Lirimi i Alvin Berishës/ Vogëlushi shpëton nga kampi i ISIS. Mediat botërore: Aksioni i italianëve dhe show i pahishëm i Lleshajt

155

Jehona në median botërore. Gazetat egjiptiane: Presidenti i Shqipërisë luajti rol kryesor

Vogëlushi shqiptar Alvin Berisha shpëtohet nga kampi i ISIS

“Zëri i Amerikës”: Djali shqiptar i liruar nga kampi me të ndaluar të ISIS po kthehet në Itali

Dje ka përfunduar me sukses shpëtimi i vogëlushit shqiptar Alvin Berisha nga kampi i ISIS në Siri. Një djalë shqiptar që ishte marrë në Siri nga e ëma kur ajo u bashkua me grupin Shteti Islamik, u lirua nga një kamp ndalimi në Sirinë verilindore dhe po kthehet në shtëpinë e tij në Itali, thanë zyrtarë të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të enjten. Historia e 11-vjeçarit Alvin që u gjend i vetëm pa familje në kampin al-Hol, pasi nëna e tij vdiq në mes të luftimeve në Sirinë verilindore, mbërtheu vëmendjen e opinionit publik në Itali pasi një emision televiziv lajmesh njoftoi lidhur me përpjekjet e dëshpëruara të të atit për ta rikthyer të birin në shtëpi. Evakuimi vjen gjithashtu në një kohë kur relievi strategjik në verilindje të Sirisë po ndryshon. Forcat e udhëhequra nga kurdët që drejtojnë kampin po bashkëpunojnë së fundmi me qeverinë siriane, pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat pas vitesh që luftonin ISIS-in së bashku. Fillimi i bashkëpunimit të kurdëve me Damaskun i hapi rrugën lirimit të Alvinit dhe fluturimit me avion me një eskortë të Gjysmëhënës së Kuqe nga qyteti verilindor Qamishli në kryeqytetin sirian Damask, jo përmes Irakut verior. Të enjten pasdite ai po hynte në Liban. Lirimi i Alvinit ishte rasti i parë që u mundësua nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kur dhe Gjysmëhënës së Kuqe. “Shpresoj që kjo të sjellë njëfarë paqeje si edhe perspektivën e rimëkëmbjes së kësaj familjeje, tha presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesco Rocca, që u përfshi personalisht në rastin e Alvinit. Para pesë vjetësh, mamaja e Alvinit u bashkua me ISIS-in dhe e mori atë me vete në territoret që kontrollonte organizata terroriste. Pasi nëna e tij vdiq, lajmi u mor vesh konfidencialisht përmes programit “Rivendosja e Lidhjeve Familjare” të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Përmes programit, i ati i identifikuar si Afrim Berisha në emisionin italian “Le Iene” mori një mesazh nga i biri: Alvini ishte gjallë, i vetëm në al-Hol dhe donte të kthehej në shtëpi. Presioni në rritje në rajonin e Lombardisë, ku ishte rritur djali, bëri që këshilli rajonal të miratonte një rezolutë për të sjellë djalin në shtëpi. Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe hapën negociata me autoritetet italiane dhe shqiptare për të siguruar dokumentet dhe autorizimet e duhura. Mbështetur tek agjencia e lajmeve “Associated Press”./VOA

Alvini u identifikua në kampin sirian nga një shenjë në vesh

Alvini u identifikua në kamp nga një shenjë në vesh. Bëhet e ditur në deklaratën zyrtare që autoritetet italiane kanë bërë publike lidhur me operacionin e suksesshëm të lirimit të Alvin Berishës nga kampi i të burgosurve Al Hole në Siri. Operacioni në vetvete ishte kompleks dhe i rrezikshëm megjithatë Italia është shteti i parë që ka arritur të ndërtojë një korridor humanitar që nga fillimi i luftës në Siri.

Identifikimi

Nga dokumenti mësohet se djali ishte verifikuar nga një shenjë në vesh. “Për të verifikuar me siguri identitetin e të miturit, SCIP u përfshi në këtë operacion Policia Shkencore Italiane e cila kreu një analizë fiziomomike krahasimi duke dhënë një gjykim të pajtueshmërisë totale, gjithashtu për një keqformim specifik të veshit të djathtë të Alvin raportuar nga babai dhe verifikuar tek fëmija i pranishëm në kampin e refugjatëve në Siri.”

Operacioni i shpëtimit

Në të njëjtën kohë, një “jellow notice” u lëshua në Interpol në 10 shtatorin e kaluar, me autorizim nga Prokuroria Publike e Milanos. Ky është një shënim që gjurmon fëmijën. Më pas u angazhua dhe Ministria e Punëve të Jashtme italiane. Në të njëjtën kohë, SCIP kërkoi ndihmë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i vetmi që operonte në kampin Al Hol, i cili menjëherë u aktivizua me Gjysmëhënën e Kuqe përkatëse, duke arritur të identifikonte fëmijën dhe ta transportonte atë, nga kampi i refugjatëve në Damask dhe më pas në kufirin e Sirisë me Libanin, me të gjitha rreziqet e kalimit të një territori në luftë.

“Corriere della Sera”: Aksioni për Alvinin ishte i italianëve

“Operacioni është ideuar dhe zhvilluar në terren nga një skuadër speciale e ROS të Milanos”. Kështu shkruan e përditshmja më e madhe italiane, “Corriere della Sera”, lidhur me shpëtimin e 11-vjeçarit shqiptar, Alvin Berisha. “Edhe pse Alvini është qytetar shqiptar, gjithçka është planifikuar dhe zhvilluar nga autoritetet italiane për arsyen se, ai është rrëmbyer nga nëna e tij në teritorin italian, duke përfshirë edhe faktin se ai është lindur dhe rritur po në Itali”, vijon “Corriere”. “Për të gjitha fazat e këtij operacioni të fshehtë të tërheqjes së Alvin Berishës, mësohet se drejtuesit italianë kanë mbajtur të informuar kryeministrin e tyre, Giusepe Conte dhe autoritetet shqiptare”, shkruan gazeta italiane. Për të gjitha fazat e këtij operacioni të fshehtë të tërheqjes së Alvin Berishës, mësohet se drejtuesit italian kanë mbajtur të informuar kryeministrin e tyre, Giusepe Conte dhe autoritetet shqiptare”, shkruan ndër të tjera gazeta italiane. Nxjerrja e 11-vjeçarit shqiptar nga kampi sirian është lajmi kryesor në median italiane, e cila njofton se Alvini sapo ka marrë një vizë hyrjeje në Itali dhe ndodhet në ambasadën italiane, në Liban. “Alvini është i lirë, ai është gati të kthehet në Itali dhe është i sigurt në ambasadën tonë në Bejrut. Më në fund japim lajmin e shumëpritur, pasi raportuam këtë mëngjes për lirimin e fëmijës 11-vjeçar, i cili kishte mbetur vetëm në kampin sirian- shkruan ndër të tjera “Le Iene”. Ndërkohë, shpëtimit të Alvinit nga kampi i ferrit i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat libaneze, të cilat publikojnë foto të tij, teksa largohet. Është media “alkalimaonline.com”, që publikon foto të reja.