Mexhit Prenci: Shkrimtari brilant dhe unik Faik Ballanca

961
Shkrimtari brilant Faik Ballanca është zë i veçantë dhe origjinal i prozës shqipe. Na mblodhi në këtë tubim përkujtimor dhe rivlerësues, e në të njëjtën kohë promovues i vlerave të prozës së tij. Sipas meje çdo kohë vlerëson vetveten dhe rivlerëson të shkuarën, ashtu si koha e ardhshme do të vlerësojë të tashmen e saj dhe rivlerësojë kohën tonë.
***
Faik Ballanca është vlerësuar nga shkrimtarët më të shquar të asaj kohe, si prozator i së ardhmes; po rivlerësohet nga koha e tanishme, si shkrimtar brilant dhe do rivlerësohet brez pas brezi duke evidentuar dhe argumentuar me profesionalizëm të lartë, atë që e bën Faikun të jetë vetvetja, si shkrimtar me individualitet të spikatur, origjinal, i guximshëm e sfidues i skematizmit dhe partishmërisë komuniste.
***
Me këtë status ka hyrë në letërsi pa trokitur, madje edhe në pallatin e krijuesve elitarë. Koha është e pamëshirshme, nxjerr jashtë pallatit ata që kanë hyrë me marifete pa cilësi të lartë të krijimtarisë dhe hyjnë shkrimtarë të shquar si Faiku,vendi i të cilit është i pazëvendësueshëm.
***
Krijimtaria e tij është cilësore si në rrafshin e ideve, mesazheve e të përmbajtjes, ashtu edhe të formave artistike. Që në tregimin e parë “Idhulli i Robi” shkruar në gjimnaz kur ishte 17 vjeç (botuar në gazetën “Zëri i rinisë, më 1963.) prozatori i ri shquhej për mendjemprehtësinë dhe guximin krijues, në tejkalimi i vijat e bardha jo vetëm në këtë tregim, por edhe disa të tjerë. Martin Camaj do të thoshte: “Shkrimtarët e realizmit socialist marshojnë si skuadër ushtarake në rreshtore, me hapin: “një, dy- një dy; prapa-ktheu, para-marrsh,…. “.
***
Pa hyrë në analizë apo të rrëfej subjektin e tregimit “Idhulli i Robit”, siç ndodh rëndom, do të nënvizoj vizionin dhe qëndrimin e shkrimtarit në raportet e partizanit me robin gjerman që punonin në ndërtimin e një ure. Që në takimin e parë prezantimi është armiqësor. Në pozicione ekstreme. “Hitler kaput!” i thotë Partizani. “Hail Hitler” ulurit gjermani.
***
Mënyra si i paraqet Ballanca marrëdhëniet e tyre në mjediset e kantierit, në punë dhe jetën personale, në sjellje e qëndrime dhe në tërë veprimet psikofizike, është krejt e lirë çka shkruan natyrshëm, me realizëm e vërtetësi, sa lexuesi bindshëm promovon veprimet dhe debatet e tyre në procesin psikologjik të ndryshimit gradual, të cilët nga armiq që ishin në fillim bëhen miq!
***
Sipas meje, kjo qasje e guximshme e Ballancës është “mesazh i çmendur” kur deviza komuniste ishte se me armikun flitet vetëm me gjuhën e pushkës. Dy vite më vonë në Plenumin e 15-të të PPSH-së, qershori 1965, pikërisht për këtë qëndrim ndryshe, u dënua drama “Dueli” e Qamil Buxheilt, “Partizani pa emër” e Fatos Arapit, “Rrethimi i bardhë” i Naum Priftit dhe autorët e tyre.
***
Shkrimtari i përveçëm Faik Ballanca vetëm për një dekade e ca, krijoi personalitetin e tij letrar me tregime e novela dhe romanin “Nomeja e largët””, për të cilin Kadare do të shkruante: “…romani më pëlqeu. Asnjë nga akuzat që i bën redaksia nuk qëndrojnë. Ky është romani i tij i parë dhe çuditem si ka arritur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq dhe moderne”.
