Sigal

Frank Shkreli*

Ish-Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama ka botuar ditët e fundit librin me kujtimet e saj në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që është duke e promovuar anë e mbanë vendit. Si pjesë e promovimit të librit, Michelle Obama është duke dhënë intervista në programe të ndryshme televizive mbi përmbajtjen e librit të saj më të fundit. Në intervistat e saj mbi përmbajtjen e librit, ndër të tjera, ish-Zonja e parë e Amerikës, përmendi edhe marrëdhëniet e saj miqësore me ish-presidentin republikan, Xhorxh W. Bush.

Është një marrëdhënie miqësore midis dy personaliteteve të politikës amerikane, që mendojnë ndryshe, politikisht, pasi njëri i përket Partisë Republikane dhe tjetra, Partisë Demokrate, por që na kujton se, pa marrë parasysh ndryshimet politike midis tyre, edhe në arenën politike mund të zhvillohet një miqësi personale që mund të lehtësojë bashkëpunimin për realizimin e objektivave të përbashkëta politike, në interes të përgjithshëm. Në një intervistë me të bijën e Presidentit Bush, Jenna Bush Hager, e cila punon për rrjetin televiziv NBC, Michelle Obama u shpreh se, “Ne mund të arrijmë shumë, me një udhëheqje të duhur dhe me një diskurs politik të një toni miqësor e harmonizues midis nesh”, duke shtuar se “Do të më pëlqente jashtëzakonisht shumë, në qoftë se vendi ynë mund të kthehej përsëri në një periudhë politike në të cilën nuk do të demonizonim njëri tjetrin dhe njerëzit me të cilët nuk kemi të njëjtat mendime politike.” Megjithëse, Obama dhe Bush u përkasin dy klaneve politike krejt ndryshe, për nga filozofia dhe pikëpamjet e tyre për qeverisjen e vendit, Michelle Obama shprehet se me gjithë ndryshimet politike midis tyre, ajo e konsideron ish-Presidentin Xhorxh Bush, një njeri të mirë, e të dashur. Një ndjenjë kjo, thjesht njerëzore dhe tepër frymëzuese ndaj një kundërshtari politik, e cila tejkalon bindjet politike dhe dallimet e tjera.

 

Udhëheqësit politikë ose personat e njohur publikë kudo, duhet ta kuptojnë se politika në vetvete nuk është një objektiv përfundimtar, se disa parime janë më të rëndësishme se politika dhe qëllimet përfundimtare të politikës – se ato parime ose vlera tejkalojnë interesat politike dhe partiake, pasi bazohen në premisën: Të gjithë ne jemi krijuar prej Perëndisë me të drejta të barabarta. Udhëheqësit e vërtetë nuk i trajtojnë të tjerët ndryshe, vetëm e vetëm se ata mund të kenë mendime politike ndryshe për zhvillimin e vendit, se mund të jenë kundërshtarë politikë ose se pse mund të jenë të një feje ose krahine, ose race tjetër. Trajtimi ndryshe, për të mos thënë ndëshkimi i njerëzve që mendojnë ndryshe, jo vetëm që nuk është njerëzore, por nuk është as demokratike, në rrethanat e sotme politike. Për ne shqiptarët kudo, është mirë që të reflektojmë se si trajtojmë njëri tjetrin dhe për kulturën tonë politike në përgjithësi, sidomos këtë javë, ndërsa kujtuam Mid’hat Frashërin, me rastin e riatdhesimit të eshtrave të tij në Atdhe. Megjithëse rivarrimi eshtrave të tij në tokën shqiptare u prit mirë nga shumica e shqiptarëve – përfshirë këtu edhe dy partitë kryesore politike – reagimi i disave ndaj riatdhesimit të eshtrave të Frashërit në Shqipëri nuk ishte as njerëzor dhe as demokratik. Në të vërtetë duke dëgjuar disa debate në televizionin shqiptar, nga të ashtuquajtur ekspertë e historianë, në lidhje me këtë çështje, më silleshin në mend fjalët e vet Mid’hat Frashërit, se Shqiptarët do të fitojnë të gjitha luftërat kur ata të përfundojnë betejën e fundit ndërmjet tyre. Je dakord ose jo me figurën e Mid’hat Frashërit dhe rolin e tij politik gjatë Luftës së Dytë Botërore, kontributi i tij për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në përgjithësi është monumental dhe i qartë për të gjithë, shumë dimensional, siç e quajtën shumë folës me këtë rast dhe meritonte të ktheheshin eshtrat e tij, sidomos duke marrë parasysh edhe amanetin e tij. Kryerja e amanetit për ne shqiptarët është diçka e madhe. Është vlerë! Janë disa norma njerëzore, por edhe tradita shqiptare – pa marrë parasysh pikëpamjet ose qëndrimet politike – të cilat në një shoqëri demokratike duhet të ruhen dhe të mbështeten, si pjesë e traditës. Janë këto norma dhe tradita, nga të cilat duhet të frymëzohen jo vetëm udhëheqësit e sotëm politikë, por edhe shoqëria shqiptare në përgjithësi. Sepse, mbi të gjitha, janë norma njerëzore dhe tradicionale shqiptare! Në këtë 550-vjetor të Gjergj Kastriotit – Skenderbe dhe ndërkohë që po afrohet edhe festa e Pavarësisë së Shqipërisë, Luigj Gurakuqi, njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj pavarësie, ka shkruar me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, se “Nuk është sot dita të përmendim se nëpër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë…por të forcojmë dashuninë e vëllazëninë e t’i japim dorën njëni tjetrit për të mbajtun, për të rritun, për të shtuar mvetësinë e Shqipnisë sonë të dashun.” Gurakuqi ka paralajmëruar në vitin 1913 se duhet, “T’a dijmë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë para Evropës…u shtojnë rreziqet vëllazënvet tonë të mjerë, të cilët ditë më tjatrën po presin të lirohen nga zgjedha greke e të bashkohen me ne – e ma tepër u thyejnë zemrën edhe atyne fatzezve që patën rrezikun e madh të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë”, ka shkruar Gurakuqi në “Mvetësia e Shqipniës” Vjeshtë III, 1913.

 

Luigj Gurakuqi

 

Inati, përbuzja, urrejtja ndaj bashkëkombësve tanë nuk na bën nder, pa marrë parasysh cilët janë personat në fjalë, periudhën që kanë jetuar, ose ideologjitë e tyre. Sjellje të tilla ndaj bashkatdhetarëve tanë – të gjallë ose të vdekur – mohojnë mundësinë e një bashkëjetese kombëtare dhe vërtetojnë pretendimet e atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, se në të vërtetë, shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen. Ka ardhur koha që të gjithë së bashku të përpiqemi të gjejmë rrugën që na çon drejt një jete kombëtare më njerëzore ndaj njëri tjetrit, në përputhje me traditat dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve. Është një kërkesë njerëzore e kohës dhe një nevojë e madhe e interesit kombëtar, që secili prej nesh, si individ dhe si shoqëri të kontribuojmë, sipas mundësive, drejt një bashkëjetese kombëtare më të mirë për të gjithë, ashtu që të përfundojmë njëherë e mirë betejën e fundit ndërmjet shqiptarëve, për të fituar luftën me sfidat përballë të cilave gjendet sot Kombi shqiptar.

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë