Sefedin Met’hoxha: Skrapari përkujton trimat e lirisë

924
Sigal

Me datën 28.09.2018 në qytetin e Çorovodës mori udhë një veprimtari përkujtimore për 12 dëshmorët e Skraparit të cilët kishin 75-vjetorin e rënies në zjarrin e Luftës Çlirimtare. E organizuar nga Organizata e Familjes së Dëshmorëve dhe ajo e Veteranëve në bashkëpunim me Bashkinë e Skraparit. Salla e kinemasë që mban emrin e dëshmorit “Tefik Lapani” u mbush plot. Merrnin pjesë veteran e pasardhës të familjeve të dëshmorëve, drejtues të Bashkisë dhe kuadro nga institucionet e tjera shtetërore, nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjeçare “Kahreman Ylli”. Pra respekti për të rënët i mblodhi të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë. Prej kohësh Skrapari është shndërruar në një vatër të ngrohtë atdhetare ku gjenin strehë dhe mbrojtje, bukë dhe kripë e zemër luftëtarët e lirisë ndër vite. Shumë vargje e këngë janë shkruar e kënduar për Skraparin dhe bijtë e tij. Të cilët në periudha të ndryshme të historisë, ia rritën famën, nderin dhe krenarinë Skraparit. Takimin përkujtimor e hapi Kryetari i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, Hajrulla Çela, i cili apeloi emrat e dëshmorëve dhe kërkoi mbajtjen një minutë heshtje në përkujtim të tyre. Të emocionuar e morën fjalën folësit njëri pas tjetrit për të rënët. Ata aq sa e ndjenin për nder, aq dhe ndjenin më tepër emocione nga përgjegjësia që i pushton duke parë sallën plot ku dominonin nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare që mban një emër të madh, kur shikon djem e vajza të moshës më të bukur e në kulmin e zhvillimit fizik dhe intelektual që dëgjonin me vëmendje kujtimet për vitet e zjarrta të Luftës. Ata sot lexojnë e shohin gjithçka, shkolla dhe mendja, libri dhe interneti, bashkuar me etjen për dije, i bëjnë këta nxënës shumë superiorë, krahasuar me të kaluarën. Nga ana tjetër, pluralizmi politik, debatet pa bereqet “pro dhe kundra” edhe për fëmijët për çështjet kardinale të historisë, i kanë pasuruar dhe njëkohësisht ua kanë turbulluar mendjen të rinjve, sidomos atyre të moshës shkollore.

Forcat politike të djathta, të cilat gjatë LANÇ-it bashkëpunuan me pushtuesin, sot për ta nxjerrë veten të “larë” nga mëkatet e këtij bashkëpunimi, përpiqen të errësojnë vlerat e LANÇ-it, të zvogëlojnë numrin e dëshmorëve, madje arrijnë deri atje sa të thonë, sikur ata kanë rënë kot. Ata shpifin duke sajuar rrethana të tjera, për të mohuar rënien heroike të dëshmorëve tanë dhe sigurisht në mendjen e këtyre të rinjve, krahas vlerave edhe diçka e keqe ka hyrë pa dashjen e tyre. “Nën peshën e kësaj përgjegjësie m’u desh që të përgatitesha seriozisht”, më thotë Zylçe Hoxha (Përgjegjësja e Qendrës Kulturore “Riza Cerova” Skrapar) “U përpoqa,-thotë ajo,-që në fjalën time për dëshmorët të kënaqja atë auditor të mrekullueshëm, i cili ka një “dekor” nga më të bukurit, kishte nxënësit e shkollës. E këtu në Skrapar, si kudo në Shqipëri nxënësit janë të pranishëm gjithmonë në aktivitete përkujtimore së bashku me mësuesit e tyre Meçan Zeqo, e Asqeri Zylyftari. E ç‘vlera do kishte një ligjëratë për heronjtë e dëshmorët tanë pa ua transmetuar atë brezit të ri?! Lektorët që folën në këtë takim si Zylçe Hoxha, Meto Bici etj…. Kujtimi i trimave të Lirisë erdhi i gjallë në sallë. Ndër ta nga këta dëshmorë ishin; Lace Backa, Këze Hoxha, Sabri Kacidhja, Shaban Ceco, Taip Çela, Luman Ceco, Mustafa Zoto, Hysen Zaimi, Petref Luadhi, Tefik Lapani dhe Veri Dosti. Shumica prej tyre ranë në betejën e Qafës së Kiçokut, më 2 korrik 1943 dhe pas një lufte që kapërceu cakun e çdo heroizmi. Lace Backa ra heroikisht në luftën kundër grekut, më 1913-n në Qafën e Martës. Aty u bënë recitime nga nxënësit e shkollës, pastaj në emër të familjarëve të dëshmorëve foli veteran i Luftës, shoku Nebi Hysi. Ai pasi falënderoi organizatorët e kësaj ngjarjeje përkujtimore tha: “Unë dhe të gjithë ju, ju falemi këtyre 12 djemve që u përmendën këtu të cilët në lulen e rinisë së vet e dhanë kushtrimin e nisjes së Luftës Çlirimtare”. Pastaj iu drejtua nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kahreman Ylli” që iu tha: “Të jeni krenarë për emrin që mban shkolla juaj, të mësoni të gjithë si ai, ta doni atdheun të gjithë si ai!” Me këto fjalë shumë emocionuese po mbyllej takimi përkujtimor. Përshëndeti eventin edhe N/Kryetari i Bashkisë Z. Fatjon Kaloçi. Kur lexova në sytë e nxënësve pëlqimin e fjalëve të veteranit dhe dashurinë e respektin që po shprehej në sytë e tyre, kjo ishte kënaqësia jonë më e madhe dhe atëherë thua me vete: “Ç‘kënaqësi është që të punosh me ta, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar!”.