Ergys Alushi: Shqiptarët dhe kumari, histori shekullore

1050
Sigal

Historia e kumarit apo dhe bixhozit si njihet ndryshe, janë të vjetra bashkë me historinë e njerëzimit dhe profesioneve të tjera, të ligjshme e të paligjshme. Të dhëna të ndryshme që nxirren nga antikiteti dëshmojnë se kumari ka qenë i ndaluar që në kohërat më të vjetra, duke qenë në këtë mënyrë një “luftë” midis dëshirës së njerëzve për fitime të shpejta e të mëdha dhe ligjeve të mbretërive e shteteve për ti ndaluar ato.
Edhe në Shqipëri historia e këtyre lojërave duhet të jetë e vjetër edhe pse në raport me shtetet e tjera përreth nesh, duhet të kenë hyrë me vonesë. Të huajt që vinin në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë që lëviznin shpesh nëpër botë kanë qenë importuesit e lojërave të ndryshme të kumarit në vendin tonë.

Pas Shpalljes së Pavarësisë

Bashkë me botimin e gazetave të para brenda vendit vijnë dhe informacionet e para mbi zhvillimin e problematikat e kumarit, xholit.
“Andaj policia, pardje duke gdhirë 31 janar zuri në kafenenë e Maliq Lanos, kafexhinë, dhe Tafil Asllanë, Isa Çakërrë, Elmas Redinë, dhe një çam, të cilët po loznin kumarë. Gjyqi ushtëriak i dënoj me një javë burg.”
Lajmin e lexojmë në një nga numrat e muajit shkurt të vitit 1914 të gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, që ishte organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Loja e kumarit në qytetin e Vlorës kishte një përhapje të madhe. Ajo arrinte kulmin e saj në kohën e vjeljes së ullinjve, nga shitja e të cilëve fitoheshin të holla. Lojtarët që e luanin këtë lojë e luanin aq shumë sa në shumë raste e gdhinin në kafenetë ku luanin. Përhapja e madhe e lojës shqetësoi dhe gjeneralin holandez De Weer, i cili ishte pjesë e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit që ishte vendosur në Vlorë dhe në muajt e parë të vitit 1914 mori në dorëzim qeverinë e përkohshme të Vlorës. Ai urdhëroi që loja e kumarit të ndalohej në vende publike dhe kush kapej në shkelje të këtij urdhri, të dënohej me burgim.

Vendimet e para kundër kumarit

Zgjedhjet e para Parlamentare në vitin 1921 do të zgjidhnin edhe deputetët e parë në Parlamentin e parë në historinë e Shqipërisë. Deputetët e rinj bashkë me një sërë problematikash që kërkonin zgjidhje urgjente për jetën e vendit, morën në diskutim edhe përhapjen e madhe të lojërave të kumarit, që shkaktonin pasoja të rënda për shumë familje e individë shqiptarë.
Ligji i parë do të miratohej në vitin 1922, që kishte për qëllim monopolin ndër të tjerave edhe letrat me të cilat luhej bixhozi. Ligji më i plotë, në të cilin parashikoheshin edhe ndëshkime për të gjithë ata që luanin apo deri dhe “bënin sehir” kumarin, por edhe për pronarët e kafeneve apo mjediseve të tjera ku luhej kumari, ishte ai i vitit 1927. Projektligji parashikonte dy ndëshkime; burg dhe gjobë. Heqja e lirisë ishte nga 24 orë deri në një muaj. Ndërsa gjobë nga 100 deri në 1000 franga ari. E në rast përsëritje dënimi përfshinte të dy masat e lartpërmendura” shkruhej në projektligjin e depozituar në parlamentin e kohës.
Në diskutimet që shoqërojnë miratimin e ligjit spikat ai i deputetit Hiqmet Delvina, që ishte dhe propozuesi i nismës për të zgjidhur situatën problematike që kishte krijuar në vend loja e kumarit.
“Projekti mund t’ajurnohet, po fjala e jeme jo. Nji fjalë shqiptare thotë: “Atje ku dhëmb dhambi, atje shkon gjuha” dhe edhe ata qi thonë se nuk e pranojnë, duket se i dhëmb dhambi. Unë këtë e baj në interesin e popullit, se due moralin t’ia naltësoj dhe atë kohë qi të shkojë tue lujtë t’a shkojë në punimin n’arë, në tregti e bujqësi. Kjo ashti qi më shtyen ta bëjë një proponim të tillë dhe në qoftë se kodi penal e përfshijnë këtë faj atëhere fajin nuk e kanë ligjet po ata qi nuk e zbatojnë. Në të gjithë Shqipnin edhe në kryeqytet, të gjithë ditën, mblidhen ndër vende antihygjenike njerëz të çdo klasi e tjetër s’bajnë veç të losin gjithfarë lojnash. Bulku në vend qi të livrojnë arën shkon e lot rem dhe në çdo katund, në çdo vend këjo lojë asht ba nji smundje ma e keqe se malaria e sifilisi. Si e dini populli duhet të mësohet me punue se nji popull që nuk punon ai popull nuk ka nji t’erdhme të mirë e se pa punë nji shtet nuk rron dot. Këto janë arsyet qi me shtrënguen të ju parashtroj këtë projektligj dhe në mos e pranoshi unë për vehten t’ime lajë duart se detyrën e bana”

