Niko Pojani, një libër për shkencën e konstruksioneve

95

Dje në ambientet e Hotel “Mondial” u promovua nga INSTITUTI I LIBRIT DHE I PROMOCIONIT “TOENA” libri “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj” me autor Niko Pojani. I shkruar jo sipas impostacioneve tradicionale, libri në dy vëllime “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj” trajton çështje dhe aspekte të kësaj shkence bazë të ndërtimit dhe konstruksioneve në përgjithësi. Ato gërshetohen me rrugëtimin historik të disiplinave komponente të saj, si: Mekanika racionale, Rezistenca e materialeve, Teoria e elasticitetit dhe plasticitetit, Teoria e strukturave (Statika, Dinamika, Qëndrueshmëria). Trajtohen gjithashtu Inxhinieria dhe Arkitektura sizmike. Në libër pasqyrohen dhe disa raporte e analogji interesante të Inxhinierisë me Matematikën (numrat), të Inxhinierisë me Biologjinë (bio-strukturat) dhe Teorisë së lëkundjeve elastike me Muzikën (tingujt). Vëmendje e veçantë i kushtohet lidhjes të ngushtë midis Inxhinierisë dhe Arkitekturës, raporteve mes estetikës, stilit e konfiguracionit të ndërtesave, nga njëra anë dhe aspektit mbajtës strukturor, nga ana tjetër. Temat e paraqitura shoqërohen me ilustrime e konkretizime të shumta.Libri i ka synuar njëherësh të dy funksionet: formimin teorik në Shkencën e konstruksioneve dhe informimin mbi protagonistët dhe zhvillimet historike (herë-herë, befasuese e intriguese) që ka kaluar kjo shkencë, nga ligji i levës dhe Antikiteti e deri në Metodën e elementëve të fundëm (MEF) dhe kronikën shkencore të kohëve moderne. Ky libër u drejtohet lexuesve të interesuar për Shkencën e konstruksioneve, duke filluar nga studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit (ndërtimet civile, industriale, rrugë-ura-tunele, hidroteknike) dhe të Arkitekturës, inxhinierët e arkitektët e diplomuar e deri te specialistët dhe studentët e disa profileve të tjera teknike, si Inxhinieri mekanike, e minierave etj. Pjesë të veçanta të tij mund të jenë të dobishme edhe për studiuesit e Teorisë së muzikës, të Teorisë së numrave në matematikë dhe të Biologjisë. Një formim i zakonshëm inxhinierik do të ishte i mjaftueshëm për leximin integral të librit. Por, lexues të prirë për t’u informuar a thelluar në tema të caktuara mund të gjejnë në libër një “rrugicë” të vetën, më tërheqëse për ‘ta, pa e pasur të nevojshme përgatitjen inxhinierike. Të tjerë, ndoshta, mund të zgjedhin pjesët më përshkruese, ku narracioni historik apo teknik prevalon mbi shpjegimet formale teorike.

JOSIF MINGËS: NJË URIM PËR DITËLINDJE
Mikaela Minga (muzikologe)
Ka gjithmonë një dëshirë të brendshme tek prindërit muzikantë që fëmijët të ndjekin “udhën e tyre”. Ka ndodhur me shumë të tillë dhe unë mund të them që nuk bëj përjashtim duke thënë se kam ecur në hapat e tim eti, kompozitorit Josif Minga. Pa dyshim, kjo sot më bën krenare dhe është një nga stimujt që më shtyn të shkruaj këto rreshta, si një dhuratë për ditëlindje. Në të njëjtën kohë besoj se jam edhe pak më ndryshe, sepse nuk po e bëj një gjë të tillë me tinguj, por me fjalët e një studiueseje, e cila përtej marrëdhënies të ngushtë familjare dëshiron që në këtë shkrim të ndajë me ata që lexojnë, ato gjëra të cilat i konsideron kuptimplote për t’u thënë në lidhje me figurën e tij në muzikën shqiptare.
