duhej, “diku flinte lepuri”. Mbaj mend se edhe Ramizi ishte shqetësuar, pasi këtë ma tha vetë në një ditë Semiramisi, gruaja e Ramiz Alisë, një grua e lartë, plot kulturë. Ajo më thotë: “Natasha nuk e kuptoj pse e luftuan aq shumë Todin edhe për fustanet, kur fustane të gjatë mbante dhe Tefta Tashko Koço që në ato vite. Unë u stepa. U ngurosa. Kisha frikë mos na kishte dëgjuar njeri. Por kurrë nuk dyshova në sinqeritetin e Semiramisit. Si duket ajo e kishte diskutuar me Ramizin dhe ai nuk kishte çfarë të bënte. Kur flitej për partinë, nuk diskutohej asnjë anëtar i Byrosë Politike.

 A ke marrë pjesë në instalimin e aparateve elektronike në ndërtimin e Pallatit të Kongreseve?

 Me fillimin e ndërtimit të Pallatit të Kongreseve,  sipas arkitektëve të drejtuar nga Klement Kolaneci, atëherë Drejtor i Institutit të Projektimeve, në atë kohë do caktohej edhe një grup nga RTSH për orientime për instalimet e pajisjeve që duheshin për TVSH në raste kongresesh apo aktivitetesh të rëndësishme. Në atë kohë unë punoja si përgjegjëse e studiove në RTSH në Drejtorinë Teknike. Kryetare e grupit isha unë për projektin teknologjik, së bashku me inxhinier Agim Abazin dhe teknikun Ilia Dante.  Punonim në ndërtesën, ku ka qenë shtëpia e Mbretit Zog, përballë televizionit.  E vërteta është që marrëdhëniet me arkitektët që punonin për projektin e Pallatit të Kongreseve ishin shumë miqësore e në harmoni të plotë. Sokol Hoxha që drejtonte grupin e telekomunikacionit,  pasi ishte dhe drejtor aty, edhe pse ishte i biri i Enver Hoxhës, njihej si njeri i thjeshtë, i komunikueshëm, i saktë, i qetë. Asnjëherë nuk është shfaqur arrogant, por plot mirësjellje. Me dhëndrin Klementin (Klemin), jemi ndeshur disa herë, pasi e konsideronte Pallatin si të tij dhe mbahej hijerëndë. Shpesh bënte fjalë se, dikush shkelte mbi tapetet e platformën e pastruar.

 Çfarë mund të veçosh nga këto momente delikate në marrëdhënie me të, apo me pjesën tjetër të stafit?

Njëherë shoqëroja një gazetar të ZDF-së, radiotelevizionit gjerman, që donte të filmonte monumentin e Nënë Shqipëri që ishte në hyrje të pallatit. Klementi më ndalon me egërsi, pasi e cilësonte sekret xhirimin, apo filmimin e këtij projekti nga të huajt, pasi ai përbënte sekret shtetëror. U habita. Shtanga, kushedi, ku do i dilte uji kësaj pune. Së bashku me gazetarin gjerman, të fyer u kthyem në hotel “Dajti”. Unë isha shumë e shqetësuar, por jo më pak gazetari gjerman. Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, në seancën që u mbajt për raportimin për Pallatin e Kongreseve, nën drejtimin e shokut Rami zalia, merrnim pjesë unë dhe ish- Drejtori Teknik  Rifat Kryeziu. Pas raportimit të Klemit, për punimet, një nga pikat ishte kritika në adresën time, ku sipas Klemit nuk duheshin lënë të huajt të filmonin në ndërtimin e pallatit. Më hyri frika deri në palcë. Mendoja se nuk do e ngrinte këtë problem. Gati po më binte të fikët. Për një moment në gjithë sallën ra heshtje. E zymtë çdo gjë. Prisja fjalën e Ramizit. Një fjalë e tij ose më çlironte ose më çonte në dhe të gjallë.  Ramizi ju drejtua Klemit, rri i qetë Klement, se të huajt po të duan i filmojnë të gjitha ato që duan me satelit. Le t’i dinë që të mësojnë se dhe ne bëjmë gjëra të mira. O zot, sa nuk bërtita nga gëzimi, shpëtova. Një lumturi e pa imagjinuar më përshkroi trupin. Luhej me jetën e fëmijëve të mijë. Shpëtova! U mbyll ky muhabet. Vetëm një fjalë e tij dhe ne shkonim si grup në dreq.