Dënime e vendime në vazhdimësi

Në gjykimin e datës 22 gusht 1927, në mungesë të të pandehurëve gjykata e shkallës së parë të Vlorës do të japë vendimin për të dënuar disa lojtarë bixhozi që ishin proceduar në qytetin e Vlorës. Nga 12 shtetasit mes të cilëve edhe kafexhiu e shërbëtori i tij me banim në qytetin e Vlorës, 7 të parët akuzoheshin për luajtje bixhozi, njëri prej tyre për pranimin e lojtarëve në kafene, tre për faktin që shikonin lojën dhe njëri prej tyre për rolin që kishte në ruajtjen e lojtarëve që të mos diktoheshin nga policia. Gjykata e Vlorës dha vendime të ndryshme për lojtarët e lojës së bixhozit, duke nisur që nga gjobat e deri me burg për 24 orë apo dhe gjashtë muaj.
Në fletoren zyrtare të datës 25 mars 1928 mëson se “Nga inspektimet e bamuna me hidhërim po konstatojm se në disa Prefektura djem në moshë të vogël po mblidhen nëpër kafene ku po vazhdojnë një kohë të gjatë duke lojturë larta, gja e cila sa asht e ndalueme aq dhe ma tepër asht e rezikëshme për avenirin e kombit dhe moralin e moshës së re”
Në këtë shkresë zyrtare me numër 12.43, urdhëroheshin kryetarët e bashkive që ata të kontrollonin vetë kafenetë e kazinotë e të merrnin masa ndaj xhandarëve e policisë që nuk bënin detyrën. Ata urdhëroheshin gjithashtu që të vendosnin dënime ndaj prindërve të fëmijëve me qëllimin që ata të mos i lejojnë fëmijët që të shkojnë të luajnë nëpër kafene, ndërkohë që edhe pronarët e kafeneve duhet të lajmëroheshin që të mos i pranonin fëmijët në kafene.
Por, duket se megjithë urdhërat e masat e marra, loja e kumarit nuk po ndalohej dot. Në një qarkore të datës 4 gusht 1928, drejtuar të gjithë prefektëve të qarqeve, Ministria e Punëve të Brendshme “Mbi ndalimin e bixhozit ndër kafene” shkruhet “Sa e sa herësh ju kemi shkrue për ndalimin e bixhozit nëpër kafehane por me shumë hidhërim mund të thomi se urdhnat t’ona nuk kanë pasë kur farë efekti. Çuditemi me nglizhencën e pashembëllt qi tregojnë me ksi rastesh autoritetet ndaluese të vendit…”.
Qarkorja e konsideron një turp të autoriteteve ndaluese të kryeqytetit për neglizhencën e treguar në kryerjen e detyrës “…sa me kqyrë për seri edhe kalamajt tue luejt bixhos mbrapa perdeve të kuqe nëpër dyqane mbrenda tregut…”. Qarkore mbyllet me lutjen drejtuar Prefektëve që të mos kursejën raportimin për të gjithë ata nëpunës të cilët i shmangen detyrave për ndalimin e lojës së bixhozit.
Në muajin gusht të vitit 1931, lajmet nga qyteti i Korçës informonin se “komisieri i ri i Policisë Rasim Shodra i ka çelur luftë të rreptë kumarit në qytetin t’onë. Vetë Z. i tij inspekton nat’ e ditë gjithë qendrat dyshimtare duke u treguar i pamëshirtë me ata që lozin e posaçërisht me ata që shfrytojnë të tilla llokale korupsioni’

