Xhevat Mustafa: Dorëheqje e merituar dhe shumë e vonuar!

607
Sigal

Dorëheqja e Edi Ramës, plotësisht e merituar dhe shumë e vonuar!

Nëse Edi Rama do të bindet apo detyrohet të japë dorëheqje humbet, përkohësisht, vetëm ai, familja e tij, kontingjenti i njerëzve të lidhur me atë nga interesa dhe “tela” ngushtësisht karrieriste, financiare, ortakërore, klienteliste… Shumë shpejt do të bëhet e qartë se do të fitojnë ndjeshëm; Shqipëria, të gjithë shqiptarët, kombi…

Nga Xhevat Mustafa

Deri tani viti 2019 ka qenë një “vit i begatë” për dorëheqje kryeministrash dhe presidentësh nëpër botë, në vende fqinjë me ne dhe më të largët. Kështu pa protesta masive qytetare, por për arsye të ndonjë skandali brenda ekipeve qeveritare (Sebastian Kurz-Austri, Giuseppe Conte- Itali); të krizash politike me humbjen e shumicës (Alexis Tsipras-Greqi, Mamuka Bakhtadze-Gjeorgji,); të qëllimit për t’i hapur rrugën një brezi të ri politik dhe qeverisës, (Presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev); të një lëvizjeje për të fituar më shumë kohë për një vendim problematik dhe mbështetje më të madhe në parlament (Ramush Haradinaj-Kosovë); të dështimit në realizimin e një objektivi madhor qeveritar (Zoran Zaev-Maqedoni e Veriut)… Këto shembuj mund t’i shërbejnë mjaft edhe kryeministrit tonë, për t’i kujtuar se dorëheqja është një akt normal jo vetëm në vende me standarde relativisht të larta të shtetit ligjor dhe të demokracisë funksionale, por edhe me standarde më të ulëta, afërsisht si tonat. Aq më shumë që në këto 6 vjet qeverisjeje ai ka një litar të gjatë arsyesh për dorëheqje. Përmbledhtazi apo shkurt, mund të evidentonim disa prej tyre:

Bllokimi i stërzgjatur i reformës në drejtësi, i disa institucioneve të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme; inkriminimi i parlamentit; mbrojtja me vite e deputetëve dhe kryebashkiakëve të inkriminuar; emërimi si ministra i Gent Cakajt dhe Besa Shahinit, kur janë me CV të varfra dhe pa karrierë elitare në dikasteret përkatëse…Mund të vazhdohet me bollëkun e tenderëve , koncesioneve dhe PPP-ve; me kanabizimin e të gjithë vendit; me rastet e dy ish-ministrave të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafa; me 80 mijë dollarët për fotografinë me Obamën më 2012-n; me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut për “mini Shengenin Ballkanik”; me vizitat dhe takimet e shumta private me Erdoganin; me faturën prej 110 milionë euro gjobë ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti; me fshehjen e rreth 610 milionë euro borxh dhe të shifrës së vërtetë të borxhit publik… Por, dështimi i 18 tetorit në Bruksel, i katërti radhazi, me mos hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE as më 2019, mund të llogaritet dhe vlerësohet si më i rëndi apo më i patolerueshmi. Në një shtet normal, me demokraci dhe kushtetutë funksionale, me drejtësi dhe prokurori të pavarura, me një kryeministër të emancipuar e të përgjegjshëm, për secilën nga këto arsye, më e pakta dhe më e shpejta, do ishte dorëheqja e parevokueshme e Edi Ramës. Por, duket se deri më sot, ai nuk i njeh fjalën, traditën dhe praktikën “dorëheqje”…Ka shumë gjasa që atij nuk i shkon ndërmend të japë dorëheqje, jo aq nga frika e humbjes së një “karvani maunesh me përfitime shumëformëshe” dhe e ndëshkimit ligjor nga vettingu në nivelet e larta të politikës dhe të qeverisjeve, nëse ka lënë nëpër dosje gjurmë korrupsioni dhe abuzimesh. Ndoshta vendosmëria e tij për të vazhduar në detyrë mbështetet më fort edhe tek njohja e mirë e popullit që qeveris prej më shumë se 6 vitesh, sidomos e “popullit të majtë”. Ai mund të ketë bindjen dhe llogarit se “populli i majtë” do të vazhdojë ta dojë, mbështesë e votojë, duke ia falur të gjitha. Edhe harrimin dhe mos përmbushjen e premtimeve, përfshirë edhe ato ndaj tyre. Edhe dështimet e panumërta. Edhe abuzimet dhe skandalet e njëpasnjëshme në vend e në botë nga ai vetë apo ministra e ministresha të tij. Ai mund të trimërohet për të mos dhënë dorëheqje edhe duke llogaritur se, fatmirësisht, Enveri i ka lënë një “popull të majtë”, që e mashtron lehtë e shpejt, hollë dhe trashë; që të puth duart e të ngre këngë edhe kur e terrorizon me dhunë, papunësi, mjerim, korrupsion, kriminalitet; me vrasje të shpresës dhe besimit për jetë më të mirë në vend; kur e vjedh sy më sy; kur pasurimin tënd të pistë ia shet si fryt djerse të ndershme… Mund të mendohet se Edi Ramës nuk i shkon ndërmend dorëheqja edhe nga qenia i sigurt, se nuk ka as prokuror dhe prokurore që të bëjë harakiri, duke guxuar t’i komunikojnë fillimin e hetimeve ndaj tij për ndonjë nga arsyet e përmendura më lart, sepse u bën gjëmën kryeprokurorja Arta Marku, për të cilën Shefi i Madh është i paprekshëm dhe i pa shqetësueshëm… Këmbëngulja e Edi Ramës për të mos dhënë dorëheqje për asnjë arsye sado të fortë dhe për të gjithë thesin e arsyeve, njëra më fortë se tjetra, mund të vijë edhe nga misioni, dëshira dhe synimi i tij: Të ikin të gjithë; studentët dhe të diplomuarit si dhe sa më shumë familje me fëmijë në Gjermani, Francë, SHBA, Kanada…Pleqtë e plakat sa më shpejt nëpër varre! Vetëm ai me tufën e deputetëve me në krye Gramoz Ruçin; të ministrave dhe ministreshave; me “motrat” Arta Marku dhe Donika Prela; me “çetën” e kryetarëve të bashkive; kryekomisarëve të Policisë; të kryedoganierëve, kryetatimorëve…të qëndrojnë sa më gjatë në postet dhe fronet që mbajnë me thonj e me dhëmbë! Bëhet e qartë se në këto kushte, kur pushtetarët “rilindës” janë “tërbuar” nga pushtetet e shumtë dhe fitimet përrallore, kur janë bërë bërë të padurueshëm dhe nuk kanë ndërmend të zbresin vetë nga “kuajt e pushteteve”, është shumë vonë e shumë më e vështirë. Të mësuar keq dhe gjatë me bollëk pushtetesh, përfitimesh dhe privilegjesh, ata nuk pranojnë të largohen me vullnet dhe dëshirë Në të kundërtën, ka shumë gjasa t’u bien egërsisht “kuajve” me kërbaç, me shkelma në barqe, brinjë e kofshë, që të ecin më me revan. Kështu që mbetet e vetmja alternative: “të qëllohen e të rrëzohen “kuajt”. Por,kjo është logjikisht dhe ligjërisht e pamundur. Sepse “kuajt” janë ajo pjesë e popullit dhe e vetvetes, që i ka ndihmuar të hipin mbi ata, duke u ulur përulësisht dhe “lumturisht” në gjunjë; pa u shqetësuar se mund t’i rraskapitin për qejfe dhe “çmenduri”. Që u ka sajuar dhe kënduar edhe këngë…Që u ka puthur duart, edhe kur atyre u ka ardhur për të qeshur e ndot nga erërat e trupave të varfanjakëve, të pa parfumosur prej vitesh ose me ndonjë parfum fare të lirë, sa për t’u quajtur i tillë. Nëse Edi Rama do të bindet apo detyrohet të japë dorëheqje humbet vetëm ai, familja e tij, kontingjenti i njerëzve të lidhur me atë nga interesa dhe “tela” ngushtësisht karrieriste, financiare, ortakërore, klienteliste…Por, në qoftë se largohet me dëshirën e vet, humbja e tij do të jetë shumë më e vogël dhe e përkohshme, sepse do të tregonte emancipim politik, demokratik, intelektual, qytetar… Njëkohësisht do t’ia shtonte shanset dhe mundësitë për rikthim në qeverisje, nëpërmjet një procesi të thellë reflektimi dhe korrigjimi në vetvete dhe zgjedhjeve sipas standardeve më të përparuara demokratike. Nga ana tjetër, shumë shpejt do të bëhet e qartë se do të fitojnë ndjeshëm Shqipëria, të gjithë shqiptarët, kombi… Largimi nga pushteti i Edi Ramës me shokë e shoqe mund t’i hapë rrugën procesit të shumëvonuar të zëvendësimit të tyre me një kontingjent të ri politik dhe qeverisës, me arsimim, edukim, emancipim, mentalitet perëndimor, modern, progresiv dhe demokratik, natyrisht jo të llojit Gent Cakaj dhe Rudina Hajdari. Njëkohësisht mund të bëhet më e mundshme edhe alternativa e një qeverisjeje me koalicion nga partitë politike kryesore të të dy krahëve, pra PS dhe PD, sipas modelit gjerman apo Merkel, natyrisht, pa përjashtuar edhe disa nga partitë më me peshë të koalicioneve ekzistuese të tyre. Perspektiva e kalimit në zgjedhje të parakohshme, me një ligj zgjedhor të ri, konsensual, që i minimizon mundësitë për vjedhje e blerje votash, i tremb edramistët, që vazhdojnë të besojnë tek sajesa e tij rreth 7 vjeçare, e zgjuar dhe e efektshme, deri më sot se “të dy palët janë njësoj” si dhe plot të pavarur dhe nga shoqëria civile, që jo pa arsye kanë një thes me rezerva ndaj PD-së dhe opozitës jashtë parlamentare. Pa kundërshtuar ngjashmëritë, personalisht e subjektivisht, nuk mendoj se gjasme e majta dhe gjasme e djathta tek ne janë 100% njësoj. Sepse edhe dy bijat e barkut të një nëne, qofshin edhe binjake, nuk janë plotësisht apo absolutisht njësoj. Kjo edhe për faktin se PD, PR, LZHK, PDK, PBK., gjatë 6 viteve në opozitë kanë bërë katarsis në vetvete; kanë nxjerrë mësime të bollshme nga gabimet dhe pësimet e veta dhe të “rilindjes”; kanë ofruar dhe do të vazhdojnë të ofrojnë politikanë të rinj, me diploma djerse, me nivele bashkëkohore arsimimi dhe profesionalizmi; me kapacitete dhe vlera të dëshmuara e jo sa për CV. Me humor të hidhur, në këto kushte, në mungesë të së “majtës” të dhe të së “djathtës” së vërtetë“, pra në mungesë të “pulave bio”, na mbetet të pranojmë “sorrat”, që deri më sot na i kanë servirur si “pula fshati! Një “kuzhinier” i mirë, (kryeministër i zoti), pse jo, një Albin Kurti i dytë, mund të na e bëjë qeverinë e re më të mirë se të gjitha këto të këtyre 28 viteve!