Artan Kristo: Çfarë pune bën kryeministri?

1803
Sigal

“Shpirt i babit, mos harxho kohën gjithë ditën në “Fejsbuk” e “Instagram”! Është kohë e humbur kot. Nuk të japin asgjë rrjetet sociale! Puno për mësimet!”, qortova edhe sot fëmijën tim, për të qindramijtën herë. Gjithmonë, pas vërejtjeve të mia, ai justifikohej me diçka, ose “Tani sapo u futa”, ose ”Po flas me një shok për detyrat” etj., etj. Ndërsa sot më dha një justifikim të padëgjuar më parë:
– Po për Edi Ramën që rri gjithë ditën në “Twiter”, “Fejsbuk”e “Instagram” ç’do thoshe, o ba?? Edhe ai e humbet kohën kot?
Mund t’i ktheja përgjigje tim biri, t’i thosha që marrëdhënia me publikun është shumë e rëndësishme për një politikan e kryeministër, por trurin ma pushtoi një pyetje tjetër që më erdhi në mend: “Çfarë bën Edi Rama gjatë ditës? Sa punon realisht ai?”. M’u kujtuan ato ç’kanë thënë “armiqtë” e tij, që “ai i ka fobi shkresat dhe nuk iu lexon fare, por nganjëherë i firmos pa i lexuar, ose lë zëvendëskryeministren t’i lexojë. Më erdhën ndër mend edhe pikturat që ai bën mbi shkresat e punës, apo agjendën ditore që mban mbi tavolinë dhe me të cilat mburret, dhe përsëri po mendoja: Vërtet, çfarë bën Edi Rama gjithë ditën? Me se merret ai? Se, ndryshe nga kryeministrat apo presidentët e tjerë tjerë të Evropës, agjendën e tij nuk mund ta gjesh në internet. Duke parë aktivitetin e tij në rrjetet sociale shikon se ai është aktiv gjithë ditën, që në mëngjes herët, ku përshëndet me një klip enciklopedik në Instagram, e vazhdimisht në intervale të ndryshme orësh, me klipe serioze, që flasin për punën e qeverisë, por edhe me «meme» e karikatura të Bashës e Berishës, që bëjnë për të qeshur vetëm kalamajtë e kopshteve. Kërkimi e shpërndarja e tyre me siguri i «hanë» shumë kohë. Nuk besojmë që ai lejon të tjerët të futen në faqen e tij dhe të shpërndajnë materiale. Ose, edhe po i gjetën dhe i shpërndanë të tjerët, ai, jam i sigurt, që harxhon minuta e orë, duke kontrolluar çfarë shpërndahet në emrin e tij, apo jo?
Po kështu, shumë orë ai harxhon, duke bërë debat me lexuesit, shpeshherë edhe live në “Fejsbuk”, duke u grindur apo bërë batuta me ta. Shumë orë zotit Rama ia hanë edhe studiot e “kazanit”, sidomos në kohë “të nxehta”, si këto që po kalojmë…
Duke sjellë ndër mend edhe pasionin e tij për pikturën, jam i sigurt që edhe lapsat që ka mbi tavolinë “e tundojnë” dhe i marrin shumë orë të tjera zotit kryeministër. Po kështu, mendoj se edhe shumë minuta i “ ha” edhe koshi i basketit, që ka në zyrë. Po, a i mbetet kohë kryeministrit tonë të punojë?
“E ç’punë mund të bëjë ai?!”, mund të thotë dikush?! Puna e kryeministrit kjo është, të bëjë debate, të hedhë batuta, të dalë në televizion. Po, kjo është një pjesë e punës së një kryeministri, por kjo është pjesa më pak e rëndësishme e punës së tij, të cilën (të rrimë shtrembër e të flasim drejt) ai e kryen në mënyrë perfekte. Është mjeshtër i batutës dhe oratorisë, është pa frikë, showmeni më i mirë në Shqipëri dhe do të fitonte miliona edhe me këtë zanat po ta ushtronte…

Por, vërtet si mund të ishte një ditë pune e zotit kryeministër në këto momente? Le t’i japim pak krahë imagjinatës: Fare mirë, në vend të leximeve dhe shpërndarjeve të “memeve” të Bërrylit në “Instagram”, ai mund të lexonte ligjin ekzistues për Arsimin e Lartë, të cilin do ta hedhë poshtë e ta bëjë nga e para. Se, siç tha njëri nga rektorët pjesëmarrës në mbledhjen me të, ai nuk e njihte fare atë. Mund të lexonte edhe ndonjë ligj nga ata që do aprovojë këtë muaj, apo tjetrin parlamenti, që të mos e kritikojë përsëri pas disa vjetësh, siç po bën tani më ligjin për Arsimin e Lartë. Po mund të merrej disa orë edhe me ekonominë, e cila është “thembra e Akilit” për Shqipërinë. Natyrisht, mirë do të ishte që kryeministri të njihte ekonominë e, idealja për Shqipërinë, do ishte që në krye të kishim një ekonomist, por, edhe një piktor nuk është hataja, mjaft që të kishte këshilltarë të mirë dhe të dinte të dëgjonte specialistët. Kështu, për shembull, mund të thërriste për një bisedë Sherif Bundon, që ka mbrojtur doktoratën e shkencave ekonomike në Francë për bursat, (të cilin e talli në “Fejsbuk”, sepse foli në mitingun e studentëve) dhe t’i kërkonte ca mendime sesi të organizonte bursën e Tiranës, që ekziston vetëm në letra. Po mund t’i kërkonte edhe ndonjë mendim për të hapur vende pune që, kur ta pyesnin nëpër intervista, pse ikin të rinjtë nga Shqipëria, mos përgjigjej me batutën, që ”kështu është kjo punë, ca ikin, ca vijnë…”.
Mund të thërriste edhe ministrin e Brendshëm, ose ndonjë specialist të krimit dhe të bisedonte me të për të hartuar ndonjë ligj, sesi të mblidhen armët që po vrasin përditë njerëz…
Ca orë dje edhe sot mund t’i kalonte edhe duke parë relacionet e Kontrollit të Shtetit, që t’u priste rrugën miliarda eurove që shpërdorojnë ministritë dhe agjencitë e tjera të shtetit. Se, sipas tij, nga buxheti i shtetit, çdo ditë shpërdorohen, pra vidhen, 2.7 milionë euro…

Ja, pra, punë ka sa të duash kryeministri, por që t’i bëjë këto, e para, duhet të dijë të punojë dhe “punë” më të vështira sesa të merresh me “Fejsbuk”, “Twiter”, apo “ Instagram” dhe e dyta, të dojë të punojë. Sepse historia e kohëve të fundit të Shqipërisë ka njohur edhe kryeministra të tillë që, kur shkonin pasditeve në shtëpi dhe shikonin dritë në zyrën e zëvendëskryeministrit, u thoshin badiguardëve: “Po ky trapi, akoma punoka?!”.