Në qoftë se do më duhej ta përshkruaja rrugëtimin e Josif Mingës si krijues një nga veprat kryesore që do të duhet të përmendja do të ishin “Variacionet për oboe dhe orkestër”, e cila daton në fillim të viteve 1970, por që është vlerësuar për zgjedhjen timbrike dhe për gjuhën e saj muzikore. Për ata që janë më afër muzikës këtij zhanri elitar të muzikës shqiptare, në linjën e variacioneve vazhdon opera “Liceistët”, dhe rishtas vepra për orkestër “Rapsodi shqiptare +; – ”, një “rrëfim” muzikor deri diku ironik për zhvillimet bashkëkohore të muzikës shqiptare. Sa i takon muzikës së lehtë, lidhja e publikut besoj se do të ishte më e drejtpërdrejtë, duke marrë parasysh tituj si “Mora shoqezën përkrah”, “Bie po s’dua të fle”, “Këndomë djal’”, “Më të kuq të mollës”. Nga një anë kënga si zhanër dhe nga ana tjetë vokali si element, këto besoj përbëjnë një binom që e ka tërhequr në mënyrë të veçantë prirjen e tij si krijues. Shumë prej këtyre krijimeve janë prezantuar në skenë nga këngëtaret Afërdita Zonja, Violeta Kacori, Lindita Theodhori, Endri dhe Stefi Prifti, apo Eli Fara. Dhe është sidomos zëri i Eli Farës, ai që falë bashkëpunimit me Josif Mingën ka bërë të paharrueshme në kujtesën e publikut këngë të tilla si “Qeraxhi i Grebenesë”, “25 gërshetat” dhe që në sajë të po këtij bashkëpunimi “ri-modelohet” në një përmasë të re, duke kaluar nga melodika e këngëve polifonike të jugut drejt melodizmit të serenatës korçare me albumin “Nostalgji”. Josif Minga i takon një brezi muzikantësh shqiptarë që e konceptuan këngën jo si një formulë kompjuteri, një komoditet elektronik, në të cilin kompozitori është më shumë zgjedhës materialesh të parafabrikuara sesa krijues i mirëfilltë. Në punën e tij, tingulli ruan gjithmonë përmasën “reale”, përpara artificit dhe i njëjti parim ruajtje vlen edhe për përpunimet e shumë këngëve si, “Kur vjen behari”, “Në moshën e rinisë”, “Dua më shumë Shqipërinë”, “Gajdexhiu”, etj.. Këtë lidhje me vokalin, Josif Minga e përcjell edhe në albumin me korale akapela, të botuar para disa vitesh dhe të interpretuara për herë të parë nga kori “Lira”. Nëse do më duhej pastaj të zgjidhja një përfytyrim timin, më intim në lidhje me krijimtarinë e punën e tij, një ndër më të veçantët për mua ngelet ai me fizarmonikën në krah, gjatë provave me grupe folklorike ose me ansamblin “Skënderbeu”, prova që zhvilloheshin sa në Pallatin e Kulturës, aq edhe në shtëpinë tonë. Nëse krijimtaria përbën njërin kapitull të punës së tij krijuese, praktika me këto grupe përbën kapitullin tjetër, po aq të rëndësishëm. Kjo për arsye sepse një eksperiencë e tillë e afroi me praktikat folklorike të qytetit dhe të fshatit juglindor shqiptar, me protagonistët e saj të talentuar dhe me mjeshtra të paharrueshëm si për shembull Novruz Nure-Lulushi, etj.. Josif Minga mbetet i lidhur ngushtë me gjeografinë muzikore të Korçës, aty ku edhe zgjodhi ta përqendrojë punën e tij. Megjithatë, ndërsa edhe unë bëhesha pjesë e kuadrit të muzikës dhe muzikantëve shqiptarë, e kam gjetur jo pak herë vlerësimin për të përtej qytetit, nga miq dhe kolegë; nga nxënës dhe ish nxënës të tij që besoj, nëse lexojnë këto rreshta, do ta ndajnë sërish bashkë me mua të njëjtën konsideratë. Në fund të kësaj “buqete” fjalësh të përcjellë nga larg, dëshiroj thjesht ta uroj Josif Mingën për pasionin, talentin dhe dëshirën për t’iu shkuar deri në fund gjërave, për mbështetjen dhe besimin, por mbi të gjitha për ato që shërbyen si shtysa kryesore e këtyre rreshtave: tingujt dhe muzika.
NË 80-VJETORIN E LINDJES:BARDHYL XHAMA, KRIJUES DHE NJERI I MIRË…
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
Lexues të dashur, kolegë e miq! Të jem i sinqertë me ju, sot e kam ndierë veten paksa ngushtë. Sigurisht, ju doni ta dini arsyen. Ja, po ua tregoj me çiltërsi dhe mos më qortoni, pra kërkoj mirëkuptimin tuaj…
Në një mesazh të zakonshëm, në adresën time e-mail përmes Internetit, kolegu dhe miku im i dashur, autori i mbi 15 veprave letrare dhe publicisti i njohur, Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”, më shkruante se këto ditë ishte i zënë me punë dhe me disa veprimtari, sidomos familjare. Po, kënaqësia ime ishte, se ato janë për të mirë. Ndër të tjera, më tregonte se i kishte ardhur nusja e djalit nga Amerika e bashkë me të edhe mbesat e dashura. Po kështu, ishte paksa i merakosur për organizimin e festimeve të 80-vjetorit të ditëlindjes. Së pari, atë do ta bënte në rrethin e ngushtë familjar dhe pastaj me kolegë, miq e dashamirë. Më pëlqeu shprehja e mikut tim, se “gjithë qershori është i imi” (ha,ha). Siç ndodhë rëndom me datëlindjet tona, pra që janë jo aq të sakta, Bardhyli më shkruante se më e përpikta për atë ishte ajo, që e mbante mend nga nëna. Pra, datëlindja e tij është 13 qershori i vitit 1933 (Fterrë-Sarandë).