 Kishit parë më parë Pallate Kongresesh jashtë shtetit për eksperiencë?

Dua të them se për instalimin e pajisjeve elektronike televizive, u mobilizuan  teknikë e inxhinierë nga më të mirët, të cilët në kohën kur erdhën përfaqësuesit e firmës “Bosch”, për të parë u habitën me montimin perfekt. Më parë për të marrë eksperiencë grupi ynë bëri një udhëtim mjaft interesant në disa shtete të Europës, ku vizituam pallate të tillë në Vjenë, Amsterdam, Munih, etj..

 Kur u bë inaugurimi a ju falënderuan?

 Në mbledhjen e inaugurimit, edhe ne si gjithë grupi i projektuesve, prisnim që të na lavdëronin. Në fakt u fol, u dekoruan vetëm arkitektët që vërtetë kishin bërë një punë të mrekullueshme, por dhe ne nuk ishim më pas.  Në fund njëri nga anëtarët e Byrosë Politike që ndante dekoratat pyeti se a ka kush ndonjë pyetje? Me një guxim që s’e di as vetë se nga më erdhi, i them, pse nuk u dekorua asnjë nga grupi i inxhinierëve dhe teknikëve elektronik. U krijua një atmosferë habie. Një anëtar tjetër i Byrosë Politike më thotë, pse për të marrë medalje punuat ju? E mbylla, s’kisha ç’të thoja.

  Ju keni qenë shoqëruar me shumë fëmijë të ish- udhëheqësve, mund të na thoni disa nga përshtypjet në lidhje me këto njohje?

 Raporti im me gjithë fëmijët e ish- udhëheqësve ka qenë i shkëlqyer.  Dua të theksoj se të gjithë fëmijët e udhëheqësve ishin të kulturuar, pa shenja arrogance, nënvleftësuese, apo përçmimi. Pranvera, një femër inteligjente, e dashur, e thjeshtë, e afrueshme. Kurrë nuk është munduar të duket. Fëmijët e Ramiz Alisë, korrekt, të zgjuar, shumë të komunikueshëm. Sidomos me fëmijët e familjes Hoxha dhe Alia kam shkuar shumë mirë dhe ruaj kujtime të bukura.

 Ku ishit kur u rrëzua përmendorja e Enver Hoxhës?

Kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës unë isha me Anën e vogël në shtëpi, pasi ajo pinte ende qumësht gjiri. E shkatërruar nga një hakmarrje kisha kaluar një depresion të rëndë, pasi nuk mjaftoi heqja nga puna, por disa “kameleonë” që deri dje ishin servilë të partisë, po përgatisnin të tjera akuza të rreme dhe pa asnjë lloj baze, të cilat i hoqën me turp në ballafaqimet e bëra. Kur e pashë në televizion rënien e monumentit nuk e besoja. Së pari sepse nuk prisja ta transmetonte TVSH dhe së dyti, pasi ende kishte forcë pushteti. Atë ditë shumë gjëra s’po i besoja se pashë lloj -lloj njerëzish që deri dje bërtisnin Rroftë Enveri dhe aty i pashë në fytyrën e tyre të kundërt.

 Kjo të detyroi të merrje rrugën e mërgimit?

Nuk mund të rrija e pa punë, aq më tepër që isha rritur në RTSH. Marrja e vizës në atë kohë ishte shumë e vështirë. Mbase e paimagjinueshme.  Në atë kohë unë kisha një garanci nga një punonjëse e RAI-t. Por shuma që na kërkuan për nxjerrjen e vizës ishte shumë e madhe, e paimagjinueshme për kohën. U detyrova të shisja të gjitha fustanet e nusërisë, por dhe ato nuk ishin për aq garanci sa duhej. Madje, në traget donin të na kthenin, por mbase ishte vetëm ekzistenca e vajzës së vogël, që ndoshta policët u bënë të butë që na lanë të kalonim. Ishte dita më e bukur e jetës, ishte dita kur shihja një të ardhme për fëmijët. Kisha një rrugë të re, një shteg të ri, një ëndërr të re. Shkoja në një vend të panjohur, për të ecur në rrugën e shkollimit të fëmijëve.

 Ju më vonë u lidhët sërishmi me RTSH-në, pse?

Kur ishte Edi Mazi drejtor unë u lidha sërishmi me TVSH-në, për të qenë pjesë e tij, si përfaqësuese në Itali. Doja të dhuroja tërë aftësitë e mia si koordinatore me këtë institucion, duke qenë se unë isha tashmë në ambientet e RAI-t. Nuk llogariten iniciativat e mia falë ndihmës së paimagjinueshme të Marzio Barheros, drejtues në Qendrën Kërkimore Shkencore në RAI, Torino. Për shumë vite ne kemi plotësuar kërkesat që vinin nga RTSH-ja, falë ndihmës së papërtuar të Marzios, këtij njeriu shqiptardashës dhe me shumë influencë në RAI.  S’kemi lënë aparatura e materiale, kurse të zhvilluara për teknikët e RAI-t pa i dërguar në Tiranë. Kemi bërë shumë udhëtime në radiotelevizione të ndryshme të Europës për të kërkuar ndihma në aparatura dhe pajisje për RTSH-në. Dosjen time për të qenë pjesë e stafit të RTSH-së, e kam dërguar në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë, kur u emërua drejtor Artur Zheji dhe në fund më kanë thënë që asnjëherë s’ke qenë pjesë e stafit të RTSH dhe pse aty janë dëshmitarë inxhinierë dhe teknikë, për kompjuterët, videomikserat, distributorët, kabllot e zërit, monitor, riparime pajisjesh në laboratorin e RAI-t. Për më tej, manjetofonë për Radio-Tiranën, të cilat i kemi mbajtur në kurriz me Marzion dhe Arben Tafilin. Kemi siguruar 2 mikrobusë, ku nuk numërohen disqet dhe kurset e shumta të punonjëseve të TVSH pranë RAI, ku Marzio ishte përgjegjës i kurseve. Të gjitha këto kanë shkuar për llogari të kujt? Nuk e di. Me ikjen e Zhejit dhe me ardhjen e Petrit Becit bashkëpunimi im i papaguar mori një dimension më çnjerëzor. Në atë kohë ne kishim një projekt me Shefen e RAI Internacional për Radio-Tiranën, Beci në mënyrën më të shëmtuar e preu në mes këtë projekt si dhe bashkëpunimin tim me RTSH-në. Unë prisja një sadisfaksion moral nga ky bashkëpunim, të paktën të më njiheshin sigurimet shoqërore, kur pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Becin, mora vesh se mirë rroga, por as kontributet shoqërore, nuk ishin derdhur as në vitet e Mazit, as në vitet e Zhejit, pa diskutuar të çuditshmin Beci. Do doja t’i drejtohesha publikisht Kryeministrit Rama, për këtë padrejtësi, por dhe dëmin moral pasi shumë drejtues në Europë më marrin në telefon për bashkëpunime me RTSH-në, por më vjen turp t’u them se jam e padëshirueshme për drejtuesit e RTSH-së.

 I kujton miqtë dhe mikeshat e TVSH-së?

Çdo ditë. Me shumicën e tyre flas çdo ditë. Aty janë emra të shkëlqyer që kanë bërë emër në atë kohë TVSH. Luli, Gimi, Beta, Beni, Tani, Sieri, Marku, Edi, Mira, Vjollca, Tomi, Fredi, Divjoni, Moza e Vullneti e shumë kolegë të tjerë mbeten figura të dashura, që kanë punuar me përkushtim dhe pse me pagesë qesharake në TVSH.