Sigal

Harallmab Kota  

Studiues 

Televizioni midis fitimit dhe informimit 

Mediat e shkruara dhe ato vizive kanë krijuar një hapësirë të mjaftueshme për t’u informuar me lajme të ndryshme nga vendi e bota. Pjesë e kësaj hapësire janë edhe televizionet e shumta kombëtare e private. Informimi i opinionit publik është detyrim ligjor i përcaktuar me Kushtetutë dhe me ligje të veçanta të miratuara nga Parlamenti dhe të dekretuara nga Presidenti. Në këtë këndvështrim, publiku shqiptar vlerëson emisionet  investigative të cilat japin kontribute me vlerë në informimin e shqiptarëve, trajtimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre, pa harruar emisionin e gazetarit trim e patriot Marin Mema, që synon, shpluhurosjen e harresës, evidentimin e të vërtetës historike lidhur me vendbanimet e kahershme të shqiptarëve, gjurmët e tyre parahistorike e mitologjike dhe i vlerave të kaluarës tonë të lavdishme. Mirëpo disa emisione televizive veç pritjeve të mëdha në kuptimin e organizimit të tyre dhe të transmetimit me profesionalizëm, paraqiten me synime të mbrapshta duke shfaqur probleme në rrafshin e etikës, traditës dhe zakoneve të popullit tonë. Këtu mund të veçojmë emisionet humoristike dhe  studiot me të ftuar “debat politik”, për të cilat po shprehem “pa dorashka” në interes të shikuesit e të lexuesit të shtypit të përditshëm dhe në veçanti atij të interesuar lidhur me problemet madhore të qeverisjes, qeveritarëve, politikanëve e deputetëve, pasi debatet televizive të këtij zhanri kanë lënë dhe po lenë mjaft për të dëshiruar.  Bëhet pyetja: Kush është misioni publik i mediave vizive?! Mos vallë misioni i tyre është vetëm biznesi dhe për ta realizuar atë me sukses vendin primar e kanë emisionet televizive që shesin reklamat e sponsorëve dhe të firmave tregtare ? Ndoshta në këtë këndvështrim paraqitja formale e paneleve me opinionistë apo analistë pa nivel, kulturë dhe formimin e duhur profesional që përballen si “donkishoti me mullinjtë e erës”, me politikanë, deputetë dhe administratorë të shtetit, është mënyra që justifikon qëllimin. Kam mendimin se opinionistët apo analistët duhet të jenë profesionistë me integritet, të kulturuar dhe të edukuar me parimet shtet-formuese “pa dallim feje, krahine dhe ideje”.  Opinionistët duhet të përfaqësojnë mendimin e kualifikuar të sferave të ndryshme të shoqërisë njerëzore.

Ata duhet të jenë gazetarë investigativë me përvojë, filozof, jurist, ekonomist, historian, politolog, sociolog, etj., të aftë të thithin mendimin e bashkëbiseduesit, të hyjnë në debat konstruktiv, të ndikojnë në drejtpeshimin e ballafaqimeve politike dhe në balancimin e interesave me kahe të ndryshme, duke u kthyer në fuqi drejtuese drejt objektivave ku synohet nga palët prezent në bashkëkuvendim.  Por a ndodh kështu dhe a marrin pjesë në panelet e organizuara në studiot e televizioneve kombëtare opinionistët e këtyre kalibrave?! Them me bindje, se një pjesë e tyre janë të paaftë të artikulojnë fjali, të shfaqin mendime, apo të pranojnë debatin konstruktiv dhe të kulturuar. Ky kontingjent, i pranishëm në studiot televizive është kthyer në “tmerrin” e të ftuarit të radhës nga sulmet e shoqëruara me fjalë fyese, epitete dhe shpifje të prodhuara nga mendjet e tyre të sëmura e djallëzore. Qëndrimet e tyre arrogante dhe mendimet abstrakte të shprehura me zhargone fjalësh kundër miteve të kombit shqiptar, identitetit kombëtar dhe vijimësisë së shqiptarëve nga paraardhësit e tyre pellazgo-iliro-arbëror na befasojnë, por njëkohësisht edhe na qartësojnë lidhur me qëllimet e tyre të mbrapshta antikombëtare. Për këtë kontingjent opinionistësh, kam mendimin se duhet të mbyllen dyert e studiove televizive pasi prania e tyre i çorienton panelet e teleshikuesit  dhe i degradon debatet me politikanët e shtetarët.

 

Panelet e emisioneve televizive janë kthyer në  “fuçi baroti”

Kam mendimin se në studiot e televizioneve kombëtare ku ftohen për debat autoritetet më të larta shtetërore, organizatorët duhet të thërrasin analistët dhe opinionistët më të kualifikuar dhe më të kulturuar, për t’i dhënë opinionit vendas e atij botëror mesazhe qytetarie dhe demokratike. Fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu. Moderatorët që drejtojnë këto emisione, deri më sot kanë lënë shumë për të dëshiruar. Tryezat e organizuara nga ana e tyre për diskutimin e problemeve dhe tematikave të ndryshme me interes shoqëror e kombëtar, janë kthyer vazhdimisht në panele lufte e debati, pasi përballë të ftuarit të radhës kanë vendosur dy grupime opinionistësh me qëndrime të ndryshme. Organizimi i panelit me opinionistë sipas bindjeve politike, qëndrimeve partiake, interesave individuale apo inateve personale dhe zhvillimi i debatit mes tyre dhe të ftuarit special, ka krijuar në vazhdimësi një “mish mash” të vërtetë, pa bosht, ekuilibër dhe vazhdimësi, por veç me ndërprerje, ofeza, kërcënime, buzëqeshje ironike, mendjemadhësi, kryelartësi dhe së fundmi largime të turpshme. Bëhet pyetja: Këto panele quhen të suksesshme apo të dështuara ?!  Padyshim që quhen të dështuara. Populli, intelektualët e ndershëm dhe ata që e duan shpirtërisht Shqipërinë, i ndjekin me vëmendje politikanët e shtetarët përball opinionistëve në situatat e e tyre dramatike në sulm apo në mbrojtje. Opinioni publik tashmë është i qartësuar dhe ka kuptuar që ndeshjet e tyre në Parlament apo në emisionet “Debat”, janë shfaqje teatrale që nuk prodhojnë politikë të ndershme dhe nuk synojnë pastrimin e politikës, drejtësisë dhe administratës shtetërore nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit. A duhet reflektuar nga drejtuesit e emisioneve dhe organizatorët e debateve politike ?!  Sigurisht që duhet reflektuar sa më shpejt e mundur nga moderatorët dhe opinionistët, të cilët duhet të përballen me të ftuarit special, shtetarët dhe qeveritarët, sipas protokollit zyrtar dhe marrëveshjeve protokollare. Mendoj, se drejtuesit e  emisioneve televizive dhe opinionistët, nuk duhet të paraqiten përball të ftuarit të tyre (qytetar, shtetar, ministër, kryeministër, president), në rolin e policit, prokurorit apo gjykatësit, por në rolin e gazetarit. Po të analizojmë me vëmendje organizimin e studiove televizive lidhur me emisionet “debat”, do nxjerrim disa konkluzione:

Drejtuesit e emisioneve në ç’do studio apo panel thërrasin të njëjtët opinionistë.

Studiot apo panelet ndahen në dy krahë me qëndrime të ndryshme kundrejt të ftuarit.

Qëllimi i debatit është mosmarrëveshja. Parë nga ky këndvështrim bëhet pyetja: Kujt i vlen ky panel dhe ky debat?! Mendoj se ka ardhur koha që drejtuesit e emisioneve televizive të thërrasin për të dhënë opinionin e duhur intelektualë të fushës përkatëse. Nuk mund të ftohen të njëjtët persona të japin opinione për problemet ekonomike, politike, diplomatike, të rendit, drejtësisë,etj., por duhet të ftohen ekonomistët, financiarët, sociologët, politologët, juristët, diplomatët, politikanët etj. Është e papranueshme që drejtuesi i emisionit dhe opinionistët t’i drejtohen pa edukatë dhe t’i kërkojnë llogari kryetarit të Qeverisë, sikur të ishin “shokë”, ta kthejnë studion në një sallë mbledhjesh’ dhe debatin në llogaridhënie, sipas standardeve të shoqërisë komuniste që e lamë pas. Kam mendimin që opinionistët duhet të kuptojnë misionin e tyre, të flasin me radhë dhe t’i shprehin të ftuarit, politikanit, deputetit, qeveritarit dhe shtetarit, opinionin e tyre lidhur me problemin që trajtohet. Qëndrimi i tyre arrogant ndaj të ftuarit, shprehja e mendimit pa radhë, njëherësh me të tjerët, i bën qesharakë dhe njëkohësisht pa vlerë. Pavarësisht sa parashtruam më lart, dëshiroj të sjell në vëmendjen e klasës politike, shtetarëve, pushtetarëve dhe mediave, se problemet që shqetësojnë shoqërinë shqiptare nuk janë “babalet dhe xhisielat”. Problemet themelore që meritojnë debate në studiot televizive janë ato social-ekonomike. Populli i shumëvuajtur shqiptar kërkon të ushqehet, të punësohet dhe të diturohet. Në shumë familje për mungesë punësimi mungon buka. Mjaft banesa janë të rrënuara. Fëmijët për shumë arsye nuk kanë mundësi të mësojnë, të shkruajnë e të lexojnë në gjuhën e bukur shqipe. Analfabetizmi po ritet dhe shkollat po mbyllen. Shqipëria rurale po vuan dhe po shteron nga largimi i popullsisë drejtë qendrave urbane. Në këto kushte alarmante, kur po rrezikohet ekzistenca e vendit dhe e kombit shqiptar, drejtuesit e emisioneve duhet të ftojnë Kryeministrin në studiot “Debat” për çështjet më akute: papunësia, varfëria, emigracioni, pensionet e ulëta, rritja e çmimeve të mallrave të shportës, niveli nominal i jetesës, paketa fiskale etj.