Vlora e krizës ekonomike dhe e kumarit

Në qytetin e Vlorës, loja e bixhozit në kafenet e qytetit ishte kthyer në një problem të madh.
“Se ç’e kujtoi korespodentin t’onë të Vlorës të na përmendte një sëmundje, e cila është përhapur në Shqipëri më shumë se kriza e varfëria. E kemi fjalën për lojën e xholit. Kjo lojë, e cila ka nevojë për 104 letra bixhozi dhe për dy xhokerë, nuk luhet vetëm në Vlorë, por në të gjitha qytetet tona ndofta dhe në katundet t’ona”
Kështu fillonte një shkrim nga Vlora në një nga gazetat e kohës, në mars të vitit 1934. Situata ishte aq problematike sa shkruhej se edhe policia, e cila kishte për detyrë ta ndalonte këtë lojë, edhe këta ishin të përfshirë në lojën e bixhozit. “Vetëm na vjen keq që në Vlorë – vazhdonte shkrimi nga Vlora – kjo lodrë zhvillohet me një ceremony shumë solemne, por ndën vërejtjen e kafexhiut dhe duke u armatosur lojtarët me fishka historike. Ky solemnitet ia humbet bukurinë dhe lezetin…”
Në një tjetër kronikë nga Vlora të vitit 1934 mëson se loja e kumarit ishte aq e përhapur sa vlonjatët e kishin harruar krizën ekonomike dhe nxitonin kush të zinte vendin i pari në kafenetë e qytetit apo shtëpitë, për të luajtur bixhoz. Loja fillonte me 2-3 franga ari dhe nga fundi nxehej duke luajtur me 20-40 fr.ari. ata që humbisnin kërkonin hua dhe në shumë raste për shkak të mospagimit të huasë ishin të detyruar që të linin peng apo të shisnin sende vetjake e deri prona të patundshme.

Loja e tombolas në kafenetë e Tiranës

Në dhjetor të vitit 1935, muaji i Ramazanit kishte hyrë e kishte dalë dhe në kafenetë e Tiranës loja e tombolas kishte marrë përmasa të mëdha. Ishte një lojë e lejuar ligjërisht, prandaj dhe dukej sikur të gjithë meshkujt e Tiranës ishin lëshuar kafeneve për të provuar fatin. Secili shkonte me shpresën për të fituar, por dhe secili humbiste. Ata që fitonin ishte arka e bashkisë dhe e Kryqit të Kuq. Në lidhje me përmasat e mëdha të kësaj loje, një gazetë e kohës në një shkrim për këtë dukuri, ndër të tjera shtronte puetjet .”Sa familje mbeten pa bukë për shkak se burrave u shkrepet të provojnë kismetin? Sa fëmijë mbeten, sbathur e çveshur? Sa nëna qajnë se djemtë e tyre i kanë lënë të gjitha të hollat e fituara kush e di me sa mundime, në tombola? Sa gra shtrëngohen të hidhen në mjerime, sepse nuk munt të përmbushin nënë këto kondita, as nevojat më elementare të jetesës?…Kush fiton këtu. Vetëm patroni. Vetëm kafexhiu. Të gjithë dërrmohen. Të gjithë bëhen teneqe si nga xhepi dhe nga shëndeti.”
Të premten e datës 7 gusht të vitit 1936 gazeta “Arbëria” njofton një kronikë nga Tirana:
“Ndër këto tri ditët e fundit patrullat e Gjindarmërisë qytetëse të këtueshme, kanë shvilluar një fushatë sistematike kundra lojës së bixhozit. Si ndër kafenetë qendrore ashtu dhe në ato të largmet e të voglat, janë bërë bërë ndjekje të pareshtura dhe bixhoscijtë nuk po gjejnë prehje. Tani nuk shihen më persona duke luajtur bixhoz midis kafeneve”

Kumari në komunizëm

Ligjet e para të qeverisë komuniste që erdhi në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore kishin të bënin edhe me ndalin kategorik të çdo lloj forme të lojës së kumarit. Për të treguar se e kishte shumë seriozisht dhe se nuk do të kishte asnjë tolerim, në vitet e para pati dhe gjykime e dënime publike të personave që ishin njohur qysh para Luftës si lojtar kumara dhe që vazhdonin ende në fshehtësi ta aplikonin këto lojëra.
Për shumë vite, loja e kumarit nuk u luajt më as në mënyrë ilegale nga frika e madhe e ndëshkimit të rëndë dhe demaskimit në publik.
Por, me fillimin e viteve ’80 pati një gjallërim të kumarit në ilegalitet, deri dhe në mënyrë të hapur, në vende të gjysmë të fshehta, shtëpi e vende pune.
Në qytetin e Vlorës janë të njohura lojërat e kumarit, me zare apo me letra, në lulishten e madhe të sheshit të Flamurit apo dhe lulishten te varrezat e dëshmorëve. Në vendin e njohur me emrin “Kapelja” nisi dhe vendosja e basteve të para sportive, kryesisht të ndeshjeve të Kampionatit Italian të futbollit apo kampionateve evropiane e botërore. Në mesin e viteve ’80 nisën të qarkullonin dhe skedinat e para sportive që përgatiteshin me dorë, të cilat filluan të tërhiqnin gjithnjë e më shumë lojtarë.

31 dhjetor 2018
Mbyllen lojërat e fatit

“Situata aktuale tregon se lojërat e fatit, bastet sportive, kanë ndikuar te të rinjtë, për mosangazhim të brezit të ri te sektori privat. Sipas KLSH, informaliteti mbetet i lartë. Nga ana tjetër, 15.5 miliardë lekë janë shpenzuar në kazino, sipas të dhënave në bilancet në QKB.
Të ardhurat nga taksimi i këtyre kompanive ka rënë. Nuk ka vlerë të shtuar për ekonominë. Ky pr/ligj Bazohet te gjykata evropiane, që lejon një qeveri të kufizojë lojërat e fatit në të mirë të shoqërisë”,

Kështu do të shprehej një nga anëtarët e Komisionit Ekonomik në Parlamentin shqiptar në mbështetje të nismës së qeverisë për mbylljen e aktiviteteve të kazinove dhe basteve.
Ligji u miratua nga Parlamenti dhe hyri në fuqi pas datës 31 dhjetor 2018.

Po a janë mbyllur në të vërtet bastet sportive?

Shumë lokale bastesh sportive i ulën qepenat apo ndryshuan objektin e biznesit, por konstatohet se në shumë prej tyre bastet sportive vazhdojnë të vendosen në mënyrë ilegale. Forma më e përhapur është e të luajturit online, ku gjithsecili lojtar që dëshiron të luajë ka në telefonin e tij faqen e kompanisë së bastit ku dëshiron të luajë duke pasur në dispozicion edhe shumën e lekëve sipas porosisë që kryen.