Vlora në festivalin e polifonisë, çmimin “Haxhi Dalipi” e merr grupi i Gramshit

1283
Sigal

Dhjetëra artistë nga zona të ndryshme të vendit u mblodhën në Vlorë për edicionin e XIII të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso – Polifonisë.
Pjesëmarrës ishin artistë të të gjitha moshave që interpretuan me grupet e polifonisë labe dhe toske nga Gramshi, Belshi dhe Shpati, Tërbaçi, Mallakastra, Gjirokastra, Skrapari, Vranishti, Livadhja dhe Finiqi e natyrisht Vlora.
Juria ndau disa çmime për kontribut të gjatë dhe interpretim me nivel të lartë artistik.
Çmimin Special “Haxhi Dalipi” e fitoi Neki Zhupani nga Gramshi, ndërsa Çmimin e Parë “Neço Muko” e mori ansambli folklorik i Qarkut Elbasan, të dytin e mori grupi polifonik Miks “Shën Dëlli” dhe “Gjergj Arianiti” nga Bashkia Mallakastër.
Iso-Polifonia vokale shqiptare është shpallur nga UNESCO “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” dhe mbrohet po prej saj.
Ky festival zhvillohet çdo vit për mbrojtjen, ruajtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipërinë e pas viteve ‘90.
*
Çmimet në Edicionin e XIII-të të Festivalit Kombëtar të Iso-polifonisë:
-Çmimi Special “Haxhi Dalipi” – fitues Neki Zhupani, Gramsh
-Çmimi i parë “Neko Muço” – fitues Ansambli Folklorik i Qarkut Elbasan
-Çmimi i dytë “Demir Zyko” – fitues grupi polifonik “Shëndëlli” dhe “Gjergj Arianiti”, Mallakastër
-Çmimi i dytë “Xhevat Avdalli” -fitues grupet polifonike Qarku Gjirokastër
-Çmimi i tretë “Arap Çeloleskaj” – fitues, Ansambli folklorik i Bashkisë Skrapar
-Çmimi i tretë “Dhimitër Varfi” – fitues, Grupi polifonik i Dukatit
-Çmimi Marrësi më i mirë – fitues Robert Prifti, Vlorë
-Çmimi Marrësja më e mirë- fituese Shpresa Kapaj, Tërbaç, Vlorë
-Çmimi i karrierës – grupi polifonik “Bilbili”, Vlorë
-Çmimi i 75 Vjetorit të Çlirimi – fitues grupi polifonik Çipini.