– Dy role nuk harrohen roli i mësuesit në filmin “I teti në bronz”, dhe kolonelit gjerman te ”Kur zbardhi një ditë”
– Ai luajti me të mëdhenjtë Loro Kovaçi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Kujtim Spahivogli, Prokop Mima, Ndrekë Luca, Sandër Prosi, Marie Logoreci…
Jeta e rrallë e aktorit Bexhet Nelku
– Nelku luajti mbi 28 role në jetën e tij të shkurtër skenike prej vitit 1963 deri në vitin 1970
– Bexhet Nelku luajti me mjaft besueshmëri rolin e Benediktit, tek drama, “Shumë zhurmë për asgjë”.
-Artisti Nelku kishte dy cilësi të rëndësishme si actor: Ka qenë një recitues i përgatitur dhe solli qëndrimin e artistit, ndaj zhvillimeve që sillte materiali i dramës
Nga Baxhul Merkaj
Kushdo që ka pasur rastin të jetojë apo të vijë në kryeqytet në vitet 1960-1970 ka qenë fatlumtur pasi ka pasur rastin të ndjekë nga
afër dramat apo tragjeditë e mëdha në skenën e Teatrit Kombëtar. Por s’ishte e lehtë të gjeje biletë, sepse duhet të zije radhë me javë përpara. Kjo ndodhte, sepse në skenë luanin artistët e mirënjohur, si Loro Kovaçi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Kujtim Spahivogli, Prokop Mima, Ndrekë Luca, Sandër Prosi, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Drita Pelinku, por dhe më të rinjtë si Robert Ndrenika, Vangjush Furrxhi, etj, të cilët ishin mjeshtra të artit skenik teatror shqiptar. Në këtë plejadë, u rrit dhe u formua “Artisti i Merituar” Bexhet Nelku. Duke ndjekur nga afër shfaqjet teatrore, shihja se mbas çdo skene aktorët mbuloheshin me breshëri duartrokitjesh. Teatri ishte djepi i kulturës kombëtare. Artisti Bexhet Nelku jetonte në një shtëpi afër teatrit, (shtëpi i thënçin se të mbyste lagështira, gjë që artistit i gërreu edhe kockën). Jeta e tij, ishte e mjeruar, por e mbushur me shpirt e talent të tejskajshëm.

Askush s’mendoi për të veç shokët, miqtë. Lindi në vitin 1937, nga një familje punëtore. Duke jetuar pranë godinës së teatrit, ai u bë një spektator i rregullt i tij. Mbaroi shkollën e rezervave ku ka punuar si frezator. Gjatë kësaj kohe u angazhua si amator i Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Atje i lindi dëshira dhe vazhdoi studimet në liceun artistik, dega e dramës. Në vitin 1959, filloi studimet e larta në shkollën e lartë dramatike “Aleksandër Moisiu”. Nga viti 1963 e deri sa u nda nga jeta ka qenë, aktor i Teatrit Kombëtar. Gjatë kësaj kohe dha kontribut në teatër dhe si studiues, ku përgatiti një studim bashkë me artistin, Prokop Mima, lidhur me fjalën artistike. Nelku ka dhënë mësim si pedagog në Akademinë e Arteve.
Nga shfaqja në shfaqje
Kishte një ndjenjë të fuqishme përparësie, pasi arrinte të maste vlerat e tij, e kjo mbetet cilësi e veçantë e artistit. Ka shumë aktorë, që nuk e dinë forcën e talentin e tyre. Bexhet Nelku luajti mbi 28 role në jetën e tij të shkurtër skenike prej vitit 1963 deri në vitin 1970. Rolet i fitonte vetë, me besim tek vetvetja edhe në rast se nuk e projektonte ndonjë nga regjisorët, ai merrte materialin dhe e përgatiste vetë rolin dhe pas kësaj arrinte të
dilte në shfaqje para publikut. Në rolet e para, ku vihen re shenjat e talentit të tij janë, Krokshtati tek “Shtëpia e kukullës” dhe avokati tek “Nora” e shkrimtarit Henrik Ibsen. Kur në këtë kohë ishte student. Por, loja e Krokshtatit të tij, ishte natyra e një njeriu të ngrirë të futur në kallëp, të futur në parafinë. E ndërtoi personazhin jo pa qëllim kështu, por e vuri personazhin si kundërlëvizje, ndaj personazhit kryesor që ishte Nora. Nora kishte një botë të hapur, të zjarrtë emocionale, logjike, psikologjike. Ndërsa Krokshtati, Nelku ishte i ftohtë nga ndjenjat, duke përjashtuar çdo lloj ndjenje në raportin e ndjenjës së njeriut me njeriun.

Ishte pikërisht një trajtim i veçantë i Nelkut.
Bexhet Nelku luajti me mjaft besueshmëri rolin e Benediktit, tek drama, “Shumë zhurmë për asgjë”. Ai jepte frymën e lirë, frymën e rilindjes, ku njeriu shpreh pasionet. Njeriu nuk njeh kufi dhe censurë. Bexheti këtë figurë e përforconte në raport me shoqërinë shqiptare, në kohën e diktaturës, dihet se diktatura censurën e kishte mjet të vetin. Por Bexheti e trajtoi duke thënë: ”Njeriu duhet të jetë i lirë, siç ka qenë në kohën e Rilindjes”. Një figurë mjaft e realizuar mbetet oficeri gjerman tek “20 ditë”. Regjisori i mirënjohur Pirro Mani pohon se Nelku në rolin e oficerit, ishte në nivelin e një aktori evropian. Artisti me këtë rol ngjiti shumë më tepër shkallë se në rolet e para. Realizoi rolin e Pirros tek drama “Qielli i kuq”, ku ka punuar me regjisorin Kujtim Spahivogli, po kështu dhe në dramën “Ngjarje në fabrikë”. Artisti Nelku realizoi dhe katër filma, ku ndihet talenti i tij në realizimin e këtyre figurave, si tek roli i mësuesit në filmin “I teti në bronz”, kolonelit gjerman te ”Kur zbardhi një ditë”.

