Babi po fle…

704
Sigal

Nga Elona Agolli

Të rrallë duhet të jenë ata, të cilët në çantë, bllok shënimesh a portofol, nuk mbajnë një foto, objekt, shënim apo kujtim të çmuar të njeriut të shtrenjtë që i mungon. Unë kam disa të tilla, por tek ai blloku im i shënimeve, që nuk më ndahet asnjë çast, mbaj një foto, foto që për dikë mund të jetë e çuditshme, për ndonjë tjetër, i pazbërthyeshëm kuptimi i mbajtjes përherë me vete dhe çdo ditë e shikuar.  Është një foto e babit duke fjetur, (as nuk e di kush mund t’ia ketë bërë) në mënyrën e tij të veçantë. “Më merren mendtë, po të fle në kurriz” – më thoshte kur bisedonim. E kur e gjeja të përgjumur në dhomë, i puthja ballin e i ledhatoja flokët. Ai sa më ndjente, hapte sytë e më thoshte: “Ee paske ardhur?!” Ngrihej pakëz në brinjë dhe më vështronte i buzëqeshur. Kur unë i thosha të shtrihej përsëri, nuk dëgjonte, po ngrihej, krihte flokët e bardhë e dilte në sallon. Ngaherë i dhimbsur, i dashur, i vëmendshëm. Kjo foto për mua është shumëçka. Babi po fle…