Në vitet ‘80-të të shekullit të kaluar, punoja redaktor në gazetën qendrore dhe të përditshme, “Bashkimi”. Ndërsa Bardhyli shërbente në organin e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, “Mësuesi”. Me atë gazetë bashkëpunoja pandërprerje, që në numrat e fillimit të saj, pra në vjeshtën e vitit 1961 dhe që kishte nismëtar e kryeredaktor të parë, Prof. Bedri Dedjen-Akademik. Pra, si të thuash, ishte një gazetë e dytë për mua, krahas asaj, ku shërbeja. Pa u zgjatur, tregoj se në atë kohë u krijuan rrethana të tilla, sa më lindi nevoja të shkoja me punë në një redaksi tjetër, si shkak i biografisë “së dyshimtë”?! Sapo ia tregova Bardhylit këtë shqetësim, duke qenë ai dhe sekretar i kolegjiumit të “Mësuesit”, më tha se kishin një vend bosh dhe se do të ndërhynte, që të më merrnin me punë aty. Ai e mbajti fjalën dhe në vijimësi e nisa punën në kolektivin e redaksisë së asaj gazete, e cila në atë periudhë kishte disa veta dhe dilte dy herë në javë. Më vonë, meqenëse më parë kishte punuar edhe drejtues në arsimin e rrethit të Sarandës, Bardhylin e caktuan zv.drejtor të Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor dhe, që aty, shef sektori në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Ndërsa unë e vijova detyrën e redaktorit, në atë gazetë për afër 22 vjet radhazi, deri sa dola në pension, në nëntor 2002.
Në marrëdhëniet e punës, në redaksinë e ‘Mësuesit”, por dhe më vonë në detyra të tjera e deri sa Bardhyli doli në pension, nuk i shkëputëm lidhjet tona miqësore. Ndërsa në vitet vazhduese, miqësinë tonë e mbajtëm si më parë dhe, ndoshta, e forcuam më shumë atë. Tashmë, ishim një grup i vogël shokësh, që u mblodhëm së bashku në “kompaninë lëvizëse”, siç e quanim ne, pasi i ndërronim shpesh vendet e takimit. Në të bënim pjesë: unë, Bardhyli, i ndjeri Skënder Hasko, Viron Kona, Sejdo Harka e Nuri Dragoj. Shpesh, me ne mblidheshin edhe kolegë të tjerë, të cilët i kemi quajtur, me shaka, “kandidatë” të kompanisë sonë, siç janë Pandeli Koçi, Pajtim Bejtja etj. Ndërsa Bardhyli ka bërë pjesë edhe në një “grupim” tjetër, pra të fterriotëve, me të cilët gjithashtu, takohet rregullisht.
Krahas vijimit të punës në fushën e krijimtarisë letrare e publicistike, pra botimit të shumë librave, sidomos për të vegjlit, me Bardhylin kemi marrë pjesë në mjaft veprimtari të përbashkëta, siç janë: festime të ditëlindjeve, në përurime librash të autorëve të ndryshëm, si nga Shqipëria, por dhe nga Kosova e diaspora. Sjell këtu në kujtesë edhe festimin e 75-vjetorëve të lindjes, p.sh., të Bardhylit e Skënder Haskos. Por ata, bashkë me kolegë e miq të tjerë, në mars 2010, më nderuan e më sollën kënaqësi në tubimin e paharruar për 70-vjetorin e ditëlindjes, ku përurova librin jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime” (Tiranë, 2010). Të bukura janë mbresat tona të përbashkëta, gjatë pjesëmarrjeve në panairet vjetore të librit, siç ishte dhe ai i 15-ti, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Kështu, mund të përmendja edhe përurimet e disa librave, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ose në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve etj. Se Bardhyli tregon kujdes të posaçëm, sidomos, për talentet e reja, duke dhënë ndihmesën e tij të çmuar në Shoqatën e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Dhe, në të gjitha rastet, ai është shprehur aty, me fjalë dashamirëse për fillestarët në krijimtarinë letrare. Shpesh, ai është redaktor ose recensionues i librave të rinj. Shpesh herë, Bardhyl Xhama ka bërë udhëtime jashtë Shqipërisë, ku jetojnë familjarë dhe të afërm të tij. Me kujdesin dhe vëmendjen e përqendruar, por dhe me korrektësinë shembullore, ai i ndjek krijimet e kolegëve dhe miqve, në faqe të ndryshme Interneti. Pastaj, jep mendime të pjekura për to dhe shkruan e u përgjigjet mesazheve, që i dërgojnë atij. Në kompjuterin tim ruaj disa mesazhe të tillë dashamirës.
Bardhyli, e ka ruajtur kurdoherë nderimin e respektin për vendlindjen, për prindërit (është biri i “Mësuesit të Popullit” Lame Xhama) dhe njerëzit e gjakut. Të gjithë e njohin atë bashkëshort shembullor, me Ferasetin e tij, kudo të pandarë dhe familjar të rrallë e të mirë, të përkushtuar për të gjithë. Kanë kaluar shumë e shumë vite, qëkur ai u bë baba. Pastaj gjysh shembullor e i dhembshur. Po ta hapni faqen e Internetit “Facebook”, te emri i tij, menjëherë, do ta shihni fotografinë e këtij stërgjyshi, duke mbajtur në krahë, mjaft i lumturuar, stërmbesën e tij ose “polenin e shpirtit”, “mjaltin e mjaltit” më të zgjedhur, me emrin e bukur, Alina.