Dr. Qemal Lamaj/ Shteti dhe drejtësia, të paralizuara

569
Sigal

Shteti dhe drejtësia janë përballur me mungesën e institucioneve përfaqësuese dhe pamundësinë e dhënies së drejtësisë. Këtë e dëshmon ndërprerja e pafalshme e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe vazhdimi i kësaj gjendjeje nga indiferentizmi që e ka kthyer të jashtëzakonshmen në një normalitet. Është papërgjegjshmëri e dënueshme kur pranohet dhe nuk veprohet konkretisht për gjykimin e 34 000 dosjeve të depozituara që presin gjykimin nga Gjykata e Lartë! Asnjë justifikim apo vlerësim për kohën që kërkon reforma në drejtësi, nuk mund të tolerojë këtë gjendje katastrofike paligjshmërie. Gjendja e ligjshmërisë e konstatuar dhe vlerësuar nga opinioni publik evidenton me shqetësim forcën e pamjaftueshme të shtetit për zbatimin me rreptësi e përpikëri të ligjeve, pamundësinë për të realizuar kërkesat e detyrueshme ligjore që imponojnë ligjet, aktet nënligjore të Qeverisë, vendimet gjyqësore. Personalitetet e larta shtetërore dhe zyrtarët e tjerë që kërkojnë zbatimin e ligjit, konstatohet çuditërisht se nuk arrijnë të ndryshojnë situatën e paligjshmërisë në rastet kur janë mpleksur dhe veprojnë në bashkëpunim shkelësit e ligjit që imponojnë hapur institucionet e nëpunësit për të mos reaguar dhe mos zbatuar detyrat e detyrimit ligjore. As mafia italiane, Comora, nuk ka arritur të imponojë moszbatimin e ligjit nga institucionet shtetërore!!!???

Edhe më flagrante janë rastet kur prokuroria ka arrestuar persona të njohur dhe gjykata i ka miratuar vendimet e arrestimit duke lënë në paraburgim zyrtarë të dyshuar nga letra ose ankesa anonime, pa u mbështetur në prova ligjore. Në Vlorë ka presion të hapur për mos zbatimin e detyrimeve ligjore nga zyra e regjistrimit të pasurive. Nuk arrihet të zbatohen as vendimet e Gjykatës së Lartë. Kanë ndodhur disa dorëheqje të njëpasnjëshme të drejtuesve. Motivet publikohen për çështje personale! Por në fakt, këta drejtues të dorëhequr kanë vepruar nën presion nga personat që nuk pranojnë të rivendoset ligjshmëria sipas vendimeve të gjykatës. Edhe kërkesa e kryeministrit për zbatimin e ligjit nuk ndikoi në ndryshimin e qëndrimeve nga kjo zyrë. Në Durrës u vendos arrestimi i drejtorit të regjistrimit të pasurive dhe vendimi u la në fuqi automatikisht nga gjykata pa u analizuar me përgjegjësi dyshimet e bazuara vetëm në një letër anonime. Në mënyrë jo të zakonshme, në seancën gjyqësore për shqyrtimin e vendimit të arrestimit kishte shkuar edhe zëvendëskryeministri! Edhe ky zyrtar i lartë u njoh direkt me qëndrime dhe vendime haptazi të kundërligjshme. Nuk ka mundësi të veprojë qoftë edhe si qytetar i thjeshtë i përgjegjshëm!?Në Kavajë mbahet i arrestuar një person i cili ka qenë në kërkim pasi është ekstraduar dhe ka vuajtur dënimin në SHBA. Vepra për të cilën akuzohej në Shqipëri ishte parashikuar në dekretin e Presidentit për Faljen e personave të dënuar deri me tre vjet heqje lirie. Automatikisht, personi ka përfituar nga amnistia dhe nuk mund të arrestohet e gjykohet për të njëjtën vepër. Në mënyrë haptazi të kundërligjshme, prokuroria ka vendosur arrestimin dhe u ekzekutua menjëherë në Aeroportin e Rinasit, sapo ai u kthye nga SHBA, ku kishte përfunduar vuajtjen e dënimit. Ky person ka dy muaj që mbahet në burg në mënyrë të kundërligjshme. Janë bërë dy seanca gjyqësore. Gjykata pretendon se dekreti për faljen ka fuqi në hapësirë e në kohë dhe nuk mund të zbatohet në këtë rast? Më qartë: Pretendohet se dekreti parashikon faljen për të dënuarit që kanë qenë në atë kohë në Shqipëri! Arsyetimi i gjykatës është i padrejtë dhe i kundërligjshëm për arsye se falja me amnisti është taksative, e detyrueshme për institucionet e vuajtjes së dënimit, prokurorinë e gjykatën në Shqipëri. Falja ka fuqi vepruese pavarësisht nga vendndodhja e koha ku ka qenë i dënuari. Ky kriter zbatohet me rreptësi në gjithë botën. Opinioni publik reagon me të drejtë e me shqetësim. Kur personalitetet e larta shtetërore nuk arrijnë të zbatojnë ligjin, njerëzit e thjeshtë bien viktima të paligjshmërisë së hapur e revoltuese. Arsyeja kryesore që ndikon në pamundësinë e zbatimit të ligjeve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe detyrimeve të shtetasve është korrupsioni politik, ekonomik dhe i drejtësisë. Akuzat e rënda për korrupsion në administratën shtetërore, prokurori e gjykatë, dyshimet për lidhje të krimit të organizuar me pushtetin, mosdënimi apo lirimi në kushte të diskutueshme i të dënuarave për krime të rënda, lidhja e ngushtë e disa politikanëve të njohur me figura kriminale të krimit të organizuar, etj. Përgjegjësia e politikanëve e zyrtarëve me pushtet është më e madhe dhe ata janë diferencuar në forma të ndryshme të dyshuara me anë të korrupsionit dhe bashkëpunimit me prokurorë e gjyqtarë të njohur si të korruptuar. Nëpunësit e thjeshtë, deri edhe policët e zakonshëm janë dënuar për vepra të thjeshta ose që janë larguar nga vettingu për shkelje të figurës morale apo pasuri të pajustifikuara në vlera të vogla gjatë kohën në detyrë. Vettingu u ideua dhe u vu në zbatim kryesisht me interesimin dhe mbështetjen direkt nga SHBA në bashkërendim me BE. Me arsyet e njohura nuk u pranua të fillohet në radhë të parë nga politikanët. U fillua nga institucionet kryesore të drejtësisë, nga gjyqtarët në qendër, duke shkaktuar ndërprerjen e funksioneve të tyre. Prokurorët e gjyqtarët e tjerë u vunë nën presion dhe po bëjnë si duan. Bëhen akuza për shkelje të Kushtetutës dhe nuk ka gjyqtarë që të gjykojnë. Institucionet e tjera shtetërore, deri edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëjnë interpretime si i gjykojnë vetë çështjet dhe dyshohet për ndikim direkt ose indirekt politik. Çorganizim i drejtuar dhe i organizuar nga autorët e reformimit të drejtësisë! Mbështetje e padrejtë edhe nga institucionet e larta shtetërore për ideatorët e zbatuesit e ndryshimit të drejtësisë!Vettingu i zgjatur prej tre vjetëve ka ndikuar dhe vazhdon të japë pasoja të rënda. Nga afro 800 gjyqtarë e prokurorë, janë gjykuar vetëm afro 100 prej tyre nga Komisioni i Figurës së Nëpunësve të Drejtësisë. Është krijuar mendimi kriminal për të përfituar nga detyra aq sa mund të përfitohet, siç është formuluar shkurt KÇK që do të thotë “kap çfarë të kapësh”!!! Këtë gjendje të rëndë të drejtësisë dhe paaftësisë së shtetit për zbatimin e Kushtetutës e granatimin e rendit juridik nuk e përjetuar asnjëherë shteti dhe populli shqiptar. Ecuria e deritanishme e Reformës në Drejtësi vlerësohet sipas parashikimeve. Por realiteti është ndryshe. Zbatimi po vonohet nga vetë zbatuesit, nga vetë institucionet e parashikuar nga Kushtetuta e ndryshuar dhe ligjet e miratuara. Do të duhen edhe disa vite të tjerë për të realizuar gjykimet për figurën e gjyqtarëve e prokurorëve dhe përfundimin e Reformës në Drejtësi. Vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Gjendja e drejtësisë dhe ligjshmërisë kërkon të merren masa emergjente energjike shtetërore. Nuk ka shtet në botën e sotme që të mos ketë në funksion institucionet kryesore të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk funksionon pa institucionet e tij fondamentale të mbrojtjes e zbatimit të Kushtetutës dhe realizimit të drejtësisë me rreptësi, barazi e pa dallime të pushtetarëve me qytetarët. Për këto arsye madhore, është e domosdoshme të realizohet sa më parë që të jetë e mundur plotësimi i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Mundësisht, të emërohet një pjesë që të fillojë veprimtaria e këtyre institucioneve. Me këtë përparësi kërkohet të realizohet edhe emërimi i prokurorit të përgjithshëm e prokurorëve të SPAK, Gjykatës Speciale etj.