Ramazan Çeka: Spektakli, Shkodra nderon më të mirët e saj

1672
Sigal

 

BEST 10 NORTH 2019

SHKODRA NDERON MË TË MIRËT E SAJ

Nga RAMAZAN ÇEKA

 

Një mbrëmje e magjishme e organizuar nga një Agjensi Kulturore-Artistike, e cila 21 vite më parë u pagëzua me një simbol shkodran “Buna 1” me themeluesin e saj z.Arben Mazi, njëkohësisht edhe producent, erdhi në Teatrin “Migjeni” në edicionin e tetë me spektaklin “Best 10 North” për të sjellë dhe për të vlerësuar aty figura të shquara të qytetit të Shkodrës në të gjitha fushat e krijimtarisë dhe veprimtarisë shoqërore dhe për të treguar se Shkodra çdo vit ka çfarë të promovojë dhe ka me kë të krenohet.Ashtu siç rrjedh ngadalë Buna jonë, Barbana e vjetër, ashtu siç kanë lundruar me mijëra vjet barka, lundra, sule e anije në ujërat e këtij lumi, me mijëra vjet “kanë lundruar” bashkë me to edhe njerëzit më të shquar që Shkodra i ka përkundur në djepin e saj.Ndoshta janë pak, e sigurisht që janë pak, që të përzgjedhësh në këto figura të shquara që Shkodra i ka lindur, i ka përkundur dhe i ka bekuar për rrugën e tyre, në fusha të ndryshme të jetës, por “Buna 1” nga viti në vit kujtohet që ato, jo vetëm të mos humbin, por të evidentohen dhe, kur nuk janë më mes nesh, të kujtohen. Një veprimtari e tillë e kthyer në traditë ku Agjensia e Spektakleve “Buna 1” tashmë është një institucion për vlerësimin e personaliteteve që siç e cilësuam më lart, janë një pasuri jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por edhe më gjërë në rang kombëtar.  Vlerësimi i tyre në natën finale të spektaklit “Best 10 North” vjen nga një votim popullor që bëhet për ta në mediat lokale dhe në internet dhe kjo votë është vendimtare në dhënien e titujve për këta figura të shquara.Një gjë e tillë bie në sy si një transparencë që kjo Agjensi ka ndjekur nga edicioni në edicion.Të organizosh një aktivitet të tillë kërkon edhe një organizim artistik, për t’iu shmangur mbledhjeve solemne dhe për këtë kjo Agjensi kulturore-artistike kujtohet gjithmonë.Ajo fton në skenën më të shenjtë të qytetit të Shkodrës në Teatrin “Migjeni” 10 personazhet e vitit, për t’i paraqitur ata me gjithë aktivitetin e tyre para publikut shkodran, duke e gërshetuar spektaklin me një show të vërtetë, duke e kthyer atë në një mbrëmje të vërtetë gala, në një mbrëmje artistike, shoqërore dhe qytetare.Këto vlera të organizimit të këtij spektakli çdovjetor kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit, duke treguar kështu cilësi dhe profesionalizëm, si dhe risi artistike.Spektakli nën drejtimin e modertores së mrekullueshme Siçiljana Mazi u hap me një këngë shkodrane të interpretuar nga këngëtarët Nimet Leka dhe Adelina Correj, për të vazhduar rrjedhën e tij sipas programit, duke gërshetuar prezantimin e 10 personazheve më të mirë me krijimtarinë më të mirë muzikore të qytetit.Ndër peronazhet e shquar u fillua me vlerësimin e arsimtarit më të mirë, e asaj figure që historikisht ka qenë gjithmonë më e nderuar nga publiku arsimdashës shkodran. Mimoza Fishta ishte mësuesja e nderuar që publiku kishte votuar për kontributin në karrieren e saj në edukimin e brezit të ri.Këtë çmim, kësaj mësueseje të nderuar ia dorëzoi nëndrejtoresha e Gjimnazit “28 Nëntori” Edlira Tafili.Shkrimtari i ri dhe i talentuar Bledar Tafaj ishte i përzgjedhuri tjetër në këtë natë, e cila do të mbesë e paharruar për të, pasi ai me modesti u shpreh se nuk e dinte që krijimet e tia kishin lënë kaq shumë mbresa për fansat dhe lexuesit e tij.Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë shkrimtari Zija Vukaj, Kryetar i Lidhje së Shkrimtarëve të qytetit të Shkodrës.Spektakli u gërshetua edhe në vazhdim me interpretime të këngëtarëve të ftuar, të cilët, jo vetëm i dhanë gjallëri, por e kthyen atë në një shfaqje të vërtetë artistike. Në skenë u ngjiten këngëtarët shkodran: Martina Serreqi, Selma Bekteshi, si dhe Gentjana Tafili, të cilët me zërin e tyre i dhanë këtij aktiviteti ngjyrat e qytetit.

Një emocion të veçantë në skenë krijoj një vajzë e vogël me një talent të madh, 9-vjeçarja Elena Babani, fituese e disa çmimeve, e cila interpretoi me vjolinë Pjetër Gaci Motoperpeto.Më e rëndësishmja e natës së sotme, u shpreh moderatorja e talentuar dhe simpatike Siçiljana Mazi, qëndron se kemi njerëz të cilët na kanë mbështetur për organizimin e këtij spektakli, deri në pikën më të vogël organizative. Ne në gjuhen televizive i quajme ato “sponsor”, por sot do t’i quajmë “miq”, për faktin se kanë qenë gjithmonë afër agjensisë së spektakleve “Buna 1” në organizime të tilla kulturore.Spektakli i përvishëm “Best 10 North” prezantoi në këtë natë edhe personazhe të tjera të përzgjedhur nga votimet, të cilët po i rreshtoj më poshtë:

“Piktori më i mirë i vitit” Pashk Përvathi.Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë gaztari i RTSH Tom Therçaj.

“Këngëtari më i mirë i vitit” Klodiana Vata.Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë ai që i merr dhe i rritë ato në skenë me shumë punë, profesionalizëm dhe dashuri, “Mjeshtri i Madh” Kujtim Alia.

“Aktori dramatik më i mirë i vitit” Jozef Shiroka.Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë drejtoreshen e Teatrit “Migjeni” Rita Gjeka.

“Biznesi më i mirë agroturizëm” Mrizi Zanave.Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë Marsel Lacaj.

“Sportisti më i mirë  i vitit” Erdenis Gurishta. Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë trajneri i grupmoshave të ekipeve “Shpresa” Ardit Mani.

“Trajneri më i mirë i grupmoshave” Artur Lagja.Për të dhënë këtë çmim u ftua në skenë “Mjeshtri i Madh” i sportit të peshëngritjes shqiptare Asim Belinova.

“Çmimi Special” iu dha aktoit të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës Muhamet Çekini, çmim që koincidonte edhe 70-vjetori i ditëlindjes së tij. Këtë çmim ia dorëzoi një aktore e madhe e humorit shkodran Drande Xhaj “Mjeshtre e Madhe”, e cila me dashamirësi, me humor dhe me respektin për një koleg, i uroj atij jetë të gjatë dhe të lumtur në karrieren artistike.Me çmimin e “Mirënjohjes u nderua ish masoviku i famshëm shkodran, mësuesi i shumë e shumë brezave rinore të talentuar në të gjitha fushat, z.Ferdinand Bushati, i njohur nga të gjithë rinia si Zotni Nardi.Për t’ia dorëzuar këtë çmim u ngjit në skenë poeti dhe aktori Astrit Fani, i cili hyn në gjeneratat që janë edukuar në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut” në Shkodër.Me një tjetër çmim “Mirënjohje” u vlerësua poeti, shkrimtari dhe profesori i nderuar Alfred Çapaliku dhe këtë çmim ia dorëzoi një tjetër profesor i nderuar, shok dhe bashkëpunëtor, kompozitori i shquar Zef Çoba.Shkodra ka nxjerrë figura të shquara në të gjitha fushat e krijimtarisë shoqërore si: kulturë, art, shkencë, ekonomi, biznes, sport etj. dhe i ka evidentuar ato. Por Agjensia e Spektakleve “Buna 1” kujtohet të vlerësojë edhe ato figura që mund t’i quajmë “veterane”. Kështu para publikut shkodran u thirrën në skenë edhe dy figura që kanë bërë emër në fushat e tyre: “Mjeshtri i Madh” i futbollit Ferit Rragami, si dhe këngëtarja, zonja e Shkodrës “Mjeshtrja e Madhe” Vjoleta Zefi.Këto personazhe nuk kishin si të ishin ndër personazhet më të mirë të vitit, sepse ata janë ndër personazhet më të mirë të të gjitha kohrave në fushën e artit dhe sportit.Ata u priten me ovacione nga publiku në sallë, sepse karriera e tyre ka qenë bashkëudhëtare dhe krenari për Shkodrën.Unë autori i këtij shkrimi, që isha i ftuar në këtë spektakël, provova një surprizë të veçantë dhe të paharruar.Drejtuesja e spektaklit më ftoi në skenë për t’i dorëzuar çmimin e karrierës “Mjeshtres së Madhe” Vjoleta Zefi, asaj zonje të këngës shkodrane, asaj lule që nuk din të vyshket kurrë. Unë isha shumë i emocionuar, aq shumë i emocionuar, të ma besoni, sa për një çast më dukej sikur ajo po më nderonte mua dhe jo unë atë. Këto fjalë i thashë edhe në momentin ceremonial kur i dorëzova çmimin kësaj Dive të këngës popullore shkodrane.Këto fjalë i shpreha edhe para mikrofonit të gazetares simpatike Linda Kavaja që m’u drejtua në hollin e Teatrit.Futbollisti i shquar i “Vllaznisë” dhe i Kombëtares Shqiptare Ferit Rragami u ndje shumë i vlerësuar para publikut që aq shumë e ka duartrokitur në gjithë karrieren e tij, kur gazetari sportiv, tanimë shumë i njohur në median sportive Gjergj Kola i dorëzoi një çmim që vlerëson gjithë karrieren e suksesshme të këtij sportisti shkodran.Këto dy çmime e plotësuan edhe më mirë qëllimin që kjo Agjensi Artistike ka për të evidentuar e për të vlerësuar këto personazhe të Shkodrës, që as i kanë munguar, as nuk do t’i mungojnë kurrë.Ky aktivitet që zakonisht organizohet në fund të vitit është një ndër aktivitetet e shumta që në Shkodër organizohen tradicionalisht dhe që tregojnë se në këtë qytet jeta artistike është e gjallë, si një tregues se edhe jeta e qytetit, pavarësisht nga vështirësitë e shumta që mund të ketë, nuk largohet nga tradita e tij, nga kënga e tij, nga arti i tij dhe nga sporti i tij. Kjo është Shkodra, prandaj edhe e nderojnë dhe e duan të gjithë.Këtë veprimtari, përveç televizioneve lokale e regjistroi edhe RTSH, duke treguar kështu se veprimtari të tilla nuk janë thjeshtë lokale, por kanë vlera më të mëdha dhe janë një shembull për t’u organizuar në qytete të tjera.