Ramazan Çeka: Aromë kënge në Prishtinë

610
Sa herë që udhëtoj për Kosovë, për aktivitete të ndryshme kulturore apo edhe për festa të ndryshme familjare e shoqërore, emocionet për çudi, në vend që të bëhen më të zbehta, vijnë e bëhen më të forta, sepse sa herë që unë shkoj atje gjej një mikpritje aq të ngrohtë sa, si i thonë fjalës “me t’fut’ në borxh”. Kjo më ndodhi edhe në udhëtimin e fundit, i cili më frymëzoj që në këtë shkrim të ndalem tek mbresat e pashlyeshme dhe emocionet e paharruara që lidhen me takimin e ngrohtë dhe pritjen aq bujare që më bëri në shtëpinë e saj këngëtarja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Emocionet më përshkuan trupin kur ajo u shfaq para syve të e mi, që në momentin kur u hap ajo derë, që në momentin që dëgjova nga goja e saj, përshëndetjen “mirë se erdhët”! Para meje me një buzëqeshje mirësie, qëndronte një grua e moshuar, e veshur dhe e rregulluar, si për një mbrëmje gala. Ishte këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha. Me po këtë buzëqeshje, me po këtë mirësi që rrezatonte na ftoi brenda. Për mua dhe shoqërueset e mia, motrat këngëtare, Leonora, Emina dhe Edmonda Bushi, ishte jo vetëm një moment emocionues, por edhe lumturie. Së bashku me ne ishin edhe këngëtari i shquar kosovar Ismet Peja dhe vëllai i motrave Bushi, kompozitori Anton Bushi. Ajo dhomë ku ne hymë si mysafirë ishte befasia e dytë. Muret e saj të dekoruara me fotografi ngjanin me një muze të vogël, që dëshmon historinë dhe karrierën e saj artistike. Unë kisha udhëtuar nga Shkodra, pasi kisha bashkëpunuar më parë me motrat Bushi, por që për mendimin e të gjithëve duhej t’i bëhej e njohur kjo këngë e re vetë këngëtares. Dhe këtë prezantim ajo na e bëri më të lehtë, duke na qerasur në mënyrë tradicionale dhe me fjalë të ëmbla që mund t’i shqiptojë vetëm zëri i ëmbël i një këngëtareje. Ky pra ishte qëllimi i vizitës sonë në shtëpinë e saj, por siç u shpreha edhe më lart takimi u bë kaq emocionues, sa që në momentin kur Pagarusha dëgjoi këngën u përlot dhe na përloti edhe ne, sepse përmbajtja e këngës, kompozimi dhe interpretimi i revokuan asaj kohët e suksesshme në skenë, kur këndonte edhe këngën simbol “Zambaku i Prizrenit”. Një takim kaq i ngrohtë për ne, për mua si autor i tekstit dhe realizuesit e këngës, ishte si të thuash “leja”, “miratimi” që Nexhmije Pagarusha i bëri këngës. Qëndrimi në shtëpinë e saj u bë edhe më i këndshëm, jo vetëm nga bisedat për të tashmen dhe të shkuarën, por sidomos kur kjo zonjë e nderuar, artiste e madhe na recitoi fragmente poezish dhe na këndoi pjesë nga këngët më të njohura të repertorit të saj, duke përdorur ndoshta “një teknologji” të vjetruar, nostalgjike për te, një magnetofon që e përdorte me aq siguri dhe pasion. I bëmë një propozim, të cilin pas një hezitimi e pranoi, duke na dhënë kështu një kënaqësi të madhe, kur u tregua e gatshme të merrte pjesë në realizimin e videoklipit, duke u bërë personazh i tij dhe duke sfiduar moshën e saj. Në sjelljet e saj, në sytë e saj buronte dashuria e madhe për këngën, pasioni i pashtershëm për artin, por edhe figura e dashur e një mësueseje që ngazëllehet kur i mbushet zemra me kënaqësinë e madhe për brezat që do të jenë vazhdimësia e veprës së saj. Ajo na falënderoi të gjithëve, duke e quajtur këtë ditë si një ditë pranvere, si një ditë që i solli lumturi, që e rinoi, por që edhe i freskoi kujtimet, që siç tha edhe vetë, nganjëherë flenë bashkë me mua dhe presin dikë, si puna juaj që të zgjohen. E hodha këtë shkrim në letër jo si një informacion, por ashtu siç jam shprehur më lart, si mbresa dhe emocione të pashlyeshme, vlerat e të cilave i shtuan akoma më tepër promovimi dhe shfaqja me sukses në ekran e këngës “Zambak i bardh’ asht kanga jote” përmes një videoklipi të realizuar me pasion e dashuri nga Anton Bushi. U ndamë atë ditë nga kjo divë e madhe e këngës shqiptare, duke i uruar jetë të gjatë e pleqëri të bardhë, si zambakët e Prizrenit!
Sigal