Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Zjarr nën hi…

649
Sigal

E dashtuna Ola I.
(Shëëët, mos u shqetëso, I-në nistore e shkruaj, por kurrkujt nuk ia them mbiemrin tënd.)
Sa më paska marrë malli me ndenjë me ty, Zonjë e trazimeve të përbashkëta! Me ndenjë krah më krah ndanë lumit, nën ata drurët e veshur gjithë kurorë. Atje, ku kamerierit i ftohet kafja në tabaka, ndërsa ne (A ka çudi?) filxhanat na ngrohen në dorë. Uf, ç’temperaturë!
Meqë malli është si halli, në hall biem edhe kur ndahemi. Faqe më faqe prekemi një çikë, por të puthemi në buzë kemi frikë. Kam pyetur veten shpesh: Nga nga vjen pengimi? Por tashmë e kam gjetur, vjen nga miqësia jonë e shpallur. Uf, kjo shpallja ndaj miletit e hedh krejt në erë shpellën e intimitetit!
E njohur është, një ditë gjithçka largohet. Por kjo nuk më jep trishtim. Veçse atëherë, në fundin e fundit, do t’i mjaftojë Zonjës vetëm balli im?..
Oii-oii, Ola I, ca miqësi – ca dashuri, zjarr nën hi.