Agron Dalipaj/ Akademia e “Shqeskave”

1381
Sigal

Nga Agron Dalipaj

AKADEMIA E SHQESKAVE

Letër për Niko Stilon.

I nderuar mik, pikërisht sot kam detyrimin t’ju shkruaj. Si njeri që i jeni përkushtuar shkencës dhe referuar ndikimit që keni në opinionin e gjerë shqiptar me 15 veprat tuaja albanologjike shumë të çmuara, por që nuk konsiderohen në ASH-në e Tiranës dhe as që bëhet fjalë që t’ju bëjnë antar të kësaj akademie. Jo spontanisht rasti juaj më kujton Molierin, i cili dha shpirt në skenë dhe publiku e duartrokiste duke menduar se ai po luante magjishëm rolin e tij. Kurrë Akademia Franceze e asaj kohe nuk e pranoi antar të saj Molierin sa qe gjallë, sepse ata nuk e konsideronin gjeninë e tij. Molierin e njohu dhe e njeh gjithë bota.

Nuk mendoj se gjenden njerëz sot në Feancë e në botë që të na thonë emrat e tre a katër akademikëve francezë të kohës paralele të Molierit. Ata i ka mbuluar dheu i kohës. Molierin pas vdekjes e pranuan antar të Akademisë Franceze. Te busti i tij shkruhet: “Lavdia e tij nuk pati nevojë për asgjë. E jona ka nevojë për atë.”. Në muze gjendet një kolltuk origjinal i Molierit i cili është rjepur nga miliona duar që e kanë lëmuar atë kolltuk duke e prekur në vend të gjeniut… Të kujtova sot Niko, në Pogradec, tek barisja para përmendores së Mitrush Kutelit, njeriut që e varrosën për së gjalli. Edhe ai nuk qe antar akademie. Ai punoi e shkroi nën terror dhe nuk shpresonte e ëndërronte të bëhej dhe prej bronxi. Gjëkundi në Shqipëri nuk sheh nonjë përmendore akademiku. Vetëm nja dy buste të vegjël turpi te ASH-ja, që me kohë do hiqen sepse koha është gjykatëse e paanshme. Në mendje të kam sot gjith ditën Niko, sepse para pak ditësh më the se nuk do vije më në Shqipëri.

Para një viti ta hoqën tinëz nga konkurimi veprën e paraqitur në ASH sepse duhej të fitonte një fjalor që e sterroste shqipen duke e nxjerrë 93% të leksikut të saj të huazuar! Ndërkaq ti kishe sjellë një vepër për konkurim ku vërtetoje me fakte se shqipja ka qenë e shkruar para greqishtes e latinishtes dhe nuk të lejuan të konkuroje. E menduar hollë, ASH e Tiranës më shumë se sa akademi shkencash, është një akademi shqeskash. E di dëshpërimin tënd kur sheh se atdheu i ëndrrave të tua të vret. E ti prapë, si Sizifi, vazhdon të ngresh gurin e rëndë të albanologjisë për te maja… Je aq i ngjashëm me sizifianin tjetër Petro Zheji. Atë edhe pas vdekjes nuk e konsiderojnë si shkencëtar. Eh, nuk jemi në atdheun e Molierit ku akademia u pendua… ASH-ja e Tiranës është e mbushur me dhëndurrët e Byrosë famëzezë të KQ të PPSH, që janë rehatuar aty për mot e jetë. Ata sot kishin zgjedhjet. Për kryetar “zgjodhën” një ish ministër të Nexhmies, të cilit i mungonte rivali… I porsazgjedhuri ka tridhjet vjet që nuk ka shkruar nonjë hartim, pale të ketë paraqitur a botuar ndonjë vepër shkencore. Vetëm te Akademia e Shkencave e Tiranës mund të bëhesh kryetar pa qenë nevoja të kesh vepër shkencore në tridhjet vitet e fundit. Biles, këtij kryetarit të ri, nuk i gjendet asnjë broshurë më asnjë librari në vendin tim! Gjasat janë që ky të rrijë më shumë se Aleks Buda në krye të akademisë.

Aleksi i ndjerë ndenji 21 vite kryetar dhe as me dorë e as me këmbë nuk shkruajti dot një libër! Mu për këtë meritë (të mosshkrimit), ai ka një bust bronxi në hyrje të akademisë “që udhëhoqi”. Tek ne nuk është si në botë ku idiotizmi nuk vlerësohet. Ne idiotin e kthejmë në idhull. Prandaj jemi vend interesant. Për sa ka një masë idiote në çdo popull, pse mos të kenë edhe idiotët një përfaqësues në bronx?! Një gjë është e sigurt: idiotizmi nuk vdes kurrë. Ndaj, akademikët tanë (dhëndurët e idiotëve të Byrosë Politike) dinë ç’bëjnë. Kulmin e saj ASH-ja e Tiranës e ka, kur në sallën e saj kryesore, u promovua me pjesmarrjen e akademikëve libri i Flamur Bërdëllimës me titull: “sa jemi shtuar ne budallenjtë”. I dashur Niko, nuk di si të të jap shpresë se gjërat në vendin tim mund edhe të ecin sipas logjikës. Tek ne alogjikja triumfon gjithmonë dhe absurdi nuk mbaron kurrë. Niko, gjenitë nuk dekurajohen kurrë dhe ndaj ti vetë nuk mund të ndalosh kurrë. Ti nuk punon për këtë kohë. Je i pakohë. Te ty gjej ngushëllim edhe unë.