Nesër takimi final i Konkursit II Kombëtar “Rinia dhe Kryqi i Kuq”

128

Gazeta Telegraf/

Nesër, e shtunë 8 Tetor
2016, në orën 10.00, në Qendrën Rinore, Tiranë
 (Qendra
Rinore ndodhet në Rrugën e Kavajës, pranë Bankës së Shqipërisë, ndërmjet
Raiffeisen bank dhe Dhomës Kombëtare të Tregëtisë
),
zhvillohet Faza finale e Konkursit II Kombëtar “Rinia dhe Kryqi
i Kuq”.
 

 

Konkursi zhvillohet në kuadër të 95-vjetorit të
themelimit të organizatës. Konkursi është pjesë e projektit “Si të bëhesh
lider- Vepro si i tillë” në qendër të të cilit janë të rinjtë e moshës 15-18
vjec. Konkursi dhe veprimtaritë sensibilizuese në kuadër të tij
synojnë të përhapin tek të rinjtë vlerat humanitare mbi të cilat
vepron Kryqi i Kuq si Vullnetarizmi, Humanizmi, Jo dhunës – Pro
Paqes, kundër diskriminimit, etj. 

 

Përballja finale do të bëhet ndërmjet skuadrave fituese
që kanë dalë nga takimet rajonale të zhvilluara në Degët e KK Durrës,
Shkodër, Gjirokastër, Fier dhe Elbasan, në të cilat kanë marrë pjesë 38
ekipet e përgatitura nga 38 degë të KKSH në mbarë vendin, dhe ku janë
përfshirë rreth 250 të rinj vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar.

 

Aktiviteti synon që të rinjtë të kenë sa më shumë njohuri
rreth vlerave humanitare, Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe
Programeve të Kryqit të Kuq Shqiptar në shërbim të njerëzve në nevojë me qëllim
që të rinjtë të jenë promotorë të përhapjes së njohurive dhe
vlerave humanitare te bashkëmoshatarët e tyre, vlera të cilat do t’i bëjnë ata
qytetarë më të mirë dhe të denjë të këtij vendi.

 

Ky aktivitet mbështetet nga fonde të Perandoreshës Shoken
(Japoni) dhe Kryqit të Kuq Shqiptar në bashkëpunim me Ministrinë e
Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.