Arti i recitimit tek Bexhet Nelku
Artisti Nelku kishte dy cilësi të rëndësishme si aktor. Ka qenë një recitues i përgatitur në tërë atë plejadë të artistëve të rinj, por dhe të vjetër. Shkëlqeu dhe solli risi në artin e recitimit. Po kështu solli qëndrimin e artistit, ndaj zhvillimeve të ngjarjeve dhe problematikave, që sillte materiali i dramës. Ky element vinte jo vetëm nga studimet në shkollë, por dhe nga talenti i tij që forconte qëndrimin qytetar, ndaj veprimeve. Nuk ishte një ilustrues i thjeshtë, i materialit ashtu siç e mendonte vetë autori, por ishte dhe një trajtues i këtij materiali.
Ndonëse në atë kohë arti i recitimit nuk ka patur ndonjë nivel të veçantë, por studentët e parë të shkollës, si Nelku, që merreshin me artin e interpretimit, i dhanë një impuls të ri këtij lloj arti e si vazhdimësi e
tij, dolën Anastas Kristofori, Margarita Xhepa, Bujar Asqeriu. Ai ishte një nga pionierët e këtyre ndryshimeve të fjalës artistike, cilësi e vlerë e veçantë e artistit. Arti i imitimit, vlerë e veçantë e artistit Nelku.
Si qelizë të shpirtit të tij, të qytetarit e shihte, Nelku artin e imitimit. Në tubime midis shokësh në këmbime batutash argëtohej e shkëmbente mendime, duke imituar e duke krijuar ambiente të këndshme. Kjo cilësi jetësore e a
rtistit, i shërbeu pastaj në profesionin e tij. Ishte nga të vetmit që cilësi, të tilla i përjetoi në skenë. Kishte dhe të tjerë që bënin imitime në jetën e përditshme, por nuk arritën atë cilësi të Nelkut. Ai e shfrytëzoi këtë cilësi në mënyrë të fuqishme, ku disa prej figurave të tij, mbajnë edhe këtë element që mund të duket periferik në jetën e një artisti ose në mjetet e tij shprehëse. Ishte tipar esencial i Nelkut në raport me artistët e tjerë, ai imitonte dhe incizonte. Ishte një rast, kur imitoi regjisorin, Pirro Mani dhe e incizoi veten, pastaj ngriti zërin. Po Pirua e dëgjoi dhe i thotë: ”Kur e kam bërë unë këtë pjesë, se nuk e mbaj mend…?” Ky është një rast çaplinian, se edhe Çaplinit i ka ndodhur kështu. Çaplini u fut në një garë me disa imitues të tij dhe ndodhi që Çaplini doli i treti dhe ata dolën të parët.
Sulejman Dibra: “Nelku ishte një meteor që rrezatoi me dritë të bollshme. Ai ishte njeri dhe artist. Mbeti aktor i madh në planin komik, dramatik i përmasave europiane”.
Fitim Makashi: “Nelku vrojtonte jetën dhe nxirrte përfundime. Ishte Hamlet në jetë”.
Sheri Mita: “E kam pasur shok, mik mjaft të afërt dhe më është shprehur. O Sheri, shtëpi s’kemi as ti e as unë, por ke dëgjuar shpeshherë kur brohoritet: Nëna jonë është Partia..?! Po si mund ta lërë nëna të birin pa shtëpi?! E ajo për mua e për ty është njerka! E kisha shok të ngushtë, prandaj më hapej kështu në biseda. Unë pija gota me raki, ai pinte vetëm kafe, ishte shumë i rregullt. Artisti shkonte në komitetin ekzekutiv në atë kohë për shtëpi. Po sa e shikonin nëpunësit kryesorë e nxirrnin përjashta. Po çfarë kini, iu thoshte ai është artist i mirë. Po ata më përgjigjeshin. Ai është më i ligu, i të ligjve. Ja njohim fytyrën nga shfaqjet që jep në filmat që luan.
Rolet e tij janë të ligj, ndaj e kemi inat! Tragji-komedianët e kohës së diktaturës e shihnin artistin, duke luajtur role negative dhe mendonin se
ai ishte negativ dhe në jetë. Por, dihet se negativët ishin vetë ata zyrtarët e asaj kohe. E më tej vazhdon bisedën e kujtimeve aktori, Sheri Mita, i cili edhe në fund të jetës së artistit, Nelku i ka qëndruar pranë. “Në fund të jetës së tij më tha: ”Unë jam Hamlet, ti je Hamlet, të gjithë jemi hamletër, që luftojmë me një errësirë e s’dimë dot ta çajmë a s’do ta çajmë dot…! E si Hamleti i Shekspirit u shpreh: ”Në mundësinë për t’u thënë njerëzve të të gjithë botës për të dalë nga errësira në dritë, oh, çdo t’u thosha! Por ai kishte për t’i thënë në gjuhën e artit jo vetëm Shqipërisë, por dhe botës! Kanë kaluar 68 vjet të lindjes së tij e ne sikur e kemi pranë, pasi la mendimet e tij të vyera për artin dhe aktrimin shqiptar. Jetoi pak, por punoi shumë në magjinë e artit skenik teatror.”



















