Gentian Çala: Humnera, humnerën ndjell!

314
Sigal

Nga Gentian Çala

Pasi votuan çfarë mundën e ç’ju tha Qeveria e Taulanti, Rama i ka mbledhur sërisht të ndërrojnë Kushtetutën, se helbete kanë kartona në duar. Bullisti Rama vetëm këta nuk bullizoi, se i duheshin. Se vetëm këta mund ta ndërrojnë Kushtetutën si mbulesën e tavolinës ku hanë të gjithë tok në sahanët e pushtetit. Mbase disa prej tyre, robër komplekesh inferioriteti të patrajtuar, shesin edhe moral e flasin për popull. Nuk ka opozitë në botë që mban në këmbë një qeveri të korruptuar.

Një grup që nuk di çfarë emri ti vesh dhe që të vjen turp që i ke pasur në krah deri dje, sjellë në Parlament nga hiçi ose thuajse hiçi, njerëz që duket se e kanë shitur kaherë moralin, kanë vendosur të shkelin mbi marrëveshje politike dhe mbi ndërkombëtarë. E gjitha se përdoren dhe blihen lehtë. E pastaj flasin në emër të shqiptarëve, të atyre që i lanë me vullnet e qejf nën një Qeverisje e një Kryeministër të korruptuar e të paaftë. A thua i pandehin të gjithë për naivë?! Apo në delirin e tyre nuk ua merr mendja se ajo që po bëjnë është marrëzi dhe tradhëti ndaj popullit që thonë se e duan.

Pasi shitën veten, tani kanë vendosur tu shesin edhe juve. Se në pazarin e madh politik, vetëm njëri paguan, Kryeministri ynë. E ky duket se e ka të fortë nuhatjen për çirakë dhe sahanlëpirës. Ndaj ju ka zgjedhur juve: “Opozitën” e kartonëve të gjelbër të Ramës. Se ju i rrini gati, si ta dojë ai: pa koalicione, me lista, me prag elektoral. E po e bëtë punën mirë edhe haraçi është i majmë. Atë që e morët belesh po mundoheni ta shisni shtrenjtë. Kështu do populli thoni ju, që jeni të vetmit që nuk po dëgjoni atë që dëgjojmë të gjithë: populli nuk po e do më këtë Qeveri!

Sa keq më vjen për të gjithë ju, jeni bërë për t’iu qarë hallin dhe flisni për fitore. Por, kur të mos i duheni më Kryeministrit do të kuptoni se ju përdori si mos më keq. Juve mbase nuk ju intereson kjo, por ju duhet veç që ta keni xhepin plot. Do të mbaheni mend gjatë si njerëzit që nuk u munduan kurrë të kenë dinjitet! Do të mbaheni mend gjatë se si një Mazhorancë e pagojë dhe e nënshtruar nga një Kryeministër autokrat “bleu” ca renegatë me kartona dhe u munduan të ndryshojnë Kushtetutën, por nuk ia dolën dot.
Se siç thonin romakët e lashtë: “Abyssus abyssum invocat” (Humnera, humnerën ndjell).