Pse zgjedhjet e afërme pluripartiake nuk janë garanci e demokracisë për Shqipërinë?

559
Sigal

Kujtim Drishti

 Mbrojtja e kushtetutës së Republikës Demokratike është e vetmja alternativë, kushtetuese që është burgosur nga të dyja partitë. Shpëtimi i Kushtetutës nga burgu i dy partive, të cilat kanë fytyrë akoma t’i kërkojnë popullit që t’i zgjedhë në pushtet do të jetë shpëtimi i vetë popullit. Prandaj Libraritë duhet të mbushen me Kushtetutën dhe Shtojcën e saj, Deklaratën e të Drejtave të Njeriut!

 Dhënien e përgjigjes së kësaj pyetje ia kemi detyrim popullit tonë, i cili mendon akoma se, meqenëse voton në sistem pluralist politik ai bën detyrën ndaj demokracisë. JO! Jeta i tregoi shqiptarëve në këto 30 vjet, se fakti i të votuarit në një sistem pruripartiak nuk përbën akoma garancinë e demokracisë.

Sepse, ja që të dy partitë për të cilat votoi pupulli nuk i shpëtuan dot reflekseve diktatoriale të shefave të tyre. Kështu regjimi shqiptar ka përfunduar sot në dilemën: cilin diktator do të zgjedhim? Pra në një demokraci diktatorësh, të cilët këtë herë, më të zgjuar se Zogu dhe Enver Hoxha, të lënë të flasësh e të mendosh çfarë të duash dhe në të njëjtën kohë zëvendësuan Drejtësinë që jep Kushtetuta me drejtësinë e tyre personale, e cila përjashton Gjykatën Kushtetuese, shkurt që përjashton Kushtetutën.

Qetësia e rreme që zotëron në Shqipëri është një qetësi iluzore brenda së cilës çdo gjë e keqe ndodh e do të ndodhë, nga të cilat më kryesorja është shitja e vendit për dy para për popullin dhe shumë para për shefat. Si mundet që populli t’i thotë vetes: « jam i detyruar të zgjedh të keqen më të vogël» kur të dyja të këqijat e deritanishme kanë shkallmuar zemrën e demokracisë që është vetë Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese? Garancia e demokracisë nuk janë zgjedhjet por mbrojtja e Kushtetutës Demokratike. Mbeten vetëm dy zgjidhje:

  1. Ose do të krijohen parti që do të marrin në mbrojtje kushtetutën dhe të nxjerrin jashtë loje partitë që e shkatërruan atë e t’i tregojnë popullit ku është tradhëtuar Kushtetuta.
  2. Ose në pamundësi të krijimit të partive të tilla populli duhet të mos e hajë më karremin e vjetër. Atij do t’i duhet të mos shkojë në votime dhe të kërkojë ndërtimin e një qeverie teknike me ndihmë të SHBA dhe Evropës, e deri sa të mbarojë Vetingu i cili duhet të plasë qelbin. « Ubus pus incisium est »= ku ka qelb bisturia është e nevojshme. Përndryshe Shqipëria e cila është vënë në një pjerrëz me drejtim poshtë, do të shkojë gjithnjë e më poshtë. Kjo alternativë do të “zgjojë” ndërkombëtarët, amerikanë apo evropianë, për të cilët Shqipëria është një pikë strategjike. Veprimi i mos vajtjes në zgjedhje do të tregonte pjekurinë e një populli që i provoi të dyja partitë në 30 vjet dhe tani i refuzon. Lidhja e popullit me kushtetutën do të jetë shpëtimi i tij dhe i fëmijëve të tij. Vetingu do t’i japë të drejtë popullit shqiptarë në refuzimin e alternativës midis dy të korruptuarve dhe dy diktatorëve. “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat tek kapja pas individëve dhe jo pas ideve” thoshte Konica që e njohu mirë popullin e tij dhe politikanët. Ai arriti të lëshojë një parashikim, erën e të cilit po e ndjejmë shumë fort sot: “Shtetet sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin-dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundje ose aksidente. Nëqoftëse Shqipëria – fjalë fatale-vdes, atëherë mundet pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët. Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë” (Vepra 3 f.333) Në qoftë se populli lidhet me Kushtetutën e tij e me idetë e saj dhe jo me politikanët, atëherë këta të fundit do të kuptojnë se për të ndërtuar një sistem të drejtë shoqëror duhet dhe ata të ndjekin kushtetutën e të bëhen mbrojtësit dhe garantët e mbrojtjes së Kushtetutës. Mbrojtja e kushtetutës së Republikës Demokratike është e vetmja alternativë, Kushtetutëse që është burgosur nga të dyja partitë. Shpëtimi i Kushtetutës nga burgu i dy partive, të cilat kanë fytyrë akoma t’i kërkojnë popullit që t’i zgjedhë në pushtet do të jetë shpëtimi i vetë popullit. Prandaj Libraritë duhet të mbushen me Kushtetutën dhe Shtojcën e saj Deklaratën e të Drejtave të Njeriut!