***
Kushdo që lexon prozën e tij aq sa merr kënaqësi estetike nga arti i të shkruarit, mesazhet e freskëta, njerëzore e të fuqishme, që burojnë nga liria e brendshme e autorit, çka është sfidë ndaj mungesës së saj në realitetin socialist, – aq ndjen edhe dhimbje që jeta e shkrimtarit të ri u ndërpre, sapo kishin shpërthyer sythet e krijimtarisë së tij gjithë lëng jete dhe vezullime.
***
Proza e Ballancës është reflektim i realitetit historik dhe jetësor që jepet thjeshtë e natyrshëm, pa rënë në thjeshtëzim. Autori nuk kërkon dramën e madhe, të bujshme e të potershme; nuk e jep të fryrë dramatizmin, tragjizmin dhe lirizmin e jetës, por duke ruajtur sensin e masës, shpreh të bukurën dhe të shëmtuarën, me origjinalitet, ndryshe nga të tjerët.
***
Këtë e shquaj në tërë krijimtarinë e tij, por sidomos në tregimin “Mbama pallton, çun”, për të cilin shkrimtari i talentuar Teodor Keko, do të thoshte: “ I shkëlqyer, ai do të mbetet një nga perlat e tregimit tonë të ri”; ndërsa në tregimin “Njerka” pruri në letërsi figurën e njerkës së mirë dhe të dashur, sfidë ndaj njerkës së keqe- shtrigë, trajtuar nga letërsia tradicionale. Me vlera te veçanta janë edhe tregimet “Mbasdite të lagura me shi; “Koleidoskopi”, novela “Kënga e Marko Bocarit etj.
***
Modernen, ngjizur me realisten në veprat e Ballancës i shoh si prirje e natyrshme e botës së brendshme, që tejkalon realizmin e vjetërsuar dhe sjell risi në qasjen drejt një realizmi psikologjik në zhvillim.
***
Shkrimtari ka aftësi të admirueshme krijuese për të depërtuar në botën e brendshme të personazhit për të zbuluar gjërat e qeta e të heshtura, të cilat i jep në lëvizje dhe tension të brendshëm që është cilësi e epërme e krijuesit, çka më kujton Çehovin.
***
Kjo padyshim është vlerë e cilësisë së prozës së tij, ashtu siç është aplikimi i fjalive të shkurtra dhe mesatare, ndërtuar me mjeshtëri, pa fjalë-lum të turbullta apo sajesa letrareske e përshkrime jofunksionale që pengojnë rrjedhën e natyrshme të rrëfimit.
***
Sipas meje, rol të veçantë në cilësinë e prozës së Ballancës, lot edhe stili ekspresiv, konciz, i qetë në dukje, dinamik përtej saj në shtresat e nënshtresat polisemantike të tekstit. Ai vuri në fokus të krijimtarisë temat në rrafshin etiko-moral e historik dhe të rrëfyerit nën mutaf, ku kishte më shumë hapësirë për të respektuar lirinë krijuese brenda botës së tij, që t’i shpëtonte censurës mizore enveriste. 
***
Duke përfunduar, theksoj se Faik Ballanca si njeri, qytetar dhe shkrimtar ishte fisnik, krenar dhe i sertë. Me trupin e drejte e thatim, sy zhbirues e mendje të hollë e të mprehtë, më kujton Migjenin, madje edhe me vdekjen e parakohshme. Më kujton Migjenin jo vetëm si talent i jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se të dy, rrënjët i kanë në Dibër.
***
Ndonëse Faik Ballanca, na la pak vepra, zë vend të nderuar në letërsinë tonë mbarëkombëtare. Vepra e tij është kumt për të gjithë ata që shkruajnë shumë e për lum, pa e kuptuar sentencën se jo sasia, por cilësia është vlerë. Dostojevski do të thoshte: “Talenti është aftësia për të shprehur bukur, atë, që mungesa e talentit e thotë shëmtuar”. Faik Ballanca shkruante bukur! Është shkrimtar brilant, i krahasueshëm vetëm me vetveten.
Sigal