Rilindja po kap çdo institucion/ Lubonja: Ndërkombëtarët po gabojnë, koha do e tregojë

120

Procesi i zgjedhjes dhe i votimit për dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese sot në Kuvend shkaktoi reagime të forta në spektrin politik, ndërsa nuk munguan akuzat e ndërsjella mes palëve, përfshirë dhe institucionin e presidencës. Analisti Fatos Lubonja me një lidhje “Skype” me rubrikën “Opinion”, pohoi se zgjedhja e Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit, si anëtare të Gjykatës Kushtetues bie ndesh me atë që parashikon vetë Kushtetuta e vendit.

Ai tha se ky proces ka një qëllim të qartë dhe qëllimi lidhet pikërisht me zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët sipas tij, janë më afër Partisë Socialiste. Analisti hodhi akuza të forta për qeverinë e kryeministri Edi Rama, ndërsa tha se ky i fundit, po tenton të kapë çdo institucion të mundshëm.

Lubonja gjithashtu shprehi rezerva të forta për qëndrimin që po mbajnë ndërkombëtarët për këtë proces, të cilët përshëndeten zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj duke thënë se ngritja e Gjykatëse Kushtetuese do të fusë përfundimisht  Shqipërinë në rrugën e duhur ligjore.  Ai paralajmëroi zhvillime të këqija për rendin demokratik në vend.

Pjesë nga fjala e Fatos Lubonjës:

Ajo që ka ndodhur është një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe me qëllim, dhe qëllimi është i qartë: vendosja në Gjykatën Kushtetuese të dy njerëzve që janë më afër të Partisë Socialiste, evitimi pra i zgjedhjes së kandidates Xhaferllari, nëse do të respektohej Kushtetuta, ku secili që sipas kushtetutës duhet zgjedhur me radhë kandidatët njëherë presidenti, Kuvendi, Gjykata e Lartë, presidentit i binte mundësia që të zgjidhte edhe Xhaferllarin. Ndërkohë që për t’i hequr këtë mundësi presidentit për zgjedhjen e  Xhaferllarit,  që konsiderohet si më afër opozitës, u bë ky operacion.

Nuk është çudi, çudi do të ishte nëse do ndodhte e kundërta. Kapja e Drejtësisë është kuptuar edhe më herët. Psh zgjedhja  e Arta Markut, e cila u paraqit e përkohshme dhe tani paraqitet si e përhershme dhe shumë vendimtare, është një nga provat që qëllimi i kësaj reforme ka qenë kapja.  Ajo që e bën akoma më çudi (në thonjëza), është se qeveria mbështetet në këto veprime  edhe nga ndërkombëtarët dhe kjo  ha debat se pse ata e mbështesin.

Me sa duket ata e kanë vendosur që të ruajnë atë fasadën që e kanë ndërtuar një gjë pozitive  në Shqipëri, por sa do ta ruajnë nuk e di. Kjo ishte shumë dramatike edhe për të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri, sepse tregon se rilindja është në rrugën e kapjes së çdo institucioni dhe sigurisht edhe kështjella e fundit që mund të ketë mbetur institucionale, sepse opozita ka dalë nga parlamenti, që është edhe presidenti, edhe ai po anashkalohet dhe do të jetojmë kohë të këqija, por kur të vijnë mendtë nuk t’i hanë as qentë. Kështu thotë një shprehje e urtë popullore.

A kemi mundësi të krijojmë institucione me njerëz të paanshëm apo do duhet ta bëjmë edhe Gjykatën Kushtetuese si KQZ, tre ti dhe dy unë?

E vërteta është ajo që thoni ju, por në rast se do të zgjedhim, midis një Gjykate Kushtetuese 5-0 për rilindjen dhe një gjykate 3-2, është më mirë  një Gjykatë kushtetuese 3-2, ndërkohë që na mungojnë njerëzit e pavarur. Unë nuk kam asnjë garanci që këto janë njerëz të pavarura, qoftë edhe për faktin se pranojnë  të shkelet kushtetuta për të hyrë në Gjykatën Kushtetuese, që sikur se lexova unë në media nuk kanë marrë as pikët e duhur 60 për të hyrë në magjistraturë. Pra, që këtu jemi qartazi në shkelje të kushtetutës dhe në këtë aspekt, ai balancimi  për të pasur nga të dyja palët është më e mirë se nga kapja  e të gjithë kushtetutës. Tek ne nuk kanë ligjin mbi të gjithë, por kanë partinë mbi të gjitha.