“Art pa kufij”, vjen në edicionin e dytë

542
Sigal

Diva e artit, Tinka Kurti ngre në këmbë artdashësit sarandjotë

Artisti i shquar grek Dinos Kubatis vlerësime dhe falënderime për gazetën “Telegraf”

SARANDË/ “Art pa kufij” ka shfaqur edicionin e dytë në qytetin jugor të Sarandës. Një spektakël emocional, ku performohet kultura e dy popujve më të vjetër të Ballkanit: Shqipërisë dhe Greqisë. Iniciatorët e këtij eventi, Dinos Kubatis dhe Anastas Nika  kanë sjellë para artdashësve sarandjotë, mjaft pjesë të interpretuara me mjeshtëri nga artistë grekë dhe shqiptarë, por më mbresëlënës, ka qenë interpretimi i figurës së Ali Pashë Tepelenës nga Dinos Kubatis dhe interpretimet e “Artistes së Popullit” dhe “Nderi i kombit”, një nga gladiatoret triumfatore të skenës dhe ekranit shqiptar, Tinka Kurti. Interpretimet e së cilës janë shoqëruar me duartrokitje të gjata dhe ngritje në këmbë të spektatorëve. Artistët grekë dhe shqiptarë, protagonistë të spektaklit, janë pritur paraprakisht nga Kryebashkiaku Stefan Cipa dhe më pas është dhënë edhe një konferencë shtypi e përbashkët. Artistja e madhe Tinka Kurti ka treguar mes një modestie se, arti gjithmonë në gjuhën e tij, kryefjalë ka “Ti mundesh më shumë e më mirë!”. Bota sot na njeh dhe vlerëson vetëm për artin dhe kombi ynë është artist. Ndërsa artisti grek Dinos Kubatis  ka theksuar se, “Art pa Kufij” ka për vendlindje Sarandën, ky qytet është djepi i tij, natyrisht që suksesi lidhet edhe me mbështetjen e Kryebashkiakut Stefan Cipa. Edicioni i parë që startoi vitin që kaloi, pati si protagoniste të madhen e skenës shqiptare Margarita Xhepa, edicioni i këtij viti kishte një tjetër artiste  të madhe, Tinka Kurti, e cila sa mori vesh për spektaklin u përgjigj se do të merrte pjesë. Kjo përgjigje nga një prej divave të artit shqiptar na bëri të lumtur. Dhe kur personalitete të tilla ndodhen pranë nesh, jemi të bindur tek arritja e qëllimit tonë për këtë spektakël. Ndërsa edicioni i tretë, vitin që vjen do të sjellë një risi me sjelljen e artistëve të dëgjuar të Europës dhe krijimin e një forumi artistik. Por dua të nënvizoj se Tinka Kurti ka kapërcyer porta të mëdha të artit prej së cilave unë dridhem kur kaloj. Në fund Dino Kubatis ka falënderuar mikpritjen dhe mbështetjen e gazetarit Thoma Nika dhe gazetës “Telegraf”, së cilës i ka shprehur falënderime të veçanta për mbështetjen që i jep artit në faqet dhe suplementet e saj